Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson është martuar me të fejuarën, Carrie Symonds, me një ceremoni të fshehtë në Katedralen Westminster, në Londër.
Ceremonia e vogël u zhvillua të shtunën pasdite, tha një zëdhënës i “Downing Street”.
Zëdhënësi shtoi se çifti do të festojë përsëri me familjen dhe miqtë verën e ardhshme, raporton “BBC”.
Të dy njoftuan se ishin fejuar në shkurt të vitit 2020.
Johnson, 56 vjeç, ka katër fëmijë nga martesa e tij e dytë me Marina Wheeler. Ata u ndanë pas 25 vitesh martesë në shtator 2018, si dhe menjëherë pas saj u konfirmua marrëdhënia e Johnson me Symonds.
Vitin e kaluar, Kryeministri britanik u bë baba për herë të pestë. Partnerja e tij, Carrie Symonds, solli në jetë një djalë, i cili është fëmija i parë i çiftit.
Symonds, 33 vjeç, ka gëzuar një karrierë të suksesshme politike, duke punuar si pjesë e ekipit të fushatës që ndihmoi që Johnson të zgjidhet si kryetar i Bashkisë së Londrës në 2012.
Në moshën 29 vjeç, Symonds u bë drejtoresha e komunikimit në Partinë Konservatore. Analistët thonë se ajo ishte thelbësore në rregullimin e Johnson si personazh i famshëm, gjatë fushatës udhëheqëse.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al