18 Mars, 2018

Burri akuzon të vëllanë për falsifikim dhe korrupsion, shpërthen kunata në mes të emisionit


Astriti dhe Floresha janë bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” për shkak të pretendimit të Astritit për falsifikim dokumentesh dhe korrupsion për një tokë nga ana e vëllait dhe kunatës së tij.

Një muaj më parë, Floresha ka qenë në një seancë ndërmjetësimi me bashkëshortin e saj, Bujarin pikërisht për këtë pronë, për të cilën ky i fundit  ka nënshkruar dy deklarata, duke hequr dorë nga pronësia e 1500 metra katrorësh tokë.

“Unë quhem Astrit Toska, nga fshati Marinëz, Fier. Unë kam thirrur Bujarin dhe Floreshën në këtë seancë sepse nga të gjitha që dëgjova  dhe pashë në letra, kam letra të tjera që vërtetoj që jam pronar i një pjesë toke, jo siç u tha në atë seancë. E vërteta nuk u tha aty, por do ta them unë dhe më pas  do ta zbulojnë organet kompetente dhe ju”.

Juristja Eni çobani shpjegon se për tokën e humbur prej bashkëshortëve Toska, Astriti pretendon se është e një bashkëfshatatri tjetër.

Astriti – Ku jeton gjatë këtyre viteve? Në fshatin Marinëz apo në ndonjë vend tjetër?

Floresha  Ku jetoj unë? Ç’ të duhet ty ku jetoj unë? Unë kam marrë tokë me ligjin 7501.

Astriti – Në seancë ke thënë që jetoj në Marinëz, por jeton në Fier prej 10 vitesh. Ke qenë e lirë të shkosh te Hipoteka Fier se e ke patur afër banesës dhe ke patur mundësi të shkosh për faturimin e tokave.

Floresha – Dhe ça halli ke?

Astriti – Nuk do të përgjigjesh, e lejmë këtë pyetje.

Floresha – Po, normal.

Astriti – Sa tokë ke përfituar nga ligji dhe si e ke përfituar?

Floresha – 5000 metra katrorë.

Astriti – Në ça viti?

Floresha – Me dokumenta e kam që në 1992 dhe nuk e di pse po m’i kërkon mua se mund t’i gjesh ku të duash. A jam zënë me ty? A të thash hajde të bisedojmë nga afër? Unë i kam me firmë, vulë shteti, taksë të paguar.

Astriti – Te pasuria 197 që flitet, ka patur pronar tjetër në vitin 1991?

Floresha – Edhe nëse ka pronar tjetër, zotërinjtë e komunës e kanë shpjeguar mirë.  Një zotëri që ka patur pjesën 197/1 a 2 , ka qenë me 1370 metër katrorë, pasi ka kaluar azhornimi i komunës i ka kaluar Bujar Toskës. Kjo është marrë nga Hipoteka e Fierit.

Çobani – Pra ky është problemi që ka Astriti.

Floresha – Po prandaj i thashë unë bisedo nga afër me të vëllanë, por unë vij dal, këtu në gjyq. Astriti di historinë se kush ka qenë, por nuk i di letrat që unë i nxjerr nga një shtet me firmë, me vulë e me taksë të paguar.

Eni Çobani teregon se posedon një dokument të datës 04.04.2014 të komunës Kuman, i cili vërteton se Bujar Toska është banor i fshatit Marinëz dhe ka përfituar tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501, përkatësisht parcela 194/2 1700 metra katrorë, parcela 197/1 3300 metra katrorë.

Floresha thotë se një banor i fshatit, Servet Qalliu i ka kërkuar bashkëshortit të saj një pjesë të tokës për ta punuar, në mënyrë që të fitonte të ardhura, ndaj dhe e ndihmuan, duke i dhënë 1300 metra katrorë nga toka e tyre. Ai punoi për rreth 2 vjet dhe më pas u largua nga fshati, ndaj dhe Floresha nuk e kupton se çfarë ka Astriti.

Ky i fundit shprehet se kur ka kaluar azhornimi në vitin 1995 ka qenë Servet Qalliu pronar, pavarësisht faktit nëse ka qenë i ligjshëm apo jo. Kunata e ndërpret duke i thënë: “Ty po të vjen keq për Servetin? Po le të vijë Serveti ta kërkojë e të përballet me mua!” Ai i kundërvihet sepse sipas tij, kanë përfituar tokë pa djersë.

Moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea  i ngre pyetjen Astritit se ku është dëmtuar në këtë çështje dhe nëse i kanë hyrë në pjesë, pasi nëse janë falsifikuar dokumentet e zgjidh shteti.

Astriti – Morali mua më vret kur dëgjoj këta me falsifikimet që kanë bërë se unë kam letra të tjera, të vërteta.

Gjebrea – Falsifikim për tokën tënde apo jo? Ty të kanë hyrë në pjesë?

Astriti – Jo, por kanë dashur të hyjnë edhe te një pjesë tjetër…

Gjebrea – Te cila pjesë tjetër, e jotja?

Astriti – 197/1  nuk është as e këtyre, as e imja, por është me letra fallco që kanë bërë këta të gjithë!

Gjebrea – Po ty ç’të duhet? Atë e bën shteti.

Astriti – Kur shikoj një padrejtësi, më mbron ligji e kam të drejtën që të bëj denoncim.

Floresha  Ku, këtu te zonja Eni? Bëj gjyq more, përballemi në gjyq!

Gjebrea – Ti e bën denoncimin por këtu ne jemi ndërmjetësimi. Nuk jemi prokuroria apo organet e policisë që bëhen denoncime.

Juristja Çobani shpjegon se i ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi Floreshën dhe Astritin në mënyrë që të sqarohen me njëri – tjetrin, pasi asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi për dokumente të lëshuara nga shteti.

Floresha rrëfen se dy vite më parë i ka shkuar Krimi Ekonomik, pasi Astriti i kishte denoncuar.  Pas verifikimeve nga ky institucion, rezultoi se të gjitha dokumentet ishin në rregull. Ajo shton se gjithashtu pas seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në gjyq” është thirrur nga Krimi Ekonomik për të treguar zyrtarët e korruptuar që janë përmendur për çështjen e pronës së tyre.

Astriti pretendon se vëllai i tij sëbashku me bashëkshorten kanë flasifikuar dokumentet për parcelën 197/1, pasi në vitin 1991 ata kanë patur në pronësi 1300 metra katrorë, ndërsa tani kanë 3300 metra katrorë.

Eni Çobani tregon se nga Bashkia Roskovec, Njësia Administrative Kuman,  më datë 20.07.2017, është lëshuar një vërtetim, ku thuhet se Bujar Toska ka paguar taksat për një sipërfaqe toke bujqësore prej 5000 metrash katrorë. Ato çka thotë Astriti ngelen vetëm pretendime, pasi nuk posedohet asnjë dokument që shfaq falsifikime përsa i përket pronave të bashëkshortëve Toska.

Por ai vazhdon të këmbëngulë për këtë gjë dhe kërkon që kjo çështje të ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe jo nga ajo e Fierit, pasi sipas tij, janë të korruptuar. Floresha e indinjuar pyet se ku i gjen kunati i saj këto dokumente, pasi jo më larg se  dy ditë më parë i ka ardhur një dokument nga Bashkia Roskovec, ku thuhet se kanë në pronësi 3300 metra katrorë.

Floresha – Pse s’më ka paditur se unë kam kaq vite që po i kërkoj? Unë kam bërë falsifikime sipas mendjes së kunatit. Kështu që ky le t’i shikojë letrat, unë me këto letra do të paraqitem në gjyq. Ky zotëria le të vijë në gjyq me mua dhe nëse del ashtu, le të dënohem unë, ky ç’ka? Unë i kam nga shteti, ky nga i ka?

Astriti – Më dëgjo zonja Flora. Kur bëhet regjistrimi i pronës, sipas formularit 6, sot ka dhe komisione në shumë vende, shkon në komunë dhe kërkon plan vendosje dhe plan relevimi.

Floresha – Ai m’i ka dhënë, Rakipi. E ke të shkruajtur të zezë në të bardhë.

Astriti – Më lër të mbaroj. Dhe shkon në Hipotekë te sportelet që ka vënë shteti për të faturuar pronën.

Floresha – Se kur do shkoj unë në Hipotekë zoti Astrit, nuk të marr dorën ty dhe se çfarë ka bërë Hipoteka me mua e gjej te Hipoteka e jo tek ty. Nuk ia vlente seanca e ndërmjetësimit me ty zotëri edhe pse më vjen keq se je xhaxhai i fëmijëve të mi!

Astriti – Letrat e tokave bëhen te sportelet e Hipotekës.

Floresha – Kush je ti që më përgjigjesh mua këtu? Kush je? Të të vijë turp!

Astriti – Duhet të ndërhyjë prokuroria për të gjitha tokat.

Floresha  Do të më dëgjosh nëse je burrë?

Astriti – Unë jam burrë dhe prandaj kam ardhur këtu!

Floresha – Më ke ardhur 3 herë te shtylla e korentit, le të verifikohet pamja nga sateliti dhe më ke thënë Flora jepja 600 mijë lekëshin zotërinjve të bëjnë dokumentet. Unë s’kisha t’i jepja se çova djalin në shkollë.

Astriti – Ç’lidhje kam unë me lekët? Këto janë sajesa!

Floresha – Turp të kesh! Jazëk të qoftë!  Ti nuk je njeri! Është turp që vij unë me një njeri të tillë në këtë zyrë!

Astriti – Unë nuk ndërhyj te prona jote, as me lekë e as me asgjë! Faturoji si gjithë populli! Të kam kërkuar unë 600 mijë lekë?

Floresha – Po! Më ke kërkuar 600 mijë lekë dhe unë nuk kisha t’ua jepja atyre që ua ke dhënë ti që more letrat.

Astriti – Po pse s’ke bërë denoncim në polici ti?

Floresha  Unë nuk i bëra dot letrat dhe ti i bëre. Shko bëj ti denoncim, pse ke ardhur këtu?

Gjebrea – Zoti Astrit, në fillim erdhe ti dhe bëre një denoncim, tani bëri zonja Flora një denoncim, e detyruar nga ajo që bëre ti. Më thuaj  pak pse duhet të të besoj ty, unë si Ardit dhe si telespektator dhe të mos besoj zonjën Flora? Dhe nëqoftëse flet për korrupsion, zonja Flora sapo foli për një akt tjetër akoma dhe më të rëndë korrupsioni.

Astriti – Për korrupsionin që them unë dhe falsifikimet që nuk u zbula gjë sot këtu, na ndihmojnë organet kompetente, ligjet, prokuroritë  që do ta zbulojnë më vonë.

Gjebrea – Është e vërtetë ajo që tha zonja? Që i ke kërkuar 600 mijë lekë?

Astriti – Jo! S’kam pse i kërkoj se unë kam pronat e mia!

Përsa i përket pretendimit të Bujarit në seancën e ndërmjetësimit me bashkëshorten, që i kanë bërë presion për të hequr dorë nga një pjesë e pronave të tij, Astriti pyet se përse nuk i ka ndodhur atij, por i ka ndodhur vetëm të vëllait.

Juristja Çobani shprehet se prentendimet e tij duhet t’ia drejtojë organeve kompetente dhe jo Floreshës në këtë seancë ndërmjetësimi.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Floreshës, duke mos hedhur asnjë votë te kutia e Astritit.  Ky i fundit tha se derisa shteti të gjejë falsifikatorët nuk do të ndihet i plotësuar, duke e mbyllur në këtë mënyrë këtë seancë ndërmjetësimi./ tvklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al