8 Mars, 2020

Burri miliarder i Angela Martinit rrezikon 5 vite burg, modelja gjen mundësi të reja për të fituar para


Prej kohësh, martesa e modeles Angela Martini dhe miliarderit rumun, Dragos Savulescu, ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve pas thashethemeve se çifti i kishte dhënë fund martesës së tyre. 

Ai ka probleme me drejtësinë dhe për këtë arsye nuk ishin shfaqur bashkë, madje më 10 shkurt, mediat e shtetit rumun raportuan sërish për urdhërarrestin ndërkombëtar të lëshuar për Savulescun për të vuajtur dënimin prej 5 vitesh.

Bashkëshorti i Angela Martinit është në kërkim, pasi akuzohet se është përfshirë në një grup kriminal (30 anëtarë), i cili përllogaritet ta ketë dëmtuar shtetin me 114 milionë euro, përsa u përket disa pronave në Constatta dhe Mamaia.

Siç raportohet nga website-t rumune, bashkëshorti i Martinit ka mundur të sigurojë ilegalisht disa toka që gjendeshin nën pronësinë e një të moshuari, Ivonne Aline Buzescu-Movila.

Së bashku me dikë tjetër, mbiemri i të cilit është Giurgiucanu, biznesmeni ka marrë pronësitë falë ndihmës së një noteri. Më pas, këto toka u janë shitur të afërmve apo miqve me një çmim shumë të ulët. Por Shën Valentini nuk e ka mbajtur dot larg Dragosin nga bashkëshortja e tij, Angela Martini.

Kjo e fundit ka publikuar një video në “Instagram”, ku shfaqen dy duart e tyre, në një skenë tepër romantike, pa dhënë detaje për vendodhjen, pasi ai është shpallur në arrati dhe rrezikon 5 vite burg. Në këtë situatë të vështirë, Angela ka menduar të tjera mënyra për të fituar para, gjithmonë sipas këshillave të partnerit miliarder, i cili është një producent filmash.

Karriera e saj nisi si modele, ndërsa sot Angela Martini është autore e librit të saj të parë “Dashuri, Shpresë, Dritë”. Së fundmi, ajo ka qenë e ftuar në kanalin e njohur amerikan “KTLA 5”, për të folur mbi librin e saj dhe planet e së ardhmes.

Bukuroshja shqiptare nuk ka hezituar të flasë edhe për Shqipërinë, që e quan një vend të bukur dhe tregon se është mjaft e dashuruar me të. Më pas, Angela zbuloi fillimet e saj të karrierës si modele.

“Në fakt, unë kam bërë veten modele. Kur jetoja në Zvicër, sepse atje jam rritur, shikoja reality show për modelet në Miami dhe një javë më vonë i thashë vetes ‘wow’, unë duhet ta bëj këtë’. Pastaj prenotova një biletë me një drejtim dhe të nesërmen u paraqita në agjenci dhe u thashë ‘ja ku jam’. Atëherë isha 21 vjeçe dhe mendoja se isha e paprekshme. Pastaj u zhvendosa në New York dhe aty vijova me karrierën e modelimit. më vonë përfundova në ‘Miss Universe’, ku përfaqësoja Shqipërinë dhe aty takova edhe Donald Trumpin”, u shpreh Angela.

Ndër të tjera, ajo ka zbuluar edhe disa nga planet që ka për të ardhmen, nga të cilat pret të fitojë para.

“Do të merrem me prodhimin e filmave të shkurtër dhe një dokumentar që do të dalë së shpejti. Shpresojmë që do të dalin në NETFLIX. Për dokumentarin nuk mund të flas, ndërsa filmi i shkurtër flet për sumerët që janë ndërqytetërimet e para”, zbuloi ish-modelja, e cila direkt pas martesës me miliarderin vendosi të hiqte dorë nga karriera si modele, pasi ai i premtoi një martesë të lumtur pa e vrarë mendjen për paratë, vetëm për qejfin.

Por siç dihet, në këtë jetë asgjë s’është e sigurt. Kështu që, Angela po mendon si t’i bëjë paratë vetë, tani që bashkëshorti është përballur me sekustrot dhe rrezikun për t’u burgosur. /Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al