8 Mars, 2022

Çfarë e bëri bashkë Elisa Spiropalin me Grida Dumën më 8-mars


Një homazh për gratë që bënë historinë e letrave shqipe, për ato gra që vijojnë të jenë të harruara në faqet e historisë, ka bërë bashkë sot gra të njohura të politikës dhe botës së librit në hapësirat e Universitetit Europian të Tiranës.

Duke iu bashkuar fushatës #Shqipërialexon dhe #lexomemua nga Qendra Kombëtare e librit dhe Leximit, Valentina Leskaj, Elisa Spiropali, Grida Duma, Alda Bardhyli, Vera Bekteshi, Belina Budini dhe Suela Bala lexuan pjesë të zgjedhura nga krijmtaria e grave shqiptare. “Ky aktivitet është një nderim për kontributin e heshtur që gratë kanë dhënë në historinë tonë. Ne sot do jemi zëri i tyre në këtë ditë simbolike që na lidh më shumë me gruan”, tha Bardhyli.

 

Valentina Leskaj zgjodhi të lexonte pjesë nga libri i saj “Politika si ide” ku për herë të parë një kapitull i dedikohet feminizmit shqiptar. Ajo kujtoi takimin me Ollga Pllumin. “Isha shumë e re kur e takova për herë të parë në shtëpinë e saj në rrugën e “Kavajës”. Pashë një grua flokëbardhë, të paqtë, me sy të zgjuar e që kishte një sjellje të kujdesshme, një lloj vetëpërmbajtje. Nuk e di nëse kishte qenë gjithmonë kështu e kujdesshme, apo nëse ia kishin imponuar rrethanat e kohës, për shkak të goditjeve që kishte marrë. Për mua kjo nuk mund tëishte karakteriale, nuk mund të kishte qenë kështu, një grua që nuk kishte pasur drojë e kishte bërë emër qysh në vitet ’30, e as më pas kur u bë ndër të parat gra që u rreshtuan krah burrave në luftën antifashiste për çlirimin e vendit.

Në fakt për këtë kontribut ajo u zgjodh edhe anëtare e Këshillit Antifashist, madje edhe anëtare e kryesisë së tij, ndërsa pas çlirimit të vendit në zgjedhjet e vitit 1945, u zgjodh edhe Deputete e Kuvendit Popullor, me një rezultat shumë të lartë në procesin e votimit. Në ato zgjedhje, Ollga Plumbi ishte deputetja e dytë më e votuar, pas Enver Hoxhës”, tha Leskaj. Spiropali zgjodhi të lexonte pjesë nga ditari si studente në Romë i Musine Kokalarit, ndërsa Grida Duma pjesë nga An Rand, “Revolta e atlasit”, si një libër nga një grua që ngre hartën e së djathtës dhe rrugën që gjithsecili do të bëjë drejt betejave në jetë.
Belina Budini lexoi pjesë nga vepra fituese e cmimit Kadare këtë vit me autore Vera Bekteshin. Ndërsa kjo e fundit lexoi pjesë nga poezia e Marie Tucit martires së Kishës Katolike, e cila u arrestua më 10 gusht 1949 dhe u torturua”Turturat më çnjerëzore ndaj Marie Tucit që u panë nga dhjetëra dëshmitarë ishte që pasi e zhveshën e futën në një thes bashkë me një mace të egër, duke e lënë aty për një kohë të gjatë. Seiti dhe hetuesit e tjerë e dhunojnë sërish me mjete të forta, aq sa Maria dërgohet në gjendje të rëndë në spital, ku pas disa ditësh, më 28 tetor 1950 vdes si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike”, tha Bekteshi. Bardhyli lexoi pjesë nga Liri Lubonja ndërsa Bala pjesë nga libri i fundit i Miranda Haxhisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al