Konsumi i mishrave të përpunuar siç janë sallamrat, proshutat dhe salçicet, rrisin rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë apo rezistencës ndaj insulinës, që konsiderohet pikënisja e diabetit të tipit 2.
Sipas studimeve, të cilave u referohet AgroWeb.org, njerëzit që konsumojnë rregullisht mishra të përpunuar janë 50% më të rrezikuar ndaj dhjamosjes së mëlçisë dhe po aq ndaj rezistencës insulinës.
Çfarë Është Dhjamosja E Mëlçisë
Dhjamosja e mëlçisë ka të bëjë me akumulimin e yndyrnave në qelizat e mëlçisë.
Ky grumbullim nxit shfaqjen e inflamacionit dhe dëmtimin e pakthyeshëm të mëlçisë.
Dhjamosja e mëlçisë është kthyer në një problem madhor shëndetësor, jo vetëm në vendet në zhvillim por edhe në ato më të zhvilluara.
Kjo sëmundje nxitet edhe nga rezistenca ndaj insulinës, e cila vërehet kryesisht tek njerëzit mbipeshë.
Roli i Mishrave Të Përpunuar Në Dëmtimin E Mëlçisë
Sallamrat, proshutat dhe salçicet përmbajnë sasi të jashtëzakonshme të yndyrnave të ngopura të cilat shkaktojnë inflamacion.
Nga të dhënat e AgroWeb.org, ato përmbajnë shumë kripë, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me dëmtimet që i shkaktohen mëlçisë.
Këto produkte përgatiten dhe gatuhen në temperatura shumë të larta.
Ky proces krijon kimikate të rrezikshme të cilat duhet të përpunohen nga mëlçia.
Mishrat E Rekomanduar Për Shëndetin E Mëlçisë
Mishi në përgjithësi ofron disa ushqyes të vlefshëm për shëndetin ku përfshihen: proteina, hekuri, zinku dhe vitamina B12.
Megjithatë, këto ushqyes përfitohen nëse produktet e mishit konsumohen pa e tepruar dhe sidomos duke pasur kujdes për metodën e përgatitjes dhe gatimit.
Të dhënat, të cilave u referohet AgroWeb.org, rekomandojnë konsumin e rregullt të peshkut dhe shpendëve, mishi i të cilëve përmban shumë yndyrna polio-të-pangopura.
Metoda e rekomanduar e gatimit të këtyre mishrave është zierja dhe avulli.
Dhjamosja e mëlçisë është një sëmundje që nxitet nga stili i jetesës.
Mjaftojnë disa ndryshime të rëndësishme në regjimin ushqimor dhe mëlçia mund të qëndrojë e shëndetshme dhe funksionet e saj të pacënueshme.
Ndër ndryshimet më të rekomanduara përveç heqjes dorë nga mishrat e përpunuar është edhe aktiviteti fizik./AgroWeb.org
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al