Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme e ish-ministrit të Energjitikës, Dritan priftit, Ishte një lajm i trishtë për të gjithë.
Prifti u largua nga jeta në moshën 49-vjeçare dhe la pas bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, 3 djem dhe një vajzë.
Njëri prej djemve të tij, David, është i njohur për publikun, pasi edhe pse në një moshë të vogël, ai është një nga modelët që ka spikatur për shkak të tipareve të veçanta të fytyrës si dhe fizikun.
Në një intervistë dhënë për “Panorama” në muajin Mars të këtij viti, David ndër të tjera ishte shprehur se modeli i politikanit që e frymëzonte ishte pikërisht ati.
“Modeli që më ka frymëzuar, më frymëzon dhe do më frymëzojë gjatë është babai im”, ishte shprehur ai.
Intervista e plotë
Është 14 vjeç, 180 cm i gjatë, flet katër gjuhë të huaja dhe po projekton të ardhmen si aktor Hollywood-i. David Prifti është djali me shumë hobe i ish-ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
Së fundi ai ka bërë për vete ndjekësit e tij në profilet virtuale me fotot artistike për “Dolce & Gabbana”-n, të realizuara nga Endrit Mërtiri, ku shfaqet si profesionist i zbritur nga pasarelat. Për pasionet dhe shijen e hollë të djalit me portretin e modelëve që shohim në katalogët markë, David rrëfehet për gazetën “Panorama”:
Të shohim shumë pranë modës, aq sa po të hapesh profilet e tua në rrjetet sociale duket se kemi të bëjmë me një fotomodel profesionist. Kur u dashurove pas fotografisë?
Ka qenë diçka e natyrshme. Më ka pëlqyer që i vogël të bëja fotografi. Dilja bukur dhe isha i natyrshëm para aparatit fotografik. Mamaja ime ka qenë fotografja ime e parë, e cila dhe ma ka ushqyer këtë pasion.
Po dëshirën për të eksperimentuar me veshje të tendencës së fundit nga kush e ke trashëguar?
Nuk besoj se dëshirat janë të trashëguara. Tiparet fizike po.
Elegant dhe me nofullat e dukshme njësoj si modelët e pasarelave. Kujt mendon se i ngjan?
Fizikisht jam një përzierje mes dy prindërve, por edhe gjyshërve e gjysheve.
Shijen e hollë kush ta ka kultivuar, duke pasur parasysh që je vetëm 14 vjeç?
Mësoj shumë nga mamaja ime, sepse ajo ka shije të veçanta.
Pas teje së fundi portalet shkruan dhe për motrën më të vogël, do të mbetet ky një hob apo profesion në të ardhmen për fëmijët e politikanit Dritan Prifti?
Motra ime Livia, ashtu sikur dhe vëllai im i vogël Ted, janë të dy modelë të lindur, do të thosha. Por nuk besoj se do t’i përkushtohemi modelingut si profesion asnjëri nga ne të tre. Për mua besoj do të jetë aktrimi dhe bota e spektaklit.
Prinderit çfarë orientimi të japin në këtë pasionin tëndin? Të mbështesin?
Prindërit më mbështesin në këtë pasion.
I ndjek javët e modës në Europë, dhe cilit model mendon se i ngjason?
Unë ende nuk kam mbushur 15 vjeç dhe nuk kam mundësi të ndjek javët e modës. Kam disa stilistë të preferuar dhe ndjek nga Instagrami aq sa mundem krijimet e tyre. Më duket model i veçantë Jordan Kale Barrett.
Ke marrë ndonjë ofertë për të qenë bloger në të ardhmen, dhe do e bëje?
Deri tani nuk më është ofruar kjo mundësi, por që natyrisht do të ishte një mënyrë shumë e mirë për t’u njohur nga bota, kështu që po, do ta bëja.
Mendon se plotëson parametrat e modelit duke filluar nga tiparet e fytyrës deri te fiziku?
Vitin e fundit jam zgjatur shumë, kam arritur 180 cm. Edhe 2 a 3 cm dhe arrij babin tim. Jam ende në moshë të re, por fiziku duket se më favorizon.
Politika të intrigon që tani, cili është modeli i politikanit që të frymëzon?
Modeli që më ka frymëzuar, më frymëzon dhe do më frymëzojë gjatë është babai im.
Ke vendosur të arsimohesh në Shqipëri apo jashtë vendit?
Deri tani që jam në klasë të 9-të jam arsimuar në Shqipëri. Edhe shkollën e mesme do ta bëj këtu. Më tej, i lutem Zotit të më krijojë një mundësi të ndjek një shkollë arti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose Angli.
Intervista Plus
Fama? Të mirat e saj janë vetëm mundësitë e shumta që të ofrohen
Në cilën lëndë je më i mirë në mësime?
Unë jam i mirë në të gjitha lëndët në shkollë, por Fizika dhe Biologjia më pëlqejnë më shumë.
Markat e tua preferuara?
Si të gjithëve edhe mua më pëlqejnë veshjet e bukura. Kjo nuk do të thotë që jam i fiksuar pas markave.
Cilit stilist nuk do t’i thoje jo?
Asnjë stilisti të mirë dhe të suksesshëm nuk do t’i thosha jo. Por e ardhmja ime nuk do t’i përkasë modelingut, siç e thashë më sipër.
Modelja që mendon se është një yll i vërtetë?
E preferuara ime është Josephine Skriver, por nuk do rri pa përmendur Doutzen Kroes dhe Miranda Kerr.
E dëshiron famën dhe cilat janë të mirat e saj?
Fama ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Të mirat e famës janë mundësitë e shumta që të ofrohen.
Mund të na rendisësh disa hobe si një 14-vjeçar që je?
I bie pianos. Luaj tenis, lexoj libra në anglisht, mësoj gjuhë të huaja dhe sot flas 4 gjuhë të huaja. Më pëlqen shumë të dëgjoj muzikë dhe të këndoj edhe vetë. Më pëlqen shumë dhe të fotografoj. Më pëlqen kinematografia dhe kam dëshirë ta ndjek në të ardhmen.
Klotilda Harka/Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al