11 Janar, 2020

Ç’fshihet pas kapjes personale? Arsyeja pse Alketa Vejsiu ia serviri hakmarrjen në pjatë të ftohtë Xhemi Shehut dhe jo Salsanos


Ç’fshihet pas kapjes personale me rivalen e ekranit?

Nata finale e Festivalit 58 të RTSH-së u komentua gjerësisht jo vetëm për ndarjen e fitores mes Arilena Arës dhe Elvana Gjatës, por edhe për moderimin e Alketa Vejsiut, ndërrimin e veshjeve apo performancat e saj si këngëtare.

alketa-xhemi

Pas kritikave apo komenteve pozitive, vëmendjen e ndjekësve e tërhoqi një video e dy moderatorëve të spektaklit të humorit “Portokalli”, Xhemi Shehut dhe Salsano Rrapit, e komentuar si ironi ndaj Alketa Vejsiut.

“Po mendoj që sezonin e ri të ‘Portokallisë’, unë me Xhemin vetëm të këndojmë. Nuk do të prezantojmë”, tha Salsano, ndërsa Xhemi ia ktheu: “Për 1 vit njëherë nuk dua të dëgjoj këngë! Ika të ndërrohem njëherë se kam 5 minuta me këtë veshje. Si mund të rrijë robi 5 minuta me një veshje?”

E pasi kaluan festat dhe kjo video ishte harruar, erdhi një postim dedikuar Xhemit, publikuar nga revista “Class” në pronësinë e Vejsiut.

Në përshkrimin e fotos kur Xhemi ishte brune, shkruheshin këto fjalë drejtuar moderatores së “Portokallisë”, si një hakmarrje në pjatë të ftohtë ndaj Xhemit.

“Mendojmë që tri gjëra i shkojnë Xhemit. Me këto flokët me rrica duket shumë kinge! Gjithmonë e bukur Xhemi! Pseudonimi ‘Xhemile’ i shkon shumë Xhemës sonë! Edhe si aktore humori mund të fitonte një kupë në ‘Golden Globes’. Nuk është keq me humorin, edhe pse në hapat e parë të karrierës! Më mirë se në prezantim madje! Në prezantim ka rivale të forta, kështu që i sugjerojmë të merret seriozisht me karrierën e aktores së humorit. Ka të dhëna të mira aty. Me ndihmën e Salsanos, rolin e ‘Gagaçes’ do ta qante! Postimi është plotësisht dashamirës! Xhemin Xhan! Juve, si ju duket më mirë? Dikur apo sot?”, shkruhet në postim.

Fotoja u shoqërua me komente të shumta dhe pjesa më e madhe i kundërvihej faqes. Ndërkohë, shumë prej komentuesve ngrenë pyetjet se pse Alketa Vejsiu u hakmor vetëm me Xhemi Shehun dhe jo me kolegun e saj, Salsano Rrapin, i cili dukej se ishte iniciatori i videos ku ironizohej Vejsiu.

Komentuesit e shumtë hedhin dritë për një inat personal të vjetër të Alketës me Xhemin, ndoshta që nga koha kur të dyja punonin në “Top Media”, Xhemi në “Top Channel” dhe Alketa në “Top Albania Radio”, ndërsa ishin në fillimet e karrierës së tyre.

Edhe pse tashmë rrugët e tyre janë ndarë, shfaqen në dy ekrane të ndryshme dhe janë bërë nëna, duket se inati i vjetër apo një hatërmbetje mes kolegesh ende s’është harruar.

Kujtojmë që revista e saj nuk e la me aq “fushatën e kunjave” për vajzat e ekranit. Në faqen e revistës “Class” u publikua një shkrim tjetër me të njëjtat nota për dy motrat Vjollca, Luana dhe Marina.

Teksa postoi një foto të tyre nga pushimet në Dubai, në foto shkruhet: “Jeta e sheikeve, sa u pëlqen vajzave shqiptare! #sheikeshat #sheiket e showbizz-it shqiptar duken kaq sexy në Dubai! Zbarkuan një pjesë e mirë e tyre edhe këtë vit. Çudi, ne shqiptarët sa të lidhur jemi me botën arabe! Çudi sa pak promovojmë perëndimin, stilin italian apo francez. Na lëvrin gjaku për muzikën e tyre. Për grimin e tyre. Për fustanet e ngarkuara glam e me xixa. Për jetën e tyre luksoze. Dubai, për disa që e kanë frekuentuar, është një qytet butaforik artificial, ku jo çdo gjë që shkëlqen është ar, të tjerë çmenden për të! Po juve, a ju duket interesant Dubai? Ju pëlqen më shumë eleganca e vajzave diskrete europiane perëndimore? Apo modeli arab? Buzë të plota, bust ‘zemërgjerë’, vithe sexy, forma të theksuara? Nuk po shtojmë edhe sheikët që të mbajnë në pëllëmbë të dorës, sepse ne luftojmë fort për modelin e vajzës ‘Self Made’, që punon nga mëngjesi deri në darkë për të fituar rrogën me krenari! Përdorëm foton në fjalë, se motrat Vjollca na duken imazhi më i mirë i Dubait në këtë fillim viti. Votoni në story! Cilin model pëlqeni më shumë?”

Por pas kësaj, situata doli pak jashtë kontrolli dhe për të shmangur vazhdimin e debatit, në dy postimet, tek ai i Xhemit dhe tek ai i motrave Vjollca, janë bllokuar komentet. Ndërsa te fotoja e motrave, revista është detyruar të heqë edhe përshkrimin!

Portalet shkruanin se arsyeja pse i fshiu ishte një telefonatë e burrit reper të Marinës, Getoar Selimi.

Më pas, Alketa nuk ka ngurruar t’u kthejë përgjigje komentuesve për motrat Vjollca, duke theksuar faktin se “janë të mira, i duam”, për të larguar kështu çdo hamendësim se ajo mund të ketë diçka personale me dy motrat prezantuese. /Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al