9 Qershor, 2022

‘Chersace’: Cher dhe Versace bëhen bashkë në një nismë të veçantë dedikuar Muajit të Krenarisë


Koleksionet e ‘Muajit të Krenarisë’ me temën e Ylberit (ngjyrat përfaqësuese të komunitetit LGBT) janë bërë të barabarta për markat e modës, por bashkëpunimi i fundit i Versace me një personazh të famshëm surprizë dallon nga të tjerët.

Këngëtarja dhe aktorja fituese e çmimit Oscar, Cher, një mike e ngushtë e stilistes Donatella Versace, ka bashkuar forcat me markën luksoze në një linjë të limituar për të mbledhur fonde për të rinjtë e komunitetet LGBT.

Të titulluar “Chersace”, bluzat, çorapet dhe kapelet paraqesin një version shumëngjyrësh të logos ikonike të Medusas. Artikulli kryesor i koleksionit është një bluzë me diamante, e firmosur nga Donatella dhe Cher dhe me çmim 3,350 dollarë. Bluzat e tjera kushtojnë 425 dollarë, me versione sportive të printuara të firmave të tyre.

“Unë dhe Donatella kemi qenë miksha të ngushta për një jetë”, tha Cher në një deklaratë për shtyp. “Ishte e drejtë që bashkëpunimi ynë i parë të ishte për LGBTQ dhe festimin e një komuniteti që do të thotë kaq shumë për të dyja ne”.

Cher është konsideruar prej kohësh një aleate dhe një ikonë për shumë në komunitetin LGBTQ. “Një ditë u ktheva në shtëpi dhe ishin këta dy burra në dhomën time të ndenjes me mamin dhe tezen time. Ata po i rregullonin flokët dhe po flisnin, dhe unë po mendoja, ‘Pse nuk kemi pasur ndonjëherë këta lloj djemsh rrotull? Sepse këta djem janë më të mirët”, tha ajo në një intervistë të vitit 2020 me Christiane Amanpour të CNN. “Kjo ishte hyrja ime në botën e homoseksualëve,” tha ajo.

Në të njëjtën intervistë, ajo foli për identitetin gjinor të djalit të saj Chaz Bono, duke thënë se nuk ishte e lehtë kur ai njoftoi se do bëhej transgjinor në 2009.

Në një postim në Twitter për bashkëpunimin me Versace, Cher shkroi, “Dashuri speciale 2 djali i mrekullueshëm Chaz”.

Një pjesë e të ardhurave nga shitjet do të shkojë për ‘Gender Spectrum’, një organizatë bamirëse e cila synon të krijojë mjedise të sigurta dhe të sigurojë burime mbështetëse për fëmijët dhe adoleshentët LGBT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al