21 Dhjetor, 2017

Cocciante mbërriti në Tiranë, sjell një duet me Elhaida Danin


Mbërriti dje në Tiranë kantautori i njohur italian, Riccardo Cocciante, i shoqëruar nga bashkëshortja, Catherine Cocciante.

Me ftesë të drejtuesve të Radiotelevizionit Shqiptar, artisti do të jetë pjesë e natës së parë të edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës. Në aeroport, Cocciante u prit nga drejtori i Festivalit të 56-të, Martin Leka.

Cocciante dhe martin leka

Siç mësohet nga RTSH, ai “ka falënderuar Radiotelevizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar, edhe një mënyrë për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist.

Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tonë, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin kur ajo fitoi ‘The voice of Italy’”.

“Ajo e meritoi dhe publiku italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me ‘Notre Dame de Paris’ në versionin francez. Do të ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin ‘Notre Dame’ në Shqipëri”, është shprehur ai.

Në natën e parë të festivalit, Cocciante do të interpretojë një nga hitet e tij më të njohura, si edhe një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al