Kazuo Ishiguro, shkrimtari britanik me origjinë japoneze, është fituesi i çmimit më të rëndësishëm letrar, i çmimit “Nobel” 2017.
Ashtu siç edhe ishte njoftuar, në orën 13:00, Akademia Suedeze shpalli emrin e fituesit. Dhe nuk ishte ai i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, që edhe këtë herë ishte në listën e shkurtër të pretendentëve për çmim. Madje, edhe gazetat prestigjioze e përmendnin Kadarenë si një fitues të mundshëm.
Megjithatë, edhe këtë herë, suedezët vazhduan me surprizat. Pas fituesit të vjetshëm, Bob Dilan, Akademia Suedeze e kishte bërë zgjedhjen e vet. Ai ishte Kazuo Ishiguro, ndonëse ndër emrat me koeficientët fitues në qendrat e basteve figuronin Margaret Atwood, Ngugi Wa Thiong’o apo Haruki Murakami. Juria e vlerësoi shkrimtarin për “një forcë të madhe emocionale në veprat e tij”.
“Është e jashtëzakonshme, një lajm tërësisht i papritur”, është shprehur shkrimtari për mediat britanike. “Ai vjen në një kohë kur bota është e paqartë për vlerat e veta, udhëheqësit dhe sigurinë e vet”, tha ai.
“Unë vetëm shpresoj që duke marrë këtë nderim kaq të madh, qoftë edhe në mënyrë modeste, të mund t’u jap kurajë të gjithë atyre që punojnë për më të mirën dhe paqen në këto kohëra”. Sara Danius, sekretare e Akademisë Suedeze, u shpreh për mediat se “ai është një shkrimtar me integritet.
Ai ka ndërtuar një univers estetik tërësisht të tijin”. Ajo i konsideroi kryevepra disa prej veprave të tij, si “The Buried Giant” dhe “Remains of the Day”. Këtë të fundit ajo e quajti “kafkian”. “Ai është shumë i interesuar në të kuptuarin e së shkuarës, por ai nuk është një shkrimtar prusian, ai eksploron mbi atë se çfarë duhet harruar për të mbijetuar si individ apo shoqëri”, tha Danius, duke shtuar se “ne zgjodhëm atë që mendojmë se është absolutisht një romancier brilant”.
Kazuo Ishiguro është bërë i njohur nëpërmjet veprave të tij si skenarist dhe fitues i “Man Booker” në vitin 1989 me romanin “The Remains of the Day”, i cili realizua si film në vitin 1993 me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Anthony Hopkins dhe Emma Thomp son. Për lexuesin shqiptar ai nuk është shumë i njohur. Në shqip është përkthyer vetëm një vepër e tij. Bëhet fjalë për “Mos më lër të shkoj”, botuar nga shtëpia botuese “Pegi”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al