26 Shtator, 2020

“Dashuri më shikim të parë me një lidere”- Aktori shqiptar rrëfen martesën në SHBA: Karakterin e gruas sime në film mund ta realizonte vetëm Meryl Streep


Nga Klotilda Harka/ Një album fotosh celebrimi ku Marko Caka shfaqet dhëndër me nusen e tij në krah nuk është skena e filmit të tij të radhës në Hoollyvood, por realiteti i bukur i jetës së tij.

Aktori shqiptar që ka arritur të prekë magjinë e Hollywood-it, duke interpretuar në mbi 80 filma të industrisë së famshme, sapo ka celebruar në New York historinë e tij me Ediolën, një lidere në profesionin e saj. Për dashurinë me shikim të parë, kapitullin e ri të jetës së tij, dhe si do të vazhdojë karriera si aktor mes yjeve të Hollyvood-it tashmë që ka krijuar familje me një vajzë shqiptare jashtë botës së artit, Marko i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

I ke befasuar miqtë pasi krejt papritur ke postuar album fotosh ku shfaqesh dhëndër. Mund ta quajmë martesë të papritur si titulli i filmit ku ke luajtur “Fast and Furious”, apo kishe kohë që bëjë plane?

Marko Caka: Nuk ishte një martesë e papritur, por e planifikuar të organizohej në përvjetorin e lidhjes sonë. Martesa dhe krijimi i familjes kanë qenë në planet e mia, edhe tani që unë gjeta partneren e jetës sime nuk kisha se çfarë të prisja më, përveç se të fillonim një kapitull të ri!

Kush është Ediola, vajza që të ka rrëmbyer zemrën? Ku e si jeni njohur?

Marko Caka: Ne jemi prezantuar nga një shoqëri e përbashkët, ku dashuria jonë lindi që me shikimin e parë. Ediola është me origjinë nga Përmeti, e lindur nga dy prindër intelektualë, por që kanë mbi dy dekada që jetojnë jashtë atdheut. E diplomuar në Britaninë e Madhe për Drejtësi, dhe me tre mastera për Biznes, për Shkencat Politike, dhe për Sipërmarrje, ajo ka 15 vjet që drejton Asamblenë Botërore të Rinisë si Sekretare e Përgjithshme. Një karrierë që e kanë vlerësuar me dhjetëra tituj dhe çmime si; lidere, inisiatore, dhe drejtuese e projekteve orientuese të politikave të Rinisë në më shumë se 140 vende te botës. Kjo është Ediola me pak fjalë, edhe unë jam shumë krenar për arritjet e saj!

Duke qenë se të kemi parë edhe në role që u përkasin viteve ‘50-‘60-’70- të, ç’lidhje ke ti si person me ato kohë. Mund të themi se marrëdhënien e jeton si në ato vite, apo si në kohët moderne?

Marko Caka: Marrja pjesë në filmat e kohërave të ndryshme me ka dhënë një tjetër dimension, për sa i përket familjes dhe vlerave që ajo përmban. Prandaj tani në dashurinë dhe në jetën tone, ne mundohemi t’i gërshetojmë të dyja kohërat për të ndërtuar një jetë plotë harmoni dhe modeste.

Tani që je i martuar dhe pjesë e kinemasë, është e vështirë të frenosh tundimet që mund të të lindin ndërsa ndodhesh në sheshxhirim me yjet e Hollywood-it?

Marko Caka: Kolegët e mi kanë qenë dhe do të mbeten të respektuar, por unë gjithmonë kam shmangur përzierjen e marrëdhënieve me koleget. Zgjedhja e partneres sime jashtë botës së spektaklit ose Hollywood-it lë të nënkuptosh gjithmonë se vlerësoj vetëm njeriun.

Nëse do e krahasoje bashkëshorten me një karakter Hollyvood-ian, sozia e kujt mund të ishte?

Marko Caka: Nuk dëshiroj ta krahasoj Ediolën me asnjë, pasi ajo është një grua inteligjente dhe shumë e kompletuar në karrierën e saj. Nëse do të luhej jeta e saj në një film, duke i njohur historinë dhe aftësitë e saj, atë të një femre lidere, mund të thosha me plot besim se e vetmja aktore, që mund ta luante karakterin e saj do të ishte Meryl Streep.

Keni plan të bëheni prindër së shpejti, dhe në ëndrrat e tua të një babai të ardhshëm të ç’profesioni e përfytyron fëmijën e parë?

Marko Caka: E kush nuk e ëndërron familjen dhe fëmijët, gjithashtu si Ediola edhe unë, e kemi prioritet për ta ndërtuar atë. Për sa i përket profesionit të fëmijëve, ata e kanë vetë atë në dorë zgjidhjen, mjafton të jenë modest dhe ne do i mbështesim në çdo përzgjedhje të tyren.

Je shprehur se se do shumë familjen, por propabiliteti nuk është i zakontë për të gjetur gruan prefekte. Po tani që i ke dhënë fund beqarisë ç’mund të thuash?

Marko Caka: Po, jam shumë i sigurt që Ediola është partnerja që unë kisha ëndërruar prandaj për mua ajo është gruaja prefekte.

Një aktor ka shpirtin e ndjeshëm të dashurojë pa interes?

Marko Caka: Në përgjithësi, aktorët që unë njoh kanë shpirt të ndjeshëm, pasi atyre u duhet të luajnë role të ndryshme dhe ndonjëherë ata i përjetojnë më tepër se ç’duhet. Megjithatë, secili ka karakterin e vet, edhe është e vështirë t’i përkufizosh dhe paragjykosh.

Sa i përket Hollyvood-it cilat role mendon se i ke ndjerë vërtet shumë, rolet që të kanë tronditur qenien, rolet që je ndjerë 100 për qind ti, dhe rolet që nuk i ke pasur shumë qejf?

Marko Caka: Rolet që më kanë pëlqyer dhe që kam qenë 100% vetvetja, janë rolet e reporterit dhe të agjentit të FBI-së. Ndërsa rolet ku nuk e kam ndjerë veten mirë, ka qenë një rol i një vampiri (zombie), dhe atë të një gangsteri vrasës.

Je duke punuar për ndonjë film të ri dhe ku mund të shohim së shpejti pas “Fast and Furious”?

Marko Caka: Për arsye të pandemisë edhe bota e filmit është e mbyllur për gati 6 muaj. Për fat të mirë, fundjavën e kaluar unë fillova sezonin e xhirimeve me një film komedi në shtetin e Maryland të SHBA-së, ku luaj rolin e një familjari fqinj.

Në listën e hollyvoodianëve që ke takuar, cilët të janë dukur engjëj dhe djaj?

Marko Caka: Përsa i përket listës Hollywoodiane është shumë e vështirë të dallosh karakterin e vërtetë ne shesh xhirime, pasi të gjithë jemi aktorë që po luajmë dikë tjetër.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al