Artisti i njohur ndërkombëtarisht Olen Cesari ka publikuar projektin më të ri muzikor të cilin e ka xhiruar në ”Statujën e Krishtit” në Rio De Zhanjero, Brazil.
Klipi është një konceptim artistik i përmasave të mëdha, një udhëtim në një vend të fshehur shpirtëror dhe introspektiv të zemrës sonë. Nën titullin “Dashuria e pastër” violinisti virtuoz përpiqet të sjellë një panoramë të një ‘dhome’ të vogël që kemi harruar se ekzistonte. Kjo është hera e parë që një artist shqiptar realizon një projekt të këtyre përmasave.
Në skenat e videoklipit shfaqen pamjet se si përcillet dashuria e një nëne për fëmijën e saj që e ndjek , duke eksploruar botën hap pas hapi dhe ditë pas dite.
Ky udhëtim është pelegrinazhi ndaj ‘Cristo Redentor’ me muzikën që ata po dëgjojnë dhe që vjen nga krahu i Krishtit. Vizioni i besimit dhe shpresa në muzikë janë boshti i klipit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al