9 Janar, 2018

Demalia, përgjigje Lakos: S’keni qenë të rrezikuar, i keni shërbyer sistemit


“Mekanizmi i shpëlarjes së truve në funksion të regjimit ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë”. Kështu shprehet analisti Ilir Demalia, si reagim i një interviste që skenaristja dhe poetja Natasha Lako ka dhënë ditë më parë, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, pjesë e së cilës ka qenë edhe ajo.

Duke komentuar përgjigjet e saj, Demalia e përfshin Lakon në listën e artistëve dhe shkrimtarëve, që i ka shërbyer regjimit me veprën e saj dhe që prapë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa lihen në heshtje figura të shquara të kulturës, mendimit dhe klerit shqiptar, si Patër Anton Harapi.

demalia

ILIR DEMALIA

NJË HAP PRANË VDEKJES

“Ajo Shqipni që kem mendue e dona unë e ti, nuk bahet me shqiptarë të sodit”. Në “Gazeta Shqiptare”, më 17 dhjetor 2017, Natasha Lako tregon se si ka qenë një hap pranë vdekjes, në vitin 90′ dhe ‘91. Intervista është fund e krye si frymë vazhdim i realizmit socialist, ku janë edukuar, kanë punuar, kanë prodhuar mostra letrare, filma, teatër e gjithçka, në shërbim ideologjik e politik të një regjimi diktatorial, nga më brutalët në botën komuniste.

Ajo që vazhdon me pafytyrësi nga e gjithë kjo armatë e shërbëtorëve të propagandës kriminale të regjimit komunist shqiptar, është se: përpos që mbrojnë veprën e realizuar në shërbim të diktaturës dhe diktatorit si një shpëlarje gebelsiane trush ndaj popullit për ta mbajtur në errësirë me artin e tyre makabër dhe të pavlerë, sot, jo vetëm që na mbahen me të madh me këtë si “art i madh dhe me vlera”, por tregojnë dhe në çfarë “rreziku për jetën” kanë qenë nga diktatura, duke na dalë që këta i dhanë shqiptarëve “Nata e parë të lirisë”, si dhe skenari i filmit të Natashës me të njëjtin titull, për hyrjen e partizanëve në Berat, në 1944.

Po t’i ndjekësh me kujdes, këta, përsëri janë trup bashkuar me njëri-tjetrin si regjim politik dhe kulturor në sundim, si vazhdimësi e së njëjtës kulturë dhe elitë, si vazhdimësi e të njëjtit shërbim, lidhjeve dhe shërbimit me pushtetin dhe me të keqen e këtij pushteti, që vazhdon si vazhdimësi e po atij pushteti, që i shërbyen dje dhe i shërbejnë dhe sot me mizantropinë e mendjeve të vogla të shërbëtorit për përfitime të mëdha, duke manipuluar dhe simuluar, duke u plastikuar operacionalisht me të shkuarën nëpërmjet gënjeshtrave dhe mashtrimeve, për përfitime të reja në çdo vakt.

Ky lloj garnizoni nuk ka asnjë lidhje me intelektualin apo artistin. Ata sot japin mesatarisht nga 4-5 intervista në vit dhe tregojnë jetën e tyre të asaj kohe, mes një terrori psikologjik nga frika e arrestimeve. Në veprën e tyre, të shpërblyer me medalje e dekorata, ata nuk kanë asgjë që të meritojnë pranga, por shokët e Kadaresë dhe Natasha Lakos tregojnë se jeta e tyre ishte në dhëmbët e diktaturës, me frikën se nga çasti në çast, ajo do t’i mbyllte nofullat.

Japin përshtypjen se frika e arrestimit i bënte ata, paradoksalisht, të kishin zili të burgosurit dhe bilebile, edhe të pushkatuarit, ngaqë ata në burgje apo në varre nuk kishin tashmë kurrfarë rrezik arrestimi! Lirinë e tyre, artistët tanë të shquar e përshkruajnë tmerr pa fund. Në intervistat e tyre, jo në gojën e gazetarit, por në përgjigjet e tyre të lira, ata e venë veten njësoj para rrezikut, vetëm distancat nga vdekja i kanë të ndryshme.

Natasha Lako, një hap pranë vdekjes! Ismail Kadare, me arkivolin të hapur! Mund të vazhdohet pafund kjo listë e regjimit të djeshëm me vazhdimësinë sot, si tregues i qartë se komunizmi jo vetëm nuk ka rënë në Shqipëri, por është edhe më i fortë me uniformën e re të demokratkarikaturës shqiptare dhe vazhdimit të shpëlarjes së truve të shqiptarëve. Po ta ndjekësh me kujdes, shqiptarët dhe fatkeqësisht, mosha që nuk ka kuptuar atë kohë, pëlqejnë atë art dhe atë muzikë!

Mosha që e ka jetuar e tregon akoma dashurinë dhe nostalgjinë dhe vlerësimin e prodhimit të shërbimit ideologjik e politik të diktaturës nëpërmjet shkrimtarëve, artistëve si ndihmës të partisë. Kjo tregon se mekanizmi e shpëlarjes së truve në funksion të regjimit ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë. Sa kanë “vuajtur” këta intelektualë, artistë, shkrimtarë?!! Asgjë nuk është burgosja e qindra të rinjve që shprehnin ndonjë gjë letrare në kundërshtim me vijën e realizmit socialist dhe dënoheshin me ekspertizat e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve në burgjet e Spaçit, Burrelit, Qaf Barit, në kushte kafshërie e torturash.

Para dy ditësh ishte 130-vjetori i lindjes së mendimit më të kualifikuar filozofik, shkrimtarit, atdhetarit, publicistit, meshtarit Patër Anton Harapi, që trandi çdo ndërgjegje me fjalët e tij të fundit në gjyq, e ne akoma nuk kem mësue kurrgjë si moral shoqnor dhe model kurajoje qytetare në bindje e drejtë- si: “Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe, asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë, por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”

E kur prokurori Misto Treska, i nderuar dhe ky nga presidenca si “NDERI KOMBIT”, po çonte Patër Anton Harapin drejt pushkatimit, në një natë me shi dhe suferinë, diku në kodrat e Tiranës, pranë malit të Dajtit, padre ngrinte veladonin me mos ju stërkalë në baltë. Misto Treska i thotë: -Pse po ruhesh Patër? Në baltë ke me shkue mas pak. Padre i gjegjet: – Atje ku të shkoj biri jem, du me shkue i papërlyer, si kam kenë tan jetën teme. Asnjë fjalë nga kurrkush, se shteti jo e jo, në 130-vjetorin e lindjes Patër Anton Harapit para pak ditësh! Për marren e saj, për imoralitetin e atyne që drejtojnë Kishën Katolike Shqiptare si bisht i politikës, e them këtë se; mbajnë të njëjtin qëndrim si politika e majtë dhe e djathtë, si arti, kultura, intelektualët e shërbimregjimeve, historianët e regjimeve si vazhdimësi regjimi, pra: dhe Kisha Katolike Shqiptare, jo vetëm nuk ka dhanë një meshë për Patër Anton Harapin, por e quajnë ende kolaboracionist, njeriun që shkoi drejt dekës për Krishtin mbret e për Komb të vet. Turpi e ka mbulue Kishën Katolike sot me këtë vazhdimësi. Asgjë nuk është as pushkatimi i dy gazetarëve të TVSHsëm Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, si model kurajoje, intelektualizmi, integriteti e dinjiteti. Ata nuk vuajtën!!!

Ata i drejtuan një letër Enver Hoxhës nga burgu i Spaçit, duke e pasur të qartë çfarë i pret. Filluan me këtë frazë aktuale ende sot: “Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (për flamurin, për atdheun, për trojet e shenjta etj., etj.), ai as nuk ka vdekur dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky mendim permanent dhe politik bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e kolltukëve obskurantistë të shumë mbretërive e sundimtarëve të së kaluarës dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta udhëheqës e të zgjedhur të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë e barazisë.” Nuk ka një fotografi të tyre në TVSH.

Nuk ka varr për ta. Nuk ka respekt për ta. Nuk ka kurrgja për ta. Pse? Se ata na dhanë shembull morali e kurajoje për të qenë të lirë. Sindromi Stokholmit ndër shqiptarë është bërë gjenetik e kronik. Shqiptarët përsëri sundohen nga armata propaganduesve e regjimit komunist në art e kulturë, i përqafuar nga turma me tru të shpëlarë. Në vjetin 1934, në një letër që At Gjergj Fishta i dërgon Mit’hat Frashërit, ndër të tjera, i shkruen: “Ajo Shqipni që kem mendue e dona unë e ti, nuk bahet me shqiptarë të sodit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al