19 Prill, 2022

Dënohet shitësi i drogës i cili shpërndau pilulat që i morën jetën Mac Millerit. Ja sa vite burg do të bëjë ai


Një nga personat i cili i shpërndau këngëtarit të ndjerë, Mac Miller, pilulat me fentanil që çuan në mbidozën e tij është dënuar me 10 vjet e 11 muaj burg.

Ryan Reavis, i cili u deklarua fajtor për një akuzë të rëndë të shpërndarjes së fentanilit, ishte një nga tre të akuzuarit për mbidozën fatale të reperit në shtator 2018.

Sipas ‘Rolling Stone’ , Reavis, 39-vjeç, kërkoi një dënim pesë-vjeçar, duke pretenduar se ai ishte thjesht një ndërmjetës dhe nuk e kishte idenë se pilulat që ai furnizonte ishin të tilla. Prokurorët kërkuan dënimin e tij me 12 vjet e gjysmë.

Përpara se gjyqtari të jepte dënimin e Reavis të hënën, nëna e Millerit, Karen Meyers, iu drejtua gjykatës:

“Jeta ime u errësua në momentin që Malcolm u largua nga bota e tij. Malcolm ishte më shumë se një djalë. Kishim një lidhje të fortë, të veçantë dhe të pazëvendësueshme. Ne flisnim pothuajse çdo ditë për gjithçka, jetën, planet, muzikën, ëndrrat e tij”

Ajo këmbënguli se djali i saj i ndjerë nuk do të merrte kurrë me vetëdije një pilulë me fentanil. Ai donte të jetonte dhe ishte i emocionuar për të ardhmen.”

“Boshllëku në zemrën time do të jetë gjithmonë aty,” shtoi ajo.

Reavis u arrestua në shtator 2019 pasi policët bastisën shtëpinë e tij në Liqenin Havasu City dhe gjetën një bllok me recetë të mjekut, pilula të paspecifikuara të disponueshme vetëm me recetë, mjete droge dhe një sasi “të përdorshme” marihuane.

Reavis u deklarua fajtor në nëntor 2021, ndërsa Stephen Walter, i cili gjithashtu u akuzua për një akuzë të rëndë të shpërndarjes së fentanilit u deklarua fajtor, por ende nuk është dënuar.

Ndërkohë, çështja për të tretin që u akuzua, Cameron Pettit, është ende në vazhdim.

Miller vdiq në moshën 26 vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles nga një mbidozë e alkoolit, kokainës dhe fentanilit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al