Me globin para, ish-miss Rovena Domi i ka vënë qëllim vetes të shkelë në çdo vend të botës, aq sa t’ju sugjerojë vendet që ia vlejnë të vizitohen si turistë bohemë apo shpirt i dashuruar.
Rovena Domi, missi që solli çmimin “Miss Fotozhenia” në Shqipëri, me përfaqësimin e vendit në “Queen of the World 2010” në Nurburgring të Gjermanisë, ka zbuluar sekretin e lumturisë, që është liria e vajzës së pavarur.
Pasi ka shijuar Maldivet, Seychelles, Dubain, Aruban, në këtë periudhë izolimi për shkak të pandemisë udhëton drejt Stambollit.
Për sekretin e pamjes si modele kopertinash, miqësitë me personazhe të njohur të Milanos, dhe idesë së saj se si mund të ekzistojë një martesë e gjatë dhe e lumtur në këto kohë moderne, Rovena rrëfehet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Rovena gjithmonë ndryshon lokacioni në fotot e tua, ku fillon dhe ku mbaron liria e një vajze të bukur si ty?
Faleminderit për komplimentin, e vlerësoj shumë! Liria është gjëja më e çmuar që një person mund të ketë. Nëse nuk ndihesh e lirë me veten, nuk je e lumtur! E duket se bën vërtet jetë të bukur.
Po si është ta kalosh jetën në udhëtime?
Udhëtimet janë ndër gjërat që bëj me më shumë pasion dhe dëshirë. Janë një relaks më vete për mua.
Kjo do të thotë që ke udhëtuar dhe në këto kohë të vështira pandemie?
Kam udhëtuar në Stamboll këtë periudhë, pasi është i vetmi vend që vijon të jetë i hapur.
Nga udhëtimet e tua të shpeshta, cilat janë vendetqë të kanë lënë vërtet mbresë, ato që do të sugjeroje të vizitoheshin vetëm, çift apo me me shoqërinë?
Qytetet në Europë si Viena, Milano, Berlini, Parisi, i kam vizituar më së shumti dhe kaloj gjithmonë bukur. Ndërsa si pushime në çift do sugjeroja Maldivet, Seychelles, Dubai, Aruba.
Nga takimet e tua me vajza apo djem me emër dhe peshë në Europë, kush të ka bërë më shumë përshtypje?
Jam natyrë e rezervuar. Kam shoqërinë, miqësitë e mia të ngushta, sidomos në Milano. Do të veçoja miqësinë me Philipp Plein.
Ndodh që të bëjnë oferta për promocione në “Instagram”, a të interesojnë?
Po, është e vërtetë. Marr shumë oferta promovuese në “Instagram”, të cilat i vlerësoj tejmase.
Njihesh si miss e modele, por je diplomuar për të ushtruar profesionin e juristes. Çfarë do gjykoje perfekte në zgjedhjen për martesë të një vajze të bukur dhe si miss ç’do të dukej jo e drejtë në vendimet e një juristeje?
Në një martesë mjafton të jesh e lumtur dhe kjo është më e rëndësishmja. Të jesh juriste në profesion, i gjykon zgjedhjet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me objektivitet. Ajo çfarë është e drejtë në pikëpamjen e një juristeje, nuk është e njëjta gjë në atë të një ish-missi.
Sukses për një vajzë të zgjuar është të martohet me një burrë të pushtetshëm dhe të pasur, por jo besnik apo mashkullin besnik që të mban me fjalë të bukura?
Suksesi është që në një marrëdhënie martesore të ekzistojë lumturia. Nuk shërben për asgjë pasuria nëse nuk ka besim dhe respekt reciprok mes njëri-tjetrit.
Sekreti yt për të qëndruar në formë, e re dhe energjike në çdo kohë e në çdo moshë?
Kujdesem shumë për look-un dhe jam e fiksuar pas estetikës dhe palestrës. Por dua të theksoj se niveli dhe stili i jetesës është sekreti i gjithçkaje.
E ardhmja është në dorën tënde apo të fatit? Ç’plane bën për të dominuar si vajzë biznesi?
Nuk bëj plane aktuale, ia lë të ardhmes të vendosë.
Panorama Plus/ Nga Klotilda Harka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al