15 Mars, 2022

Dua Lipa bën histori në “Billboard”, ja rekordi i ri i artistes shqiptare


Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, vazhdon të thyejë rekorde dhe të shënojë suksese të njëpasnjëshme. Në mesin e shumë hiteve që kanë shënuar karrierën e saj të bujshme artistike është edhe kënga “Levitating”, që është pjesë e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”.

“Levitating” jo vetëm që është ndër më të klikuarat dhe trend në rrjetet sociale por është bërë kënga e parë e një artisteje femër që ka qëndruar më së shumti në top-listën e “Billboard Hot 100”.

Projekti muzikor i Duas ka qëndruar gjithsej 70 javë, duke lënë pas hitin e vitit 1997-1998 të këngëtares amerikane LeAnn Rimes “How Do I Live” që qëndroi për 69 javë në top-listë.

“Levitating” është gjithashtu kënga e pestë që ka qëndruar më së shumti në top-listë në gjithë historinë e klasifikimeve. Shumë e lumtur nga ky sukses artistja e ka ndarë lajmin edhe me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Dua aktualisht ndodhet në turneun “Future Nostalgia”, koncertet e të cilit fillimisht kanë nisur në SHBA, për të vazhduar më pas edhe në pjesët e tjera të botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al