7 Qershor, 2022

Dua Lipa ‘ndez’ Portugalinë, artistja shfaqet me veshjen ikonike të turit të saj


Dua Lipa po vijon turin e saj “Future Nostalgia” në Europë dhe i ka lënë të gjithë pa fjalë me paraqitjet.

Dua u shfaq në skenë me kostumin e saj të ngushtë rozë, teksa performoi në Lisbonë. Këngëtarja, 26 vjeçare, nxori edhe një herë në pah format e saj me veshjen që ka qenë një element kryesor në turneun e saj mbarëbotëror.

Jumpsuiti i saj rozë është i qëndisur dhe përmban gjithashtu doreza të gjata, një look tipik që ia kemi parë shpesh në turin e saj edhe në ngjyrën jeshile fosforeshente. Edhe këtë herë Dua zgjodhi të vinte sa më natyrale me flokët e drejtë të lëshuar dhe një makeup minimalist, shoqëruar me një palë vathë argjendi.

Ylli i popit dominoi skenën gjatë mbrëmjes me një mori lëvizjesh energjike kërcimi. Më vonë, ylli u gjunjëzua teksa këndoi me pasion një nga hitet e saj më të famshme.

 Turneu i saj pritet të përfundojë në nëntor në Perth, Australi.“Future Nostalgia” në mars 2021 fitoi çmimin Grammy për ‘Albumin më të mirë vokal pop’ dhe kënga e tij kryesore “Don’t Start Now” arriti super suksese, duke përfshirë nominimet e Grammy për ‘Regjistrimin e Vitit’, ‘Kënga e Vitit’ dhe ‘Performancën më të Mirë Solo Pop’.

Sakaq, së fundmi Dua është përfolur për një lidhje me aktorin Arón Piper, i cili luajti rolin e Ander Muñoz në një nga serialet më të preferuar në Internet, Elite. Pas performancës së saj në Madrid pak ditë më parë dyshja janë parë në një klub nate. Së bashku dhe shumë të afërt dy artistët vazhduan festën, duke shijuar në maksimum kërcimin, përkëdheljet dhe shikimet mes njëri-tjetrit. Po ashtu më pas u fotografuan duke dalë nga i njëjti hotel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al