4 Gusht, 2022

Dukagjin Lipa flet pak orë para “Sunny Hill”: Gërmia s’ka qenë dëshira jonë për të mbajtur festivalin. Ja arsyeja


Babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, Dukagjini Lipa, ishte në një konferencë për mediat së bashku me këngëtaren dhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Babai i këngëtares Dua Lipa, Dukagjini, foli rreth festivalit “Sunny Hill” i cili nis dot dhe do të vazhdojë deri më 7 gusht.

Ai përmendi pandeminë COVID-19 e cila e ndaloi festivalin për dy vjet, por u shpreh i lumtur që u rikthye duke sjellë në Kosovë artistë më të mëdhenj të muzikë moderne.

“Në të gjithë botën kemi pasur një ndalesë të madhe, çdo gjë është ndërprerë në mendjen tonë, që asgjë s’do të organizohet më si përpara, por ja ku jemi. Pas dy vitesh po organizojmë festivalin më të madh në rajon, festivalin me emrat më të mëdhenj të muzikës moderne”- tha Dukagjin Lipa.

“Në vendin kur e gjithë Evropa nuk e pret organizmin e një festivali të tillë, një vend që ka pasur trazira dhe që vazhdon të ketë trazira. Një vend i cili me dekada kapërcen në probleme pak me fajin e fqinjëve pak me fajin tonë, por ia dalim gjithmonë duke u mbështetur në pjesët pozitive”– shtoi më tej ai.

Lipa tha se Parku i Gërmisë nuk ka qenë dëshirë e tyre për t’u mbajtur festivali këtë vit, duke shpejguar edhe arsyen.

“Gërmia s’ka qenë dëshira jonë për ta mbajtur festivalin, sepse përveç që është parku i qytetit, është hapësira më e vështirë të organizohet një festival i përmasave të tilla, pa ndihmën e policisë kishte me qenë e pamundur. Për të gjithë ata që duan të vijnë, duhet ta dinë që është hapësira më e ruajtur dhe më e sigurt”, tha Lipa

Nga ana tjetër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur shumë i emocionuar teksa po qëndronte krah Dua Lipës.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për media, ai iu drejtua Lipës me “faleminderit që je këtu, dhe ke dashuri për vendin dhe popullin tënd”.

“S’mund t’i përshkruaj emocionet që i kam tani për këtë ditë fantastike nën shoqërinë e Dua’s që iu bashkëngjit shtëpisë së vet. Faleminderit Dua që je këtu dhe ke dashuri për vendin dhe popullin tënd. Ke pasur prindërit e mirë që të kanë edukuar mirë, faleminderit edhe ty (Dukagjin Lipës)”.

Më tej, Rama e falënderoi Lipën edhe për promovimin që ia bën vazhdimisht Kosovës, duke thënë se njerëz si ajo, kontribuojnë më shumë se çdo diplomatë dhe i gjithë shteti, në promovimin e vendit, kulturës dhe traditës.

“E di që do kemi sonte dhe ditët e tjera performanca fenomenale, përkundër faktit që Kosova po ndihet e izoluar për shkak të mosliberalizimit të vizave, megjithatë Prishtinë është transformuar në një qendër kreative që duke falënderuar njerëz të mëdhenj shqiptarë, artistë të mëdhenj si Dua që kanë dalë jashtë vendit, mirëpo dashuria për vendin i ka mbetur, dhe vijnë mbrapa për të kontribuuar ndoshta më shumë se çdo diplomat, më shumë se krejt shteti në promovimin e vendit, kulturës dhe traditës, faleminderit Dua për gjithçka çfarë bën për vendin tonë”, u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al