Dy fëmijët e këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Ana Oxa, kanë marrë nënshtetësinë shqiptare.
Të shoqëruar nga nëna e tyre, Ana Oxa dhe kantautori Ardit Gjebrea, Qazim Belleno dhe Francesca Belleno u betuan sot para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si shtetasit më të rinj të Republikës.
“Jam shumë i lumtur që Ana ka këmbëngulur që dy fëmijët e saj të marrin shtetësinë shqiptare dhe më kujton atë kohë të vjeter, kur shumë prej nesh linin shtetësinë shqiptare për të marrë një shtetësi të huaj. Kohët kanë ndryshuar, ndaj sot jam shumë i lumtur që kemi dy shtetas të rinj dhe dy qytetarë të rinj të Tiranës. Shumë suksese dhe shumë urime”, theksoi Veliaj.
Pas betimit, Qazim Belleno u shpreh se është i befasuar me zhvillimin që ka pësuar Shqipëria duke gjetur një Tiranë totalisht të ndryshuar.
“Unë kam qenë këtu disa vite më parë dhe kur erdha këto ditë, mbeta i befasuar për zhvillimin që ka pësuar Shqipëria. Kam gjetur një qytet totalisht të ndryshuar”, deklaroi ai.
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Ana Oxa, deklaroi se ky nderim është shumë i rëndësishëm për familjen e saj, e cila rrënjët i ka këtu.
“Unë kam qenë gjithmonë shqiptare. Mjaftonte përfundimi i këtij procesi për të sjellë edhe fëmijët e mi dhe mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm për mua, sepse përtej asaj që mund të nënkuptojë një pasaportë, ka një kuptim më të thellë. Është një nderim për jetën, historinë dhe trashëgiminë e një populli përmes babait tim”, tha ajo.
Vajza e Ana Oxës, Francesca, u shpreh se një nga gjërat që ka vlerësuar gjithmonë tek Shqipëria është mirësia e popullit shqiptar dhe lidhja e fortë me vendin.
“Kam qenë në tokën e gjyshit tim. Për mua, ka qenë një përvojë që më ka mbetur në zemër, një gjë shumë e rëndësishme që e gjej gjithmonë tek çdo shqiptar që takoj: mirësia, dashuria për njerëzit, për vendin, sidomos për vlerat”, deklaroi ajo.
Këngëtarja, aktorja, dhe prezantuesja televizive në Itali, Ana Oxa ka marrë nënshtetësinë Shqiptare në vitin 2020.
Ana lindi në Bari më 28 prill 1961, nga një nënë italiane dhe baba shqiptar (Qazim Hoxha).
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al