22 Dhjetor, 2019

“E dinim që në fillim për çiftin fitues të ‘DWM’”, Valer Kolnikaj: Bota e show-t e mbushur me maska dhe falsitete. Era Rusi kërceu me keq nga të gjithë, por…


/KLOTILDA HARKA

Një tjetër aventurë televizive për Valer Kolnikajn, i cili në Malësi të Madhe bën mjekun, ndërsa në Tiranë showman-in.

valer2

Thotë se me Stela Kotrin kanë qenë ‘çifti zjarr’ në skenën e “Dance with me”, një eksperiencë që e dëshironte pas pengut që i mbeti nga ”Dancing with the stars”.

Për “Panorama Plus”, ai rrëfen të përbashkëtat mes partneres bionde në skenë dhe partneres brune në jetë, prapaskenat e garës dhe përballjen me jurinë, e gjithçka nga jeta e një babai që me vrapin e kohës ia del t’i bëjë të gjitha.

Si ishte kjo eksperiencë e fundit në televizion si kërcimtar i “Dance with me” me Stela Kotrin?

Valer Kolnikaj: E doja shumë këtë eksperiencë kërcimi dhe e kisha peng që në edicionin e parë, që m’u desh ta refuzoja për të shkuar te ‘Dancing with the Stars”, pasi më erdhën dy ftesat njëkohësisht sapo dola nga “Big Brother”. Dhe jam shumë i lumtur e me fat që e përjetova këtë magji në çift me Stela Kotrin. Stela është solare, inteligjente, e bukur, me shumë personalitet e karakter, pa diskutim ishte surpriza e këtij viti në kërcim. Stela i duhet ekranit shqiptar.

valer

Të vish nga Malësia e Madhe, ku punon si mjek, për të marrë pjesë në një show televiziv kërcimi. A është ndjesi e bukur apo torturuese?

Valer Kolnikaj: Është pafund e bukur, pasi janë pikërisht vështirësitë e sfidat që ua japin veçantinë e momenteve. Unë njihem si personi superkorrekt e i përpiktë me çdo person të produksioneve (ata që nuk kanë punuar kurrë me mua mendojnë të kundërtën (qesh), dhe jam gjithmonë në vrap, e gjithë përditshmëria ime është larmishmëri.

Si e ndjeve veten në garë me personazhet e tjerë publike dhe a mund ta komentosh secilin çift?

Valer Kolnikaj: Sa për kërcimin nuk i kisha në listë asnjërin nga konkurrentët që në fillim, por as për popullaritetin e famën (disa ishin figura të reja dhe disa të tjerë kishin shumë vite që kërkonin një moment t’u shndriste ylli). Dominimi u theksua kur u pa që në krah kisha Stelën, që ishte bombë në kërcim, dhe s’kishte çift që të na rivalizonte, kjo edhe për shkakun e kombinimit jo të mirë në çifte. Në disa çifte kishte personazhe që vërtet kanë shkëlqyer në çdo javë, por jo partneret e tyre që i penalizonin. Flori Agalliu e Eliona Pitarka do ishin çifti perfekt për t’i pasur konkurrentë.

Po përballjen me jurinë, si e përjetove? Pati momente kur nuk more atë që meritoje?

Valer Kolnikaj: Juria është treguar tepër e mirë më të gjithë, ishte fantastike, por vetëm se ne na ka masakruar me pikët, dhe kjo ndodhte vetëm për t’u bërë qejfin konkurrentëve që ishin keq në kërcim. Kam duruar shumë, por dhe ua kam thënë një moment pasi po e tepronin. Duke i ditur mirë disa gjëra që nuk thuhen, nuk i vumë faj jurisë pasi presionet e manierat e konkurrenteve (edhe duke u qarë) ndaj produksionit e jurisë ishin tepër. Ata që s’dinin të kërcenin sidomos, kërkonin pikë e vlerësime dhe ishin shumë të zotët për këto gjëra.

valer1

Kur je në Tiranë, çfarë të mungon nga jeta në rrethe? Po kur je larg, çfarë të mungon nga jeta në periferi?

Valer Kolnikaj: Kur jam në Malësi, më mungon vetëm një gjë, aventura në televizion. Kurse kur jam në Tiranë më mungon gjithçka e mirë që vetëm në Malësi e gjej: familja, puna me pacientët e kolegët, ajri, uji, ushqimet, njerëzit e gjithçka. Pra, kur vij në Tiranë për aventura televizive, sakrifikoj shuuumë.

Bota e show-t në televizionet shqiptare në perceptimin tënd është një ballo me maska, apo një festë e paturp me njerëz të zhveshur para njëritjetrit?

Valer Kolnikaj: Bota e show-t në televizionet shqiptare është dominuar nga maskat e falsiteti. Po të kalonin në sitën e “Big Brother” (që janë të izoluar dhe gjatë në kamera) publiku do të llahtarisej nga ata që mbahen si “engjëj”. Unë shpeshherë ua them në sy ca gjëra të bukura kur më dalin para (qesh).

Me çfarë shije mbete nga kjo eksperiencë televizive dhe kush e fiton garën?

Valer Kolnikaj: Me shijen më të mirë të mundshme për çdo person të produksionit të dyshes Vera Grabocka e Alketa Vejsiu, janë vërtet të mira ato dhe stafi. Koreografi Albi Nako me balerinët e tij, Alba Hoxha, Franko e Erindi etj., na kanë dhuruar xhevahire në kërcimet javë pas jave. Kush fiton? A të jem dhe këtu realist? Ok. Ne të gjithë e dinim që në start që fitues do të ishin Flori Agalliu e Era Rusi, por nëse ka ndonjë person që i shtrëngoj dorën dhe i them bravo, ai është Florian Agalliu.

Por nuk mund të them të njëjtën gjë për Era Rusin. Ajo është personi që ka kërcyer më keq nga të gjitha femrat konkurrente, por me plot gojën them që çmimin e parë e meriton në këngë me zërin fantastik që ka.

Eliona Pitarka dhe Flori janë të vetmit që u shtrëngoj dorën dhe u them bravo, meqë për mua e Stelën s’po flasim se dihet që ishim zjarri i “Dance with me”. Si ndihemi ne? Njësoj si Era Rusi në festival, kur çmimin gjithmonë ia marrin ato që kërcejnë më bukur e jo ato që këndojnë më mirë se ajo.

valer3

Çfarë komenti të bëri bashkëshortja për performancat dhe si është të jetosh me një brune e të kërcesh me një bionde?

Valer Kolnikaj: Bashkëshortja dhe kushdo që ka ndjekur këtë vit “Dance with me” ka thënë fjalët më të mira për mua e Stelën javë pas jave, pasi vërtet që i kemi vënë flakën skenës. Merita për gjithë energjinë zjarr e sigurinë time në skenë, sigurisht që shkon për bashkëshorten e prindërit, pasi gjatë kohës që jam pjesë e aventurave televizive, ata kujdesen për djemtë e mi e gjithçka e unë jam i qetë t’i bëj gjërat mirë. Sa për pyetjen (qesh), Stela ngjan me bashkëshorten time te fisnikëria, forca e personalitetit, të qenit familjare e mirë etj. dhe është shumë bukur t’i shohësh këto te femrat në ditët e sotme, ku mbizotëron materializmi, bukuria sipërfaqësore, falsiteti e dobësia.

Sa e ka koston jeta e një personazhi publik dhe a të ndodh ndonjëherë të mbetesh pa para në xhep?

Valer Kolnikaj: Jeta e një personazhi publik sigurisht që kushton, por kemi edhe favorizime në maksimum vetëm që u përmendim emrin apo i bëjmë tag dikujt që i duhet reklama. Nuk po më kujtohet të kem mbetur ndonjëherë pa aq para sa më duhen mua, veç po të kem ndërruar pallto (qesh).

Si mjek në profesion, mund të na zbulosh disa sekrete antimoshë apo jetëgjatësie?

Valer Kolnikaj: Aktivitet e sport, ajër të pastër e ushqim bio, ujë bjeshke, njerëz të bukur e të mirë përreth vetes. Dashuroni, duajini të tjerët, buzëqeshni dhe bëhuni fjalëmirë. Gëzuar! /Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al