Jeta e Angela Martinit ka ndryshuar shumë në katër muajt e fundit. Modelja shqiptare dhe bashkëshorti i saj rumun, Dragos Savulescu janë bërë prindër të herë të parë.
Djali i saj Kyree erdhi në jetë nga një nënë zëvendësuese, por Angela ka treguar se që në momentin kur lindi e ka ndjerë lidhjen e fortë me të.
Modelja ka ndarë një postim në llogarinë e saj në Instagram ku ka treguar edhe një fakt të cilin nuk e kishte shprehur mëparë në asnjë intervistë apo status në rrjetet sociale. Ajo shkruan se fëmija i tyre ishte ngjizur që në vitin 2018 dhe ajo dhe bashkëshorti i saj kanë pritur tre vite për të gjetur një nënë zëvendësuese.
“I dashuri im Kyree, që kur linde ti, që në momentin që u krijove, ne i thyem së bashku të gjitha rregullat. Ti je kaq avangard për kohën tënde dhe të premtoj se do të vazhdojmë kështu deri në fund të jetëve tona. Ps. Fakt për të qeshur: Kyree në fakt u krijua përpara verës së 2018. Ai priti si një embrion në ngrirje deri sa filloi udhëtimin me nënën surrogate, gati tre vjet më vonë në 2021”, ka treguar Angela.
Djali i tyre, Kyree lindi në 2 dhjetor 2021 nga një nënë zëvendësuese në Dallas të SHBA.
“Ndihem e përmbushur dhe kam nevojë të jap shumë dashuri”, tha Angela Martini për “Blick”. “Ndjeva lidhjen e fortë me djalin që në momentin kur erdhi në jetë, është e vështirë ta shpjegosh me fjalë.”- tha ajo në një intervistë të dhënë më parë.
Ajo rrëfeu edhe arsyen përse zgjodhi të sjellë në jetë fëmijën me nënë zëvendësuese:
“Për shumë arsye personale, vendosëm që fëmijën ta sjellim në jetë me nënë surrogate. Unë e di se sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Evropë për sa i përket ligjshmërisë dhe kulturës. Por në këtë mënyrë ne mund të zgjidhnim gjininë e fëmijës sonë. Ishim në gjendje të bashkonim vezët dhe spermatozoidet tona më të forta dhe më të shëndetshme, duke eliminuar alergjitë, sëmundjet autoimune, rreziqet e kancerit e kështu me radhë.”
Ndër të tjera ajo tregoi edhe se si ka ndryshuar rutina e saj pas lindjes së Kyree dhe si e menaxhon kohën.
“Ka të bëjë me gjetjen e mënyrës së duhur për të kombinuar prindërimin me aktivitetet e tjera, si puna, që ju nevojiten në jetë. Mendoj se kam gjetur ekuilibrin”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al