2 Qershor, 2022

“E vendosin një vit para emrin për Eurovision”/ Vëllezërit Prifti shpërthejnë në akuza ndaj Festivalit të Këngës: Këto gjëra artistët nuk i thonë sepse…


Stefi dhe Endri Prifti konkurruan në festivalin e RTSH-së vitin e kaluar me këngën “Triumfi i jetës”, por nuk arritën të renditeshin as në 4 vendet e para.

Fituese e Festivalit të Këngës 2021 u shpall Ronela Hajati me “Sekret”, ndërsa vendin dytë e zuri Alban Ramosaj.

Kritika të shumta ka pasur për renditjen e Ronela Hajatit në vendin e parë, për shkak të tekstit të këngës së saj. Stefi Prifti, ishte një nga kritikët e këngës së Ronela Hajatit, i cili me irioni “duartrokiti” jurinë për vendimin e tij.

“Çfarë degradimi”, shkroi ai askohe, duke i bashkangjitur postimit një pjesë të tekstit të këngës “Sekret”.

Në një intervistë të dhënë së fundmi së bashku me vëllain e tij Endri Prifti, ata folën në lidhje me festivalet dhe dhënien e çmimeve.

“Kur vjen puna për çmimin e parë, të gjithë e duan dhe e kërkojnë. Ne kemi pasur dy raste që ishim me të mirët për të fituar çmimin e parë, një me këngën “Ti se meriton” dhe këngën e Endrit e cila u zgjodh si balada më e mirë. Juria për këngën “Ti se meriton” ishte për çmim të parë, por festivali ka një pronar dhe ai thotë çmimin e parë do e ndajë unë, ndërsa për të tjerat i keni ju në dorë. Këto gjëra artistët nuk i thonë se ne jetojmë një botë të vogël dhe nesër pasnesër do t’i trokasin prap në derë”, tha Stefi në “Abc e Mëngjesit.”

Në mbështetje të vëllait të tij, Endri Prifti shtoi:

“Ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis as me kolegët dhe as me jurinë. Nuk themi asnjëherë na vendos pikë”

Duke pasur parasysh reagimet e tyre në lidhje me festivalin e RTSH-së, ata u pyetën edhe në lidhje me çmimet që fitohen atje.

“Mblidhet byroja te RTSH dhe vendosin që tani kë do dërgojmë vitin tjetër në Eurovision, gjejnë një emër dhe e çojnë. Këtë ta garantoj unë se ecin me paramendim. Unë po flas që konkurenca të jetë dinjitoze, e vërtetë dhe vlerësimi të jetë më i mirë”- thanë ndër të tjera vëllezërit Prifti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al