15 Nëntor, 2017

E vërteta e ‘censurimit’ të këngës së Kastro Zizos, reagon zëdhënësja e festivalit


Gazetarja Kozeta Kurti në cilësinë e zëdhënëses së festivalit të fundvitit në RTSH ka reaguar lidhur me denoncimin e qytetarit dixhital që publikoi ish-kryeministri Berisha sipas të cilit kënga e Kastro Zizos ishte censuruar duke mos u kualifikuar për të qenë pjesëmarrëse në festival.

Ajo ka shpjeguar se kënga e Kastro Zizos nuk e kaloi fazën e parë kualifikuese dhe se kjo çështje nuk duhet të politizohet. Kujtojmë se edhe vetë këngëtari Kastro Zizo reagoi dje duke u shprehur se kënga e tij nuk duhet të përdoret politikisht.

Deklarata e plotë e saj:

“Mos i përdorni artistët politikisht!

Gjatë ditës së sotme, mediat janë fokusuar në një status të Z. Sali Berisha, sipas të cilit Kastro Zizo është përjashtuar nga edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës për shkak të tekstit politik.

Kënga e Kastros nuk është përjashtuar nga Festivali. Ajo nuk ka kaluar këtë fazë të garës, njësoj si edhe afro 40 këngë të tjera, për të cilat do ishte absurde, demotivuese, detajimi i arsyeve të skualifikimit.

Komisioni i përbërë nga:

Luan Zhegu

Makelian Kapedani

Ben Andoni

Edmon Rrapi

Sokol Marsi

kanë votuar secili në mënyrë të pavarur dhe mbajnë përgjegjësi personale për integritetin e tyre profesional.

Çdokush është i lirë të mbrojë krijimtarinë e tij artistike, por askush nuk ka të drejtë të ndot artin me politikën. Kësaj të fundit i del teatri në të cilin interpreton çdo ditë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al