28 Tetor, 2017

Edhe Luana Vjollca me program të personalizuar: “Pse rikthehem ndryshe sot në ekran”


Luana Vjollca rikthehet sot në ekran si moderatore e formatit “Shiko kush Luan”, një titull emisioni ky që është perceptuar në publik si i personalizuar, pasi mund të gjeni emrin e saj në emërtimin e emisionit. Nga sot në mbrëmje, në orën 20:50, në “Top Channel”, Luana do të jetë në garë audience me Ermal Mamaqin, i cili ka nisur më herët sezonin në “Klan” me “Xing me Ermalin”.

E ftuar në studion e “Wake Up”, Luana Vjollca dha disa detaje mbi show-n “Shiko kush Luan”, nga pozitat e bashkautores së programit. Ajo tregoi duke qeshur se si shefe e produksionit, një nga pjesëtaret e stafit i ka thënë se është si gjeneral në punë. Luana zbuloi se në puntatën e parë të programit sot në mbrëmje do të luajnë artistët: Kresha, Lyrical Son dhe Jonida Maliqi.

Gjithashtu, u shpreh se e ka zgjedhur veshjen e saj, që do të jetë e bardhë. Gjithsesi, sipas Luanës, vëmendja nuk do të jetë se çfarë ka veshur vetë ajo, por te dy velinat e programit, që do të zgjasë 90 minuta dhe “do të bëhet më i nxehtë me kalimin e kohës”. “Jam shumë e lumtur që publiku po na pret. Shpresoj që të shpërblehet kjo pritje”, u shpreh Luana.

Pas karrierës saj si velinë, moderatore dhe si këngëtare, Luana ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm. Ajo tashmë ka hapur faqen e saj zyrtare në internet. Në faqet e saj gjendet edhe një biografi profesionale dhe artistike e Luanës, në të cilën mund të mësoni më shumë rreth jetës së saj si showgirl.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al