Teksa Britania e Madhe është duke bërë përgatitjet e fundit për dasmën e vitit më 19 maj, këtë të shtunë, duket se një prej personave më të rëndësishëm nuk do të marrë pjesë në ceremoni.
Është pikërisht babai i Meghan Markle, Thomas, për të cilin mediat ndërkombëtare kanë qenë shpesh herë kontradiktorë nëse do të jetë i pranishëm apo jo në dasmën mbretërore për të shoqëruar drejt altarit vajzën e tij Meghan.
Madje Thomas së fundmi u përfshi në një “skandal” duke bashkëpunuar me një paparac që ta fotografonte teksa ai përgatitej për të shkuar në dasmën e Princi Harry dhe Meghan Markle, duke përfituar edhe dhjetëra mijëra dollarë nga shitja e fotografive.
Por vetëm dje, mediat amerikane raportuan se babai i nuses ka anuluar pjesëmarrjen e tij në dasmë. Lidhur me gjithë këtë situatë të krijuar që kur u mor vesh data e dasmës, ka folur gjysmëmotra e Meghan, 53-vjeçarja Samantha, e cila thuhet se nuk flet me të motrën prej vitesh.
Teksa ka marrë përsipër fajin, duke pranuar se ka qenë ajo që ka bindur babanë që të përfitonte financiarisht nga marrëveshja me paparacin, Samantha ka deklaruar se Thomas ka pësuar atak kardiak për shkak edhe të kritikave të shumta të mediave ndaj tij.
Më tek ajo ka shtuar se shpreson ende që babai i saj Thomas të rikuperohet për të marrë pjesë në dasmën mbretërore britanike, për të shoqëruar drejt altarit vajzën e tij, Meghan.
Ndërkohë që kur u zbulua lidhja e Princ Harry-t me Meghan, Samantha ka nisur të “sulmojë” gjysmëmotrën, duke thënë se ajo ishte shumë ambicioze dhe që gjithmonë donte të bëhej një princeshë. Madje ajo thoshte se motra e saj duhej të përgatitej për disa të vërteta që kishin të bënin rreth saj.
Por më vonë 53-vjeçarja u shfaq në “Good Morning Britain” dhe hodhi poshtë çfarë kishte thënë më përpara, duke e cilësuar Meghan si shumë të dashur.
Panorama Plus
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al