30 Prill, 2022

Ellen DeGeneres regjistron episodin e fundit të emisionit: Ishte privilegji më i madh i jetës sime


Ellen DeGeneres ka regjistruar episodin e fundit të talk show-t të saj me të njëjtin emër – dy vjet pasi programi jashtëzakonisht popullor u trondit nga akuzat e punonjësve.

64-vjeçarja shkroi disa statuse në Twitter pas përfundimit të xhirimeve, duke ndarë një foto të saj e zhytur në mendime në skenën e shfaqjes.

Sot ne incizuam episodin e fundit të ‘The Ellen Show’ që transmetohet më 26 maj,” shkroi poshtë fotos teksa më pas kujtoi 19 vitet e emisionit duke shtuar: “Kur filluam në vitin 2003, iPhone nuk ekzistonte. Mediat sociale nuk ekzistonin. Martesa e homoseksualëve nuk ishte e ligjshme. Ne pamë botën të ndryshonte, ndonjëherë për mirë, ndonjëherë jo. Por çfarëdo që po ndodhte, qëllimi im ishte gjithmonë që shfaqja të ishte një vend ku të gjithë mund të mblidheshim dhe të qeshnim për një orë. Të jem e ftuar në jetën tuaj ka qenë privilegji më i madh i jetës sime dhe më ka sjellë gëzim të jashtëzakonshëm. Faleminderit. Faleminderit. Faleminderit.”

 

 

Të shumta kanë qenë reagimet e fansave që vërshuan në komente duke kujtuar punën e saj të jashtëzakonshme. Megjithatë karriera e Ellen ka qenë me ulje-ngritje. Ajo u vendos në qendër të kritikave në mars 2020, kur komediani Kevin T. Porter postoi në Twitter, duke u kërkuar ndjekësve të ndajnë historitë më të çmendura që kishin dëgjuar për Ellen DeGeneres.

Katër muaj më vonë, “The Ellen Show” u akuzua se ishte një vend “toksik” për të punuar në një artikull nga BuzzFeed që përmbante intervista me 11 ish-punonjës. DeGeneres më pas kërkoi falje në transmetim, duke thënë se ajo nuk ishte në dijeni të problemeve të supozuara. Megjithatë, zërat e përhapura u pasuan nga një rënie e konsiderueshme në sponsorë dhe vlerësime, me yllin që njoftoi në maj 2021 se ajo do t’i jepte fund emisionit.

DeGeneres tha për The Hollywood Reporter se vendimi i saj nuk kishte të bënte me polemikat prapa skenave. “Kur je një person kreativ, duhet vazhdimisht të sfidohesh – dhe sado i mrekullueshme të jetë kjo shfaqje dhe sado argëtues të jetë, thjesht nuk është më sfidë. Pretendimet për një vend pune “toksik” “më shkatërruan, sinqerisht. Do të gënjeja nëse do të thosha se jo.”

Këtë vit, duket se DeGeneres ka shkuar përtej gjithçkaje për t’u siguruar që stafi i saj të jetë i kënaqur. Muajin e kaluar, New York Post zbuloi se ajo po shpërndante miliona dollarë shpërblime për stafin e saj. DeGeneres gjithashtu thuhet se u dha dhurata të gjithëve duke përfshirë udhëtime, orë, makina. Ndërkohë, Deadline raportoi se punonjësit morën letra që siguronin se Warner Bros planifikon të zgjasë mbulimin e kujdesit shëndetësor për gjashtë muaj pas përfundimit të programit.

Lëvizja e radhës në karrierë e DeGeneres mbetet për t’u parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al