28 Prill, 2022

Elon Musk nuk do dëshmojë në gjyqin e Johnny Depp dhe Amber Heard, flet avokati i tij


Elon Musk nuk do të marrë pjesë në gjyqin e Johnny Depp ndaj ish-bashkëshortes së tij Amber Heard.

Avokati i Musk, Alex Spiro ka deklaruar për E!News se CEO i Tesla nuk do të dëshmojë në gjyq. Dhe as James Franko. Teksa dëshmitë e tyre po priteshin me kuriozitet, ata nuk do të shfaqen në sallën e gjyqit në Fairfax.

Miliarderi fillimisht u rendit si dëshmitar i mundshëm për Heard në dosjet paragjyqësore të rastit, në të cilin Depp po padit për 50 milionë dollarë aktoren. Heard dhe Depp po akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë psikologjike, fizike dhe abuzim seksual gjatë martesës së tyre të shkurtër.

Heard u takua me Musk për gati një vit pas divorcit të saj nga Depp në janar 2016. Ata thuhet se u takuan për herë të parë në xhirimet e filmit ‘Machete Kills’ të Robert Rodriguez në 2013, ku Heard ishte protagoniste dhe Musk pati një paraqitje të shkurtër. ‘Hollywood Reporter’ fillimisht raportoi se Musk u “fiksua” me Heard dhe filloi t’i dërgonte e-mail Rodriguez dhe ekipit të tij për të organizuar darka dhe dreka me të.

“Nëse ka një festë apo darkë me Amberin, do të isha i interesuar ta takoja atë vetëm për kuriozitet”,- shkroi Musk në një nga emailet, të vënë në dispozicion të THR nga një burim konfidencial. “Me sa duket, ajo është një fanse e George Orwell dhe Ayn Rand. Më e pazakonta.”

Pas ndarjes nga Depp, marrëdhënia e Heard me Musk-i cili bëri kërkesë për divorc nga aktorja e ‘Westworld’, Talulah Riley në fillim të 2015, u bë romantike. Çifti zyrtarizoi lidhjen në Instagram në prill 2017, kur Heard publikoi një foto të të dyve në një mbrëmje ku Musk shikonte larg nga kamera me një shenjë buzëkuqi në faqe.

Gjatë muajve të ardhshëm, dyshja u pa në disa dalje publike, duke përfshirë një takim në Australi me fëmijët e Musk. Në verën e vitit 2017, çifti njoftoi se ishin ndarë. “Edhe pse Amber dhe unë u ndamë, ne jemi ende miq, qëndrojmë të afërt dhe e duam njëri-tjetrin”, shkroi Musk në Instagram atë gusht. “Marrëdhëniet në distancë kur të dy partnerët kanë detyrime intensive në punë janë gjithmonë të vështira, por kush e di se çfarë do të sjellë e ardhmja”.

Disa orë më vonë, edhe Heard konfirmoi ndarjen me postimin e saj në Instagram, “Të jesh në sy të publikut do të thotë të kesh shpjeguar veten për kaq shumë njerëz, aq shumë herë. Në këtë rast, unë do të doja të qëndroja më e heshtur. Edhe pse ne jemi ndarë, unë dhe Eloni kujdesemi për njëri-tjetrin dhe qëndrojmë afër.”

Musk nuk e kaloi lehtë ndarjen, duke i thënë Rolling Stone se ishte vërtet i dashuruar me Heard. “Më dhimbte shumë,” i tha ai gazetës “Ajo u nda me mua jo unë me të, mendoj.”

Në dhjetor të 2017-ës, çifti u fotografuan duke u puthur në Los Angeles dhe duke pushuar së bashku në Kili.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al