Ema Dishnica është një vajzë nga Tirana, e cila prej vitesh jeton në Amerikë, me mjaft idera sipërmarrjeje e vizione të qarta rreth biznesit . Ndryshe, nga shumë shoqe të saj të kohës së fëmijërisë për të cilat loja mbetej vetëm një argëtim i momentit, për Emën të luaje do të thoshte më shumë
. Një lojë për të “përkthehej” edhe në një trofe të momentit. Disa para të fituara nga një lojë do të ishin shkëndijat e para rreth diçkaje që bluhej në mendjen e një 10-vjeçareje, deri në momentin që jetesa në Amerikë, studimet e mbaruara për ekonomik, si dhe pasioni për të krijuar një dyqan virtual do të konkretizoheshin një ditë. Pak a shumë, Ema të kujton Sophia Amuroson, vajzën e guximshme që ndërtoi një biznes gjigant virtual , duke marrë veshje të përdorura e duke i shitur në Ebay, duke bërë edhe fotografen edhe modelen në të njëjtën kohë.
Ndryshe nga Sophia, Ema hoqi dorë nga shumë gjëra të tjera për t’iu dedikuar totalisht ideve që kishte për të krijuar veshje dhe hapjes së një dyqani virtual, të cilin në kujtim të atyre kohërave të zhurmshme, kur oborri i pallatit ngjante me një treg të vogël e quajti EBEL, formuar nga inicialet e katër shokëve të pallatit. “Bashkë me shokët e pallatit gjatë muajve të verës hapëm një dyqan të vogël, ku shitëm lodrat e vezëve Kinder dhe fustane të bëra vetë për kukullat Barbi, fëmijëve të lagjes.
Me paratë që fituam, blemë një top dhe bëmë një superpiknik tek oborri i pallatit. Kështu lindi dhe ideja e dyqanit online që kam hapur sot. I vura një pjesë të emrit që kishte “dyqani i fëmijërisë” EBEL i formuar nga gërmat e para të shokëve të pallatit”. Kështu nisi dhe ky rrugëtim me ide të qarta, me përpjekje të vazhdueshme për të perfeksionuar çdo gjë, si dhe me sakrifica për të realizuar kërkesat e klientëve të kësaj faqeje online, që sot numëron mjaft klient www.ebelrose.com. Nga një fëmijë me qëllime shumë të qarta, sot Ema është nënë e një vajze të vogël, e cila shërben edhe si modele për të. Kryesisht, në faqen e saj gjen veshje për fëmijë, si për vajza ashtu edhe për djem. Ajo krijon vetë modele për të qenë sa më të përshtatshme për moshën e fëmijëve, si dhe më pas i qep vetë ato.
” Pas meje është e gjithë familja që më mbështet në këtë sipërmarrje,-më thotë Ema-EBEL ROSE është një dyqan online dhe është një biznes tërësisht familjar, ku unë merrem me përzgjedhjen e produkteve, bërjen e fotove, dizenjimit dhe mirëmbajtjes së websitit. Vajza ime është modelja kryesore e butikut, mami im merret me menaxhimin e porosive në Shqipëri, ndërkohë që bashkëshorti me financat e tij”. Për të arritur deri këtu asaj i është dashur të studioj edhe fotografi dhe webdesign.
Studimet në Amerikë për financë e formuan edhe më shumë e i dhanë bazat e biznesit. Gjatë kohës në universitet, Ema ndërtoi një ide biznesi në një nga platformat “crowdfunding” që quhet Kickstarter, ide, e cila u financua mbi $3000 për 1 muaj. Me parat e fituara nga ky projekt ajo investoi për të blerë një kamera profesionale. – ” Ka qenë investimi më i mirë që kam bërë, sepse më ndihmoi të bëja foto profesionale për blogun tim dhe tashme për butikun EBEL ROSE “.
Për Emën çdo eksperiencë e re është një sfidë e re me veten. Ëndërro, guxo dhe çdo gjë është e mundur. “Një nga shprehjet e mia të preferuara është nga autori Tony Gaskins: ‘ Nëse nuk ndërton ëndrrat e tua, dikush tjetër do të të punësoj që të ndërtosh të tyret’. Unë kam zgjedhur të ndërtoj ëndrrat e mia dhe uroj që çdo person të bëj të njëjtën gjë. Secili ka ëndrra dhe qëllime të ndryshme në jetë, dhe jo domosdoshmërisht kanë të bëjnë me hapjen e një biznesi.
Ëndrra ime për EBEL ROSE është që në një të ardhme të dizenjoj linjën time të veshjeve për fëmijë dhe të rritur. Unë vij nga një familje rrobaqepësish të talentuar. U rrita duke parë mamin të dizenjoj, të presi dhe të qepi fustane ndaj mendoj se e kam paksa në gjak talentin”, përfundon Ema./Panorama/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al