Nga Blerand Rexhepi/ Një karrierë mbi 30 vite, kushtuar karatesë në përgjithësi, por edhe kickboksit e thaibox.
Flasim për Azem Maksutajn, krenaria e shqiptarëve dhe kampioni i shumëfishtë botëror që vjen në një intervistë ku hap zemrën e tij, shpërngulja në Zvicër, arsyeja pse shkoi, qëndrimi atje dhe sportin që ka kultivuar…
E ke pasur problem fillimin, je përkrahur nga dikush?
Azem Maksutaj: Unë kam ardhur në Zvicër në vitin 1991, ka qenë shumë e vështirë për një shqiptar të arrijë se në atë kohë kemi pasur shumë probleme, fillimisht me azilantë dhe kanë ndodhur gjëra të këqija, jemi quajtur si popull i keq dhe unë si sportist shqiptar në boks, ka qenë handikap i madh që të kem sponsorë dhe të shkruajnë mediat për mua.
Ky sport nuk ka qenë olimpik dhe nuk është përkrahur nga shteti dhe ka qenë shumë e vështirë të arrihet, por më ka shtyrë më shumë ajo se nga kam ardhur, që të tregojmë se nuk jemi sikur na kanë quajtur atëherë. Përkrahje të vetme kam pasur vetëm nga shqiptarët që kanë ardhur të më ndjekin.
Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë, a e ke?
Azem Maksutaj: Rocky më ka motivuar më së shumti…
Kush mendon se po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?
Azem Maksutaj: Momentalisht janë shumë shqiptarë që ngjiten në sportin luftarak, do them disa emra si: Ilir Latifi, Robin Krasniqi e Florian Marku, por ka edhe të tjerë…
U bënë disa vite që merresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?
Azem Maksutaj: U bënë 30 vite me këtë sport dhe kam pasur fat sepse ka nisur si hobi, pastaj është bërë profesion, i kam thënë vetes që dua të bëhem kampion e të lëviz botën, e kam parë veten si ambasador të shtetit tonë dhe më ka shtyrë edhe më shumë.
Çfarë mendon të arrish në karrierë, cilat janë synimet?
Azem Maksutaj: Unë jam 14 herë kampion bote dhe nuk kam asnjë humbje, synim kam të ndihmoj të rinjtë që kanë shumë talent dhe të ushtrojnë e të fitojnë tituj, sepse ne shqiptarët kemi gjene për të arritur suksese, kemi këngëtarë të famshëm, sportistë etj.
A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa, apo të bën më të fortë?
Azem Maksutaj: Unë mendoj se humbja nuk më ka kthyer mbrapa e as nuk më ka bërë më të fortë sepse unë kam qenë më i fortë, në kategori të rëndë i kam pasur disa lëndime se kundërshtarët kanë qenë me kilogramë më shumë se unë.
Cilat janë disa cilësi që karakterizojnë një karateist të suksesshëm?
Azem Maksutaj: Një karateist apo sportist sikur unë, e karakterizon suksesi, talenti e bën të vetën që të bëhesh më shumë se ata, ditë e natë ushtrime, përgatitje dyfish më shumë se kundërshtari.
Më mirë të kesh apo të dish?
Azem Maksutaj: Natyrisht që të dish, sepse dituria të sjell dhe financat, 60% të dish dhe 40 të kesh.
Ndjekja e trendeve, a është domosdoshmëri?
Azem Maksutaj: Unë mendoj që njeriu nuk duhet të shkojë në trende të ndryshme, por kush dëshiron të arrijë diku, duhet të shkojë gjithandej..
Si do ta përshkruanit stilin tuaj?
Azem Maksutaj: Stil luftarak (qesh), agresiv kur futem në arenë të luftoj.
Cilat janë brendet e preferuara?
Azem Maksutaj: Për mua nuk luan shumë rol, ka disa gjëra që mua më pëlqejnë, “Louise Vuitton”, “Nike”, por kryesorja është të qëndrojnë mirë në trup, ajo ka më shumë rëndësi.
3 kombinime veshjesh: drekë familjare, punë në zyrë, një natë në party?
Azem Maksutaj: Drekë familjare vesh çfarë të dua, më shumë veshje klasike, parapëlqej ngjyrat kur dal me familjen, party nuk ka më për mua (qesh), por varet me ndonjë ftesë. Nuk jam i zyrave, por ndonjëherë duhet të vishem edhe me kravatë.
Si e shihni të ardhmen tuaj?
Azem Maksutaj: E ardhmja ime nuk dihet, një vilë në Kosovë tashmë e kam dhe në Zvicër dhe nja 2 në SHBA dhe 2 në Tajlandë, janë mjaft. Preferoj vendet ekzotike, varësisht nga stinët e vitit.
3 fakte të rastësishme për ju që nuk i dinim më parë?
Azem Maksutaj: Kur kam qenë në shkollë, kam qenë shumë në peshë dhe çiklisti i parë atje, fakt që nuk e ka ditur askush deri më sot. Kam jetuar disa vite në Tajlandë dhe nuk ka qenë shumë e thjeshtë.
Cila është një ditë tipike e juaja?
Azem Maksutaj: Kur kam boksuar, jam zgjuar në orën 7 të mëngjesit për ushtrime, tani dita tipike, zgjohem në mëngjes në orën 8-9 e pasi zgjohen fëmijët e në mbrëmje kemi ushtrimet, pastaj televizion, flasim me miqtë dhe gjumë (qesh).
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj gjatë këtyre viteve?
Azem Maksutaj: Para 13 viteve më ka lindur djali i madh e më ka ndryshuar jeta totalisht dhe kur krijon familje, nuk rrezikon shumë sepse nuk je i njëjti person. Në sportin luftarak, suksesi arrihet para krijimit të familjes.
Jeni aktivë në rrjetet sociale?
Azem Maksutaj: Tashmë rrjetet sociale janë si media për të lexuar të rejat, shoh dhe televizor, komunikoj me të gjitha kompanitë.