ALMA MILE/ Kush e sheh të shkëlqejë në skenën e Vjenës, pa dyshim që mendon se sa djalë me fat është. Sigurisht që po. Kushdo do të kishte dashur të ishte në vendin e tij, por për Eno Peçin, rruga deri te suksesi ka qenë e gjatë.
Me asgjë më mirë se përmes koreografisë ai nuk mund ta shprehë këtë rrugëtim që ka brenda shumë sakrifica. Së bashku me balerinët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, solisti i Vjenës, Eno Peçi, sjell në Tiranë dy pjesë koreografike, “Exil” dhe “Deja vue”. E para është një pjesë gati autobiografike që lidhet me largimin nga atdheu për një jetë më të mirë, ndërsa tjetra me një gjendje ndërdyshjeje mes një çasti të jetuar apo të imagjinuar. Një moment i ngrirë në kohë që të bën të reflektosh mbi jetën dhe momentin, të cilin nuk e dimë kurrë nëse është ai i duhuri.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, ka punuar shumë me balerinët shqiptarë, jo vetëm që ata ta bënin të tyren veprën, por edhe sepse tek ata sheh veten, atëherë kur dëshironte të ngjitej në skenën e TKOB, por nuk mundi sepse Shqipëria po kalonte kohë trazirash dhe ai u largua.
Për Eno Peçin nuk është më një ngjarje të kërcejë në koncertin e madh të Vjenës, në ditën e parë të Vitit të Ri, por ama vazhdon të jetë po aq modest, njerëzor dhe mirëkuptues si 15 vjet më parë, kur ishte ende një balerin i ri në kërkim të vetes dhe të ardhmes së tij. Eno Peçi tregon për rikthimin e radhës në Tiranë dhe pjesët që ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve në datat 25 dhe 26 nëntor.
Ju jeni një shqiptar i larguar nga atdheu, sa personale është historia e “Exil”?
Nuk mund të them se është një vepër autobiografike nga fillimi deri në fund, por ndjesitë e mia lidhur me të janë shumë të veçanta. Këto pjesë i kam vënë më herët në Zvicër dhe kur shihja shfaqjen, përjetoja ato gjëra që i kam kaluar. Sigurisht edhe në mënyrë të pandërgjegjshme historia jote personale bëhet pjesë e një vepre.
“Exil” zë fill nga një vit i vështirë në Shqipëri, ç’kujtoni prej ’97-s?
Më kujtohen trazirat, krismat, kur nuk kishte as për të ngrënë, kur çdo gjë ishte e ngrysur dhe nuk funksiononte. Më pas erdhi ikja ime nga Shqipëria… Më kujtohen telefonatat me prindërit. Do të ikësh apo s’do të ikësh… Dhe ajo çka unë përcjell përmes veprës është pikërisht kjo sakrificë, largimi, ndarja nga prindërit, ballafaqimi me një botë tjetër.
Ju jeni në kulmin e karrierës suaj, çfarë ju nxiti këtë kthim pas në kohë?
Nuk është se flas shumë, por ndjek moton, që flit pak edhe trego shumë. Nuk është natyra ime të flas, por mallin për atdhe e kam akoma. Kur kam qenë në Shkollën e Baletit, nuk arrita që të futesha në Teatrin e Baletit, sepse nuk i kisha mundësitë. Do të kisha pasur shumë dëshirë që atëherë, nëse do të mbaroja shkollën e baletit edhe të futesha në TKOB. Por mundësia nuk ishte për shkak të trazirave. Dhe te këta balerinë që janë këtu gjej shumë të njëjtat probleme.
Ka qenë i dhimbshëm largimi, ambientimi në një tjetër vend…?
Ka qenë e dhimbshme, sepse janë shumë elementë që mund të përmend. Ika edhe lashë familjen, karrierën, shokët edhe jetën time. Shkova në Vjenë me një libër të boshatisur, e hapa edhe fillova që të shkruaj nga fillimi. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, se duhet të mësohesha me një jetë dhe mentalitet tjetër, me një gjuhë tjetër, por mësohesh…
Ju jeni solist i parë në Teatrin e Vjenës, kërceni në koncertin e famshëm të Vitit të Ri, plot shkëlqim dhe shandanë, ju ktheheni me një pjesë ku tregon varfëri, përpjekje për mbijetesë. Ka shumë kontrast…
Koncerti i Vitit të Ri është diçka e lehtë, një traditë vjeneze, por që unë nuk mund të përfaqësohem ashtu, pavar- ësisht se jetoj në Vjenë edhe kërcej valset e Vjenës. Është një traditë që ndodh çdo vit. Për mua është e këndshme që marr pjesë, edhe pse u bënë 15 herë, ndoshta?
Ka pak krenari shqiptare, kur je pjesë e kësaj mbrëmjeje dhe të shohin miliona sy, ndërsa në Shqipëri komentojnë çdo vit: Një shqiptar në koncertin e Vjenës?
Vjena është një nga epiqendrat më të mëdha kulturore dhe është arritje e madhe për çdo shqiptar që vjen aty.
Bashkë me “Exil”, ju sillni edhe një tjetër pjesë, titulluar “Deja vue”. Çfarë është “Deja vue” për ju?
Në çdo vend që shkon ka disa momente, disa imazhe, që mendon se i ke parë diku, pavarësisht se nuk mundet që ta shpjegosh në është e vërtetë apo jo. Është një ngacmim që edhe njerëzit të reflektojnë pak me kohën. Koha nuk është si orë. Atë nuk e sheh dhe asnjëherë nuk e di se kur është koha e duhur.
Si ka qenë bashkëpunimi me balerinët e trupës së TKOB?
Ata janë bashkëkombësit e mi, përpos që janë balerinë me një potencial fantastik, por duhet që të kenë më shumë eksperiencë nga ana teknike. Kërkohet shumë punë dhe mirëkuptim që të nxjerrësh prej tyre më të mirën.
Kohëve të fundit duket se po merreni më shumë me koreografi, cili është raporti mes kësaj të fundit dhe të qenë thjesht balerin?
Balerini del në skenë, çlirohet, merr duartrokitjet e spektatorit, për interpretimin e tij, ndërsa krijimi është diçka tjetër. Ai është gjithë kohës me ty, sepse kërkon që t’i japësh një zhvillim artistik, që të nxit shumë. Koreografia nuk mbështetet vetëm në lëvizje, por janë shumë elementë, që në fund japin një të tërë. Krijojnë magjinë e vet. Ka frikë brenda? Frika është gjithmonë aty, sepse publiku nuk është i njëjtë edhe njerëzit i shohin gjithnjë gjërat ndryshe. Por duhet të kesh besimin te vetja që të marrësh riskun edhe ta bësh atë që ke në kokë.
Bashkëshortja juaj është po ashtu balerinë, vazhdon ajo të jetë pjesë e trupës së Vjenës?
Gruaja e ka lënë baletin, sepse nuk ka më të njëjtën ego si unë, por është shumë e kënaqur edhe po shijon kohën e saj me fëmijët. Kemi gjetur një balancë. Ajo kujdeset për familjen, unë për punën, pavarësisht se jam gjithmonë aty për fëmijët. Është një balancë që funksionon.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al