Era Rusi do të marrë pjesë këtë vit në “Kënga Magjike”, me këngën e titulluar “Më zëvendësove”.
E ftuar tek “Dola te Ola” në News 24”, këngëtarja tregoi se kënga trajton temën e divorcit dhe të abortit, si dhe flet për mungesën e dashurisë.
Era tregoi se ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me familjarët e saj, të cilët ishin arsyeja kryesore e kthimit të këngëtares në Shqipëri nga Greqia, ku kishte qëndruar për shtatë vite.
Artistja ka një motër më të madhe, e cila e ka bërë teze dy herë. Kujtimet që krijon me të afërmit e saj, Era kujdeset që t’i publikojë në rrjetet e saj sociale.
Gjatë intervistës, Rusi mori disa mesazhe surprizë, mes të cilëve edhe një nga nëna e saj e shtrenjtë.
Era, e cila nuk e priste një surprizë të tillë, nuk arriti t’i mbante dot lotët kur dëgjonte nënën teksa fliste me krenari për vajzën e saj dhe për arritjet që ajo ka bërë.
“Dua të të them mami që ne të duam shumë, ne të vlerësojmë shumë. Ti je një vlerë e shtuar e familjes tonë, e gjyshërve të ty, e imja, e babit, e motrës tënde, e mbesave që ti i do shumë, dhe gjithë miqve tanë të mirë.
Jemi shumë krenarë për arritjet e tua, për muzikën e bukur që ti ke prodhuar në sfidë me mediokritetin, me integritet të lartë, me profesionalizëm të lartë… por edhe për mënyrën se si ti e menaxhon atë që quhet famë, ose të qenit person publik, duke qenë një njeri i dashur, një njeri i thjesht me këmbë në tokë, një njeri dashamirës dhe mirënjohës për të gjithë bashkëpunëtorët e tu.
Të uroj vazhdimësi të gjatë, të suksesshme, të prodhosh këngë të bukura, të pëlqyeshme, por mbi të gjitha të mbetesh Era fisnike që ti je, sepse fama është e përkohshme, ndërsa emri i mirë është i përjetshëm. Të dua shumë”, ishin fjalët e përzemërta të nënës së Erës.
Këngëtarja tha se për të është shumë e rëndësishme që të jetë njeri i mirë, realist, sepse fama siç të vjen, ashtu edhe mund të të ikë për 24 orë.
Ajo tregoi se ka pasur shumë “bërryla” nga kolegë të saj, por nuk preferoi të flasë me emra.
Era Rusi tha se kishte edhe një marrëdhënie shumë të ngushtë me të atin, për të cilin kënga e preferuar nga e bija është “Çupëlina”.
“Babi është një ndër kritikët e mi më të rreptë. Kur nuk i pëlqen një gjë, ai nuk prononcohet dhe aty e kuptoj që nuk i ka pëlqyer diçka”,- u shpreh artistja.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al