9 Shtator, 2021

Ermal Meta zbulon detaje të reja për koncertin që do të mbajë në “Air Albania”! Këngëtari: Kam një surprizë të vogël për publikun shqiptar


Më 17 shtator, Ermal Meta do të mbajë një koncert në Shqipëri, i cili do të jetë i pari që organizohet në “Stadiumin Air Albania” në kryeqytet.

ermal meta (1)

Këngëtari, i cili jeton dhe punon në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë. Ky turne do t’i japë fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë prezenca e Metës në Shqipëri do të ketë një rëndësi emocionale për të.

ermal meta (2)

Ermali ka treguar disa detaje të reja gjatë një interviste ekskluzive për “News24”.

Intervista:

Ermal Meta: Do të vij në datën 15, tani jam ende në Itali. Mezi pres. Jam shumë i emocionuar, zakonisht nuk ndjej këtë lloj emocioni, jam mësuar, kam bërë shumë koncerte. Por në Shqipëri emocioni është i veçantë.

Ola Bruko: Pse ndodh?

Ermal Meta: Sepse është vendi im, emocioni rritet shumë.

Ola Bruko: Prenotimet kanë filluar që nga fundi i gushtit?

Ermal Meta: Po më kanë thënë, ashtu e di unë. Kanë prenotuar nga Italia, Rusia, Bullgaria, Turqia. Jam shumë i lumtur për këtë.

Ola Bruko: Si do të jetë programi në 17 shtator?

Ermal Meta: Programin nuk e kam vendosur ende, do të mundohem të bëj një koncert sa më të ngjeshur, me shumë këngë. Duhet respektuar dhe ora policore. Do të mundohemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë. Do të jetë një artiste, Elhaida Dani që hap koncertin.

Ola Bruko: Kur fillon koncerti?

Ermal Meta: Duhet të mbarojë më parë se ora policore. Besoj mbaron në orën 10, fillojmë në orën 8.

Ola Bruko: Do të ketë këngë shqip apo të huaja?

Ermal Meta: Zakonisht unë këndoj italisht, kam mësuar të shkruaj këngë. Do të mundohem për një surprizë të vogël në shqip për publikun shqiptar. Do të këndoj edhe këngë që kam kënduar ndër vite. Para pak muajsh ka dalë disku 4.

Ola Bruko: Do të jetë një rizgjim nga ajo që na shkaktoi pandemia?

Ermal Meta: Po. Ne nuk jemi ende jashtë pandemisë. Duhet ta hedhim mbrapa, duhet dhe pak kohë. Bëra një koncert në Itali e më dukej e pabesueshme, kisha dy vite që nuk bëja. Më dukej si diçka e largët. Edhe tani në stadium më duket si diçka e largët, por po vjen shpejt. Njerëzit duhet të zbatojnë rregullat, se pa rregulla nuk e kalojmë dot.

Ola Bruko: A patët probleme me virusin?

Ermal Meta: Unë personalisht jo, por disa familjarë po, e kaluan, e morën virusin se ishte diçka e paevitueshme, as e kuptoje nga e merrje. Jemi të gjithë të vaksinuar. Jemi një çik më të qetë. Jam vaksinuar me të dy dozat.

Turin e kam në mars të vitit që vjen. Po përpunoj e shkruaj e publikoj këngë të reja. Këtu në Itali me sa shoh rruga do të jetë më e gjatë, për koncerte në vende të mbyllura.

Besoj se rruga do të jetë më e gjatë, ka një numër të lartë popullsie që nuk duan të bëjnë vaksinën. Nuk e di nëse janë shumë, apo janë pak dhe bëjnë shumë zhurmë. Unë besova, tek shkenca duhet të kemi besim. Ka njerëz që i ka pasur disa reaksione, por janë shumë vaksina që ne bëjmë është një përqindje e vogël që ka reaksion. Tek shkenca duhet të kemi besim. Na shëron shkenca.

Ola Bruko: Sa do të qëndroni në Shqipëri?

Ermal Meta: 7-8 ditë, do bëj një xhiro, do vizitoj disa vende se po bëj një libër. Nuk ta them dot në cilat vende.

Ola Bruko: Do të shkoni në vendin e lindjes?

Ermal Meta: Besoj do kaloj, por s’kam qejf të ndaloj se nuk kam kujtime të mira, kam kujtime të hidhura. Kam disa kujtime të hidhura aty e s’kam qejf të kaloj.

Ola Bruko: Çfarë përmban libri?

Ermal Meta: Është një histori. Roman. Më vjen keq, nuk ta tregoj dot përmbajtjen.

Ola Bruko: Ju pëlqen të shkruani?

Ermal Meta: Po, është komplet ndryshe nga kënga. Një këngë e mbaron brenda një kohe të shkurtër. Duhet të jetë e shkurtër dhe të përmbajë fjali me kuptim të plotë e më të madh. Pra brenda 3 minutash e gjysmë kuptimi i këngës të jetë i plotë. Libri është ndryshe, e kisha të vështirë në fillim.

Ola Bruko: Ky është libri i parë?

Ermal Meta: Po, libri i parë.

Ola Bruko: Po kuptoj që doni të lexoni?

Ermal Meta: Për të shkruar një libër thuhet se duhet të lexosh 200 libra të paktën.

Ola Bruko: Si mendoni, si ka ecur muzika, arti në Shqipëri, me ç’ritme ka ecur?

Ermal Meta: Ato që kam dëgjuar në vitet e fundit, muzika ka patur një frymëzim shumë të thellë nga ajo që është në modë tani. Shumë latin, diçka që nuk i përket muzikës shqiptare. Besoj se nga ana rap, ka disa episode shumë të mira. Nga muzika pop, ka disa rrugë për të bërë. Shqiptari nga ana muzikore duhet të gjejë identitetin e tij. Identiteti muzikor shqiptar mund të ketë një dorë shumë të fortë, por duhet stërvitur, mos pësojë shumë ato modat.

Ola Bruko: A keni një këngëtar të preferuar në Shqipëri?

Ermal Meta: Më pëlqen shumë Eugent Bushpepa, Elhaida Dani, kam dëgjuar një reper, nuk ja mbaj mend emrin. Më ka pëlqyer shumë. Nuk e mbaj mend emrin.

Ola Bruko: Keni ndërmend të bëni ndonjë bashkëpunim?

Ermal Meta: Atë nuk e di. Do më pëlqente të niste në mënyrë spontane. Zakonisht kur bashkëpunon me një artist duhet të gjesh gjuhën e përbashkët. Duhet të lindtë diçka mes dy artistëve. Unë kam bërë bashkëpunim me artistë që kam pasur një gjuhë të përbashkët.

Ola Bruko: Projektet e ardhshme ndërkohë?

Ermal Meta: Më kanë mbetur vetëm dy kapituj të librit, pastaj do nxjerr disk të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al