15 Mars, 2022

“Eurovision” detyron Blanco dhe Mahmood të ndryshojnë këngën e tyre pak para festivalit, ja arsyeja


Kur “Eurovision” është shumë pranë, përfaqësuesve të Italisë, Blanco dhe Mahmood u është kërkuar të bëjnë disa ndryshime në këngë. “Brividi” nuk do jetë më e njëjta këngë që italianët dhe shumë njerëz nga e gjithë bota e dashuruan në Sanremo.

Artistët janë të detyruar nga rregullat e spektaklit europian që ta shkurtojnë atë deri në 3 minuta, pasi asnjë këngë nuk duhet të jetë më e gjatë se aq në kompeticionin Eurovision. Versioni aktual i këngës është 3minuta e 21 sekonda.

“Ka një problem teknik për Eurovision sepse kënga është shumë e gjatë. Ne u munduam ta shkurtojmë në çdo mënyrë të mundshme, por nuk ja dolëm. Por rregulli është strikt dhe nuk bëhen përjashtime. Po bëjmë të pamundurën bashkë me stafin që të heqim 30 sekonda, megjithëse janë shumë për një këngë. Ndaj ‘Brividi’ do vijë në një version tjetër, ndryshe nga ai i festivalit, por premtojmë që do jetë njësoj i bukur”, u shpreh Mahmood në një intervistë radiofonike.

Kujtojmë se Mahmood e Blanco fituan “Sanremo 2022” me këngën “Brividi” që në shqip përkthehet “Drithërima”. Në rrjet shumë u komentua teksti i këngës që ka një mesazh të rëndësishëm, atë të lirisë, që është një temë universale. Kënga flet për frikën e të dashuruarit, frikën për të gabuar, por edhe lumturinë që ndjen kur je plotësisht i lirë.

Kjo është hera e dytë për artistin me origjinë egjiptiane, Mahmood që do të performojë në Eurovision pas këngës “Soldi”, e cila u rendit në vendin e dytë në “Eurovision 2019”. Kurse Blanco është artisti më i ri ndonjëherë që ka fituar “Sanremo”. Ai është vetëm 19 vjeç dhe ka arritur të ketë një sukses të jashtëzakonshëm në klasifikimet më të rëndësishme italiane, sidomos me këngën e tij “Mi fai impazzire”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al