Megjithëse infeksioni i papillomavirusit njerëzor (HPV) njihet më së shumti për lidhjen e tij me kancerin e qafës së mitrës tek gratë, hulumtimet e reja tregojnë se efektet e tij tek burrat mund të jenë po aq serioze, veçanërisht në lidhje me fertilitetin e tyre. Në veçanti, një studim i kohëve të fundit nga një grup shkencëtarësh në Argjentinë zbulon se burrat e infektuar me lloje të caktuara të HPV-së mund të pësojnë një rënie të ndjeshme të cilësisë së spermës , gjë që mund të çojë në ulje të fertilitetit.
Ky studim, i publikuar në Frontiers in Cellular and Infection Microbiology, fokusohet në ndikimin e llojeve me rrezik të lartë të HPV (HR-HPV) në fertilitetin mashkullor. Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Virginia Rivero, profesoreshë në Universitetin Kombëtar të Kordobës, infeksioni HR-HPV duket se ndikon negativisht si në cilësinë e spermës ashtu edhe në përgjigjen imune në traktin gjenitourinar mashkullor.
Si HPV mund të dëmtojë spermën
Hulumtimi përfshiu 205 burra nga Argjentina, të cilët morën pjesë vullnetarisht dhe erdhën në një klinikë për një vlerësim të fertilitetit të tyre ose për probleme të sistemit urinar. Asnjë prej tyre nuk ishte vaksinuar kundër HPV. Nga pjesëmarrësit, 19% rezultuan pozitivë për HPV. Duke analizuar më tej të dhënat, studiuesit zbuluan se 20 prej tyre ishin të infektuar me HR-HPV, ndërsa 7 me HPV me rrezik të ulët (LR-HPV). Burrat HPV-pozitiv u krahasuan me 43 meshkuj të tjerë tek të cilët nuk u zbulua asnjë infeksion.
Fillimisht, studiuesit nuk vërejtën dallime të rëndësishme në cilësinë e spermës midis grupeve. Megjithatë, kur përdorën teknika më të avancuara të analizës, ata gjetën diçka alarmante: burrat e infektuar me HR-HPV kishin një numër të reduktuar ndjeshëm të qelizave të bardha të gjakut në spermën e tyre dhe rritjen e prodhimit të specieve reaktive të oksigjenit (ROS). Këto ROS, në nivele të larta, mund të shkaktojnë dëme serioze në spermë, si p.sh. këputje e membranës qelizore, thyerje të ADN-së dhe vdekje të pakontrolluar qelizore.
Dr. Rivero vëren: “Vëzhgimet tona tregojnë se burrat e infektuar me llojin HR-HPV kanë një rrezik të shtuar të problemeve të fertilitetit, për shkak të rritjes së vdekjes së spermës nga stresi oksidativ dhe një reduktimi të reagimit imunitar lokal në traktin gjenitourinar.”
Ky hulumtim ngre pyetje të rëndësishme rreth asaj se si nëntipi HR-HPV ndikon në cilësinë e ADN-së së spermës dhe cilat mund të jenë pasojat për riprodhimin dhe shëndetin e pasardhësve. Studiuesit theksojnë nevojën për studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas këtyre efekteve.
Për më tepër, fakti që sëmundjet seksualisht të transmetueshme (STD) janë të shpeshta dhe shpesh bashkë-ndodhin, e bën të domosdoshme të merret në konsideratë nëse prania e HPV-së së bashku me SST-të e tjera mund të përkeqësojë problemet e fertilitetit.
Ky hulumtim na lejon të kuptojmë më mirë se si viruset, si HPV, mund të ndikojnë në shëndetin e burrave dhe thekson rëndësinë e vaksinimit edhe për djemtë, për t’i mbrojtur ata nga efektet e shumta të virusit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al