Më 4 janar të këtij viti që sapo u futëm, kompozitori dhe këngëtari i shquar i skenës së muzikës opereristike dhe asaj të lehtë, Avni Mula, mbushi 90 vjeç. Vajza e tij, sopranoja me famë botërore, Inva Mula, e cila po jeton kohët e fundit më së shumti në Tiranë, vendosi që t’i bëjë një festë suprizë. E ndihmuar nga mikeshat e saj si dhe miqtë dhe kolegët e Avni Mulës, ajo kishte përgatitur çdo gjë deri në detaje, te Teatri i Kukullave.
I ati, i cili nuk dinte asgjë për festën, erdhi në Teatër ku u prit nga vajzat dhe vëllai, Osmani, nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. Pasi e ndihmuan të heqë pallton dhe shallin, ai u gjend papritur në një teatër të mbushur plot e përplot me miqtë e tij, të cilët e pritën me duartrokitje. Kaq ka mjaftuar që artisti i shquar të shpërthejë në lot për këtë surprizë kaq të bukur, të bërë për 90-vjetorin e lindjes së tij. Por surprizat ndiqnin njëra-tjetrën në festë.
Këngën “Happy birthday to you” e këndoi në skenë Nina, mbesa e tij dhe vajza e Invës, e cila mban emrin e së ndjerës Nina Mula, bashkëshortes së Avniut, gjithashtu edhe ajo një artiste e madhe e muzikës operistike. Gjatë darkës, u performua muzikë e kënduar dhe e kompozuar nga Avnmi Mula, ndërkohë që nuk munguan edhe dhuratat e shumta për këtë ditë të shënuar.
Pjesmarrës në festë ishin edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi. Të ftuar ishin edhe aktorë dhe këngëtarë të shquar të gjeneratës së tij, të cilët fatmirësisht janë akoma në jetë si, Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj.. Avni Mula ka lindur më 4 janar të vitit 1928, në Gjakovë.
Ai u martua me sopranon ruse, Nina Mula, me të cilën patën dy vajza, Adelinën pianiste dhe Invën soprano. Avni Mula ka kompozuar muzikë për filma, shumë këngë, si dhe ka interpretuar në skenat e festivaleve dhe atë të Operas./Panorama Plus/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al