Fifi dhe Mc Kresha patën shumë kimi teksa interpretonin këngën e tyre me titull “Psikopatja jote” në netët e festivalit “Kënga Magjike”, ku u renditën në vendin e tretë nga votat e kolegëve.
“Psikopatja jote” arriti rreth 2.5 milionë klikime në më pak se 1 javë, duke u shndërruar në një hit. Shikimet mes tyre, teksa performonin këngën, bënë që të nisnin thashethemet se çifti janë në një lidhje, një afrimitet që ka ardhur gjatë punës për realizimin e kësaj kënge.
Lidhur me këto thashetheme, Kresha u shpreh publikisht se është thjesht aktrim, ndërsa Fifi është përgjigjur se jeta e tyre private nuk i përket askujt. “Ne jemi dy shokë, dy artistë, dy njerëz që kemi shumë kimi bashkë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Të tjerat ndoshta edhe s’u përkasin juve!”, u shpreh Fifi, duke lënë të kuptohet se mes saj dhe Kreshës mund të ketë lindur një ndjenjë që duan ta mbajnë për vete për momentin.
Po ç’po ndodh mes Fifit 24-vjeçare dhe reperit 10 vite më të madh se ajo në moshë? Vetë Fifi e nis këtë këngë me vargjet: “A është dashni kjo ç‘ka po m’ndodh, Apo thjesht fiksim i radhës, A je dhimbja e çmueshme, Që me i kërku bekimin babës”. Këto vargje janë komentuar nga fansat si një monolog i këngëtares për t’u sqaruar në lidhje me ndjenjat e saj për këtë histori të re.
Të ftuar në “Mirage”, Fifi dhe Mc Kresha treguan gjithçka për krijimin e këngës dhe kuptimin e saj. “Kur kam nisur të shkruaj këtë këngë, kam qenë në një fazë tepër pa lidhje, atë fazë ku nuk e di nëse je dashuruar apo thjesht po të pëlqen, apo të është fiksuar në kokë. Për këtë janë dhe rreshtat e parë. Më pas është zhvilluar”, është shprehur Fifi. Në fakt, ka pasur edhe disa komente jo pozitive, përsa i përket kontradiktës mes titullit dhe tekstit të këngës.
“Psikopatja jote”, sipas këngëtarëve, është një situatë që të gjithë e përjetojnë dhe kështu Fifi shpjegon: “Kënga nuk bie në kontradiktë me veten. Sepse secila femër, nuk po flas për meshkujt se nuk e di si reagojnë ata në këtë rast, por nuk ka femër në botë që nuk e kontrollon burrin, nuk ka femër në botë që nuk i shkon pas, nuk ka femër në botë që nuk i kontrollon telefonin, ku po shkon dhe që nuk ia dërgon shoqen, duke i thënë “shihe, se ka dalë ky”. Nuk ka femër që nuk ka menduar të paktën një herë në jetë: “A e dua këtë njeri apo është thjesht duke më pëlqyer”.
Për këtë pjesë, Mc Kresha ka thënë që çdo artist krijon në bazë të asaj që ndjen dhe më pas e përshtat. Kënga ka të bëjë me dashurinë dhe dyshimin dhe, rrjedhimisht, çdo moment mund të konsiderohet edhe si mani. “Edhe psikopatia është një mani”, ka shpjeguar ai. E ky përjetim është performuar në skenë, ku dy artistët përballë njëri-tjetrit kanë sjellë në sytë e publikut atë që një çift i dashuruar përjeton në fillimet e pasionit të lidhjes.
Kreshnik Fazliu, i njohur me emrin e artit Mc Kresha, është me origjinë nga qyteti i veriut të Kosovës, Mitrovica. Ai është një djalë shtatlartë 1.93 m dhe, përveç muzikës, ka hobi edhe futbollin. Ai u shfaq në një skenë festivali në maj 2008, ku me Snupën morën pjesë në “Top Fest 5” me këngën “N’ks”.
Ndër këngët e tij më të spikatura ndër vite përmendim “Luv Luv” apo “Era”. Ai tashmë jeton në Kosovë, ndryshe nga Filloreta Raçi (Fifi), e cila jeton tashmë në Tiranë. Në vitin 2010, ajo mori pjesë në “Top Fest 7” me këngën “Engjëlli ishe ti”. Prej vitesh ajo ka qenë mjaft aktive në muzikë, ndërsa në tetor 2017, mori pjesë në “Kënga Magjike 2017” me këngën “Zhurmë”, ku fitoi po ashtu çmimin e tretë.
PANORAMA PLUS
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al