20 Prill, 2022

Fjoralba Ponari i hyn muzikës dhe i kërkon publikisht një bashkëpunim Jonida Maliqit


Dikur Jonida Maliqi ishte pjesë e jurisë së “The Voice of Albania” ku konkurroi Fjoralba Ponari, sot dy artistet mund të vijnë me një bashkëpunim.

Moderatorja ka publikuar një video në Instastory ku Jonida ka folur për të dhe performancën e saj në show-n e talenteve. E ftuar në “Ëndërrtjerrësit”, Jonida tha për Fjoralbën: “Jam dashuruar pas imazhit dhe timbrit të zërit të saj. Por ajo zgjodhi Gencin dhe në momentin që nuk shkoi në gjysmëfinale i thashë: “Nëse do kishe ardhur me mua do kishim kaluar”.”

E emocionuar nga fjalët e saj, Fjoralba ka shkruar krah videos: “Duet? PO, JO?” duke etiketuar Jonidën e cila e ka rishpërndarë postimin në Instastory duke shkruar: “PO”. Nuk dihet nëse ato kanë diçka konkrete në plan, por tashmë që Jonida është rikthyer në tregun e muzikës nuk përjashtohet mundësia që të vijnë shumë shpejt me një projekt të përbashkët.

Fjoralba ka treguar se pasioni i vërtetë i saj është muzika dhe siç ka deklaruar nëpër intervista moderimi hyri në jetën e saj si një surprizë dhe me shumë mundësi mund të kalojë në plan të dytë në të ardhmen. Në 2016 ajo mori pjesë në “The Voice of Albania 5”, kur zgjodhi të ishte në skuadrën e Genc Salihut. Pas këtë formati ajo u bë pjesë e ekranit si moderatore.

Rreth dy vite më parë Fjoralba bëri me dije se është nën menaxhimin e Mc Kreshës dhe se ka realizuar një album të plotë me të. Ndonëse duket se për arsye të ndyshme albumi nuk është publikuar ende. Madje, moderatorja publikoi edhe një foto me Lyrical Son në rrjetete sociale duke zbuluar se kanë realizuar një duet bashkë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al