Më shumë se gjysma e popullatës rezultojnë të kenë probleme me gjëndrat tiroide. Por, për shkak të natyrës gjeografike të vendit tonë, rastet më të shpeshta e që kërkojnë trajtim afatgjatë janë nga hipotiroidizmi, apo ajo që në gjuhën popullore njihet si pakicë jodi.
Por, si mund ta njohim këtë sëmundje dhe kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore, përgjigjen e jep mjeku endokrinolog-diabetoglog, dr.Dashamir Gjergji. Simptoma e parë është dembelizmi, por që ky pasivitet të mos reflektohet në gjithë organizmin, gjë që ndodh kur sëmundja zgjat në kohë, doemos duhen bërë ekzaminimet e duhura.
Nisur nga praktika e përditshme klinike, dr. Dashamir Gjergji nënvizon se nga hipotiroidizmi preken më shumë femrat, por jo pak edhe fëmijë e adultë, që variojnë nga 1 në 5 % e popullatës. Në ndihmë të të prekurve, dr.Gjergji jep edhe një grup këshillash, që nga përdorimi i duhur i medikamenteve e deri te regjimi ushqimor.
Ç’është hipotiroidizmi?
Hipotiroidizmi është sëmundje kronike që në thelb ka uljen e funksionit të gjëndrës tiroide. Hipotiroidizmi mund të jetë i plotë kur gjëndra tiroide e humbet komplet funksionin e saj dhe i pjesshëm kur kemi bjerrje relative të funksionit të saj. Kur themi ulje të funksionit, nënkuptojmë nivele më të ul- ëta të hormoneve tiroidiene në gjak. Në gjuhë popullore, kjo sëmundje shprehet si pakicë e jodit.
Cilët janë shkaktarët e kësaj patologjie?
Shkaqet janë të shumta. Për nga frekuenca që e sjell ketë sëmundje shkaku kryesor konsiderohen çrregullimet autoimune të tiroides. Sëmundja me e shpeshtë autoimune është Tiroiditi Hashimoto (mban emrin e autorit që e përshkroi i pari këtë sëmundje). Procese të tilla autoimune, duke dëmtuar strukturën e tiroides, e bëjnë këtë gjëndër të pamundur të prodhojë dhe kryejë funksionet e saj. Jo rrallë, hipotiroidizmi ka si shkak ndërhyrjet kirurgjikale në tiroide. Barna të ndryshme mund ta dëmtojnë tiroiden dhe të japin këtë sëmundje më vonë; përmendim këtu barna si Methimazole, Litium, Amiodarone e të tjera. Rrezatimet në pjesën e qafës mund të çojnë në hipotiroidizëm.
Cilat janë shenjat që lajmërojnë se gjëndra tiroide nuk po prodhon mjaftueshëm jod?
Në fakt, kjo sëmundje përgjithësisht vjen ngadalë dhe shpesh pacientët e kanë të vështirë të dallojnë ankesat nga njëra ditë në tjetrën. Përgjithësisht, këta të sëmurë shtojnë në peshë, kanë rrahje të ngadalta të zemrës, bëhen më dembelë, lëvizin më pak, nuk kanë energjinë e duhur, janë pesimistë dhe ankthiozë, qajnë shpesh, kanë tharje të lëkurës dhe fryrje të qepallave, mund të kenë kapsllëk e të tjera.
A është e lehtë të përcaktohet diagnoza? Si bëhet ky proces?
Për një profesionist mjafton një vështrim apo një bisedim me të sëmurin për të dyshuar dhe konfirmuar klinikisht sëmundjen. Megjithatë, duhen kryer ekzaminimet, si matja e hormoneve të tiroides dhe ekografi e saj, për të qenë sa me preciz në diagnostikim.
Çfarë komplikacionesh sjell për organizmin?
Tiroidja si gjëndër dirigjon gjithë orkestrën endokrine dhe më gjerë në funksion të menaxhimit dhe harxhimit të energjive tona. Kur kjo sëmundje zgjat, i gjithë organizmi bie në një “dembelizëm” dhe thuajse gjithë organet ulin funksionin e tyre. Në stade shumë të avancuara, kjo sëmundje mund të shkaktojë komë miksedematoze dhe kërkohet trajtim spitalor intensiv. Mundet që nga kjo sëmundje të vishen me ujë dhe mukopolisaharide cipa e zemrës dhe të kemi shfaqjen e perukarditit etj.
Si trajtohen pacientët me hipotirioidizëm?
Mjekimi i hipotiroidizmit është i gjatë dhe thuajse gjithë jetës. Rëndësi ka të përcaktohet saktë bari dhe doza e tij. Ky mjekim konsiderohet si terapi zëvendësuese dhe për fat, industria farmaceutike ka prodhuar në mënyrë sintetike të dy hormonet e tiroides edhe T3 edhe T4. Janë këto hormone që përdoren gjerësisht në praktikë si mjekim në këto raste. Kur hipotiroidizmi është i pjesshëm apo subklinik duhen dhënë edhe këshillime dietetike si plotësim terapie.
Cila është incidenca e sëmundjes, bazuar në rastet që trajtoni çdo ditë?
Vendi ynë, duke pasur më tepër terren kodrinor dhe malor, vuan jo pak pasojat e deficiencës jodike. Tiroidja është organi kryesor që kërkon jodin si element ekzistencial për prodhimin e hormoneve të saj. E trajtuar në këtë kontekst, konstatoj se sëmundjet e tiroides janë të shpeshta në vendin tonë. Në mosha fëmijërore dhe adultë hipotiroidizmi ndodh nga 1 në 5 % e popullatës. Kjo vlerë është shumë më e lartë me kalimin e moshës dhe po të përfshijmë këto edhe hipotireozen e pjesshme mund të themi që prevalenca shkon në 10 deri 15% e popullatës. Nëse do shtonim edhe sëmundje të tjera të tiroides si gusha e thjeshtë apo edhe modulare, ju siguroj që mbi gjysma e popullatës vuan këto probleme.
A është e trashëgueshme dhe a ka dallim midis meshkujve e femrave?
Si çdo sëmundje kronike, tendenca e trashëgimisë vihet re rëndom edhe te këto sëmundje. E parë në këtë aspekt, shumica e njerëzve që kanë të afërt me sëmundje të tiroides, duhen kontrolluar qoftë edhe për të përjashtuar një problematike të tillë të mundshme. Sëmundjet e tiroides, krahas efektit gjenetik, kanë ndikim të madh edhe nga efekti ambiental. Në vendet që vuajnë deficitin e jodit, ndodhin në masë të madhe sëmundje të tilla si struma apo gusha endemike. Lidhur me gjininë, sëmundjet e tiroides ndodhin më tepër te femrat sesa të meshkujt, në raport 4- 5:1. Kjo vjen kryesisht si shkak i ndryshimeve hormonale dhe shtatzënive që predisponojnë më tepër për sëmundje autoimune dhe të tiroides, te femrat.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al