23 Nëntor, 2017

Flet mjeku: Dhimbja kronike, sëmundje më vete dhe jo simptomë, si trajtohet


Dhimbja kronike nuk është simptomë, por është sëmundje më vete, e cila kërkon trajtim të posaçëm. Për mjekun specialist në trajtimin e kësaj patologjie, Apostol Vaso, në vendin tonë, për fat të keq dhimbja nuk është parë asnjëherë e diferencuar nga sëmundje të tjera, por gjithnjë si bashkëshoqëruese. Në këto kushte, doktori shtron nevojën për integrimin e saj si degë më vete në shkencën e mjekësisë. “Dhimbja kronike është një sëmundje më vete që ka mekanizmat e saj dhe nuk është shoqëruese e asnjë sëmundje. Madje, ajo tregon që sëmundja mund të zhvillohet prej saj.

Së dyti, në botë dhimbja kronike është sëmundje, e cila është pranuar si disiplinë më vete. Personeli mjekësor është i informuar rreth saj. Ndaj duhet që dhimbja të implementohet në sistemin tonë shëndetësor, ashtu siç janë impelementuar të gjitha specialitetet e tjera”. Gjithçka nisi nga një studim i finalizuar vetëm pak kohë më parë. Të dhënat e përftuara nga hulumtimi disavjeçar sollën një përmbysje mbi atë perceptim të krijuar deri më sot.

Kur një njeri pret këmbën, vë në dukje doktori, ai, në fakt, e ndjen atë sikur ta kishte dhe i dhemb po ashtu sikur ta kishte. Në këto kushte, burimi i dhimbjes, ndryshe nga çfarë ishte menduar, nuk ishte në tru, por në periferi, jashtë palcës së kurrizit. I njëjti arsyetim u zhvillua edhe për këmbën diabetike. Janë jo të paktë personat diabetikë që përballen me këtë komplikacion duke u detyruar të amputojnë apo presin këmbën e sëmurë.

Adresimi si duhet i kësaj dhimbje, përmes lokalizimit të saj, është edhe çelësi për të shmangur dëmin apo pasojat e pakthyeshme. “Mjeku i dhimbjes bën diagnozën e dhimbjes, sepse ka disa lloje dhimbjesh. Ka dhimbje neuropatike, muskuloskeletike, dhimbje viscerale, të kancerit etj. Në momentin që vendoset prognoza e dhimbjes, ndërtohet strategjia e trajtimit të saj”, shton Vaso.

Doktor, ju keni përgatitur një studim mbi dhimbjen e këmbës së munguar. Si lindi ideja, sepse duket një “rrugë” aspak e lehtë për t’u përshkuar e aq më tepër për t’i shkuar deri në fund?

Ideja për studimin ka nisur që në 2008 me një shkencëtarët më të spikatur, Marshall Devor. Ishte ai, i cili më propozoi një kërkim për gjetjen e mekanizmave mbi dhimbjen e këmbës së munguar. Kur një njeri pret këmbën, ai, në fakt, e ndjen atë sikur ta kishte dhe i dhemb po ashtu sikur ta kishte. Një arsye që Devor m’u adresua mua për këtë studim, ishte prej faktit që në atë kohë kishte shumë të amputuar nga lufta e Kosovës. Kështu që, studimi nisi në 2008 duke analizuar rastet e para. Dhimbja e këmbës së munguar ishte një mister për të gjithë botën, për të gjithë shkencën mjekësore. Në fillimet e kërkimit, unë nuk kisha këto njohuri që kam sot, kjo për arsyen e thjeshtë sepse mendoja që ishte një dhimbje që askush nuk e mjekonte, për rrjedhojë, nuk duhej të merrej njeri me të. Në fakt, rezultoi krejt ndryshe, rezultoi maja e ajsbergut për të gjitha problemet, me të cilat ne ndeshemi sot.

Çfarë rezultatesh dolën në përfundim të studimit? Cili është burimi i dhimbjes?

Fillimisht dua të ndalem në disa tregues apo të dhëna, për të kuptuar edhe rëndësinë e vërtet të hulumtimit. Në Amerikë është bërë një përllogaritje për dhimbjen kronike. Konkretisht, në qoftë se kostoja e traumës në SHBA është 400 miliardë dollarë, kostoja e dhimbjes shkon mbi 600 miliardë dollarë. Diferenca qëndron në faktin se për traumën ka feedback pas trajtimit. E njëjta gjë s’mund të thuhet për dhimbjen kronike. Kjo për dy arsye. E para sepse nuk njihen mekanizmat e dhimbjes dhe e dyta sepse edhe mjekët nuk kanë njohuritë e përshtatshme për trajtimin e tyre. Në këtë kuptim, studimet që bëhen sot kanë një interes madhor jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në aspektin e shpenzimeve pasi përfitimi është i madh. Studimi është botuar edhe në revistën prestigjioze “Pain”. Botimi është shoqëruar me një mesazh nga John Matthew, i cili parashtron pyetjen: Tani lëviz toka apo dielli?! Në fakt, këtu presupozohet që lëviz dielli dhe jo toka sepse deri më sot konsiderohej që dhimbja e këmbës së prerë ishte trazirë që zanafillën e kishte në tru. Por rezultatet kanë treguar se problemi është në periferi. Në këtë kuptim, në qoftë se dhimbja është aty ku ne akuzojmë, normalisht edhe kostoja bie shumë. Nga ana tjetër, një fushë tërësisht e pazhbiruar më parë hapet për studimin dhe për vetë mjekësinë. Studimi mbi dhimbjen e këmbës së prerë dhe rezultati që përfituam prej tij, na kondicionoi që ta shihnim dhe të zhvillonim të njëjtën analizë dhe arsyetim për këmbën diabetike. Në qoftë se me këmbë të amputuar janë një përqindje shumë e vogël, sot, këmba diabetike është një problem shumë i madh. Diabeti është një nga sëmundjet më të përhapura, që shtron përpara sfidën e zgjidhjes. Një pjesë shumë e mirë prej tyre presin këmbën ose bëjnë këmbë diabetike, të cilat fatkeqësisht nuk kanë asnjë zgjidhje.

Studimi kupton gjenezën, burimin e dhimbjes, por cilat janë diferencat në trajtim që ju edhe e përmendët?

Deri më sot thuhej se dhimbja gjenerohej nga truri. Ndërsa rezultatet tona tregojnë se dhimbja e ka burimin në periferi, jashtë palcës së kurrizit. Në këtë mënyrë ishte një përmbysje e këndvështrimeve të ngritura deri më tani.

Në këtë qasje të re që ju propozoni, cilat janë zgjidhjet dhe a janë ato më efektivet?

Para së gjithash duhet të kuptojmë që dhimbja është një problem më vete. Nuk është simptomë e një së- mundjeje. I referohem këtu dhimbjes kronike, pasi dhimbja akute patjetër që është simptomë. Dhimbja kronike është një sëmundje më vete që ka mekanizmat e saj dhe nuk është shoqëruese e asnjë sëmundje. Madje, ajo tregon që sëmundja mund të zhvillohet prej saj. Së dyti, në botë dhimbja kronike është sëmundje, e cila është pranuar si disiplinë më vete. Personeli mjekësor është i informuar rreth saj. Ndaj duhet që dhimbja të implementohet në sistemin tonë shëndetësor, ashtu siç janë impelementuar të gjitha specialitetet e tjera. Këto janë dy gjëra shumë të rëndësishme. Mjekët duhet të kuptojnë se ajo është një shkencë si të gjitha shkencat e tjera.

Para disa vitesh, në një intervistë tuajën keni folur mbi një marrëveshje me qeverinë gjermane për ngritjen e një qendre kërkimi…

Ajo nuk u realizua, jo për faj të qeverisë gjermane. Ideja ishte të ngrihej një grup kërkimi. Ata propozuan specializime për doktoraturë dhe postdoktoraturë për një seri specialitetesh duke përfshirë edhe dhimbjen kronike. Me sa duket, ajo ishte një gjë e parakohshme, kështu që dështoi.

Të mbetemi te dhimbja kronike, si manifestohet ajo? Dhimbja kronike ndahet nga dhimbja akute, nisur nga aspekti temporar. Një dhimbje, e cila zgjat mbi tre muaj ose 6 muaj me gjithë mjekimet e marra, ajo inkuadrohet si dhimbje kronike. Kjo dhimbje nuk kërkon të mjekohet nga specialistë të ndryshëm siç mund të jenë kardiologët, neurologët, ortopedi, por kërkon të mjekohet nga njerëz që janë të mirëtrajnuar dhe të specializuar, pra që kanë njohuritë për ta bërë këtë. Kjo, në fakt, është edhe nyja gordiane. Në vendin tonë, dhimbja konsiderohet akoma si simptomë e një sëmundjeje. Ndërgjegjësimi duhet të nisë nga personeli shëndetësor pasi është ai që të adreson te mjeku specialist. Në këto kushte duhet që edhe studentët të marrin njohuritë bazë mbi dhimbjen dhe mekanizmat e saj. Mjeku i dhimbjes bën diagnozën e dhimbjes, sepse ka disa lloje dhimbjesh. Ka dhimbje neuropatike, muskuloskeletike, dhimbje viscerale, të kancerit etj. Në momentin që vendoset prognoza e dhimbjes, ndërtohet strategjia e trajtimit të saj. Aplikohen dy metoda për këtë, e para është ajo konservative me ilaçe, terapi, dhe pjesa dytë është më e specializuar dhe quhet trajtimi intervencionist, ku mjeku i dhimbjes bën procedura të ndryshme mikroinvazive, i udhëhequr pa diskutim nga skaneri apo radiologjia.

Cilët janë faktorët iniciues dhe ata precipitues të dhimbjes?

Faktori iniciues është tipari. Ne jemi të vetëdijshëm që ndryshojmë nga njëritjetri. Është njësoj si një karrige, nëse ka një këmbë të shkurtër dhe ti i vendos peshë, ajo do të prishet. Faktori precipitues është pesha që i vendos. Pasha bazë në këtë histori është aspekti social, stresi. Në fakt, çdo gjë negative që ne na shkon në mendje, me të cilën ballafaqohemi apo përplasemi, nuk bën gjë tjetër, veçse bën kontraktimin, spazmën e trupit tonë.

Stresi është burimi i së keqes.. Stresi nuk është një gjë që është në mendje. Është mënyra se si ne zgjidhim problemet e përditshme. Burimi kryesor i stresit është marrëdhënia shoqërore.

Cilat janë kategoritë moshore më të rriskuara?

Të moshuarit janë më të prirur për dhimbje sepse mbajnë më tepër peshë mbi shpinë. Kur them peshë, e kam fjalën për stresin pasi gjithë eksperienca kthehet në stres. Është me rëndësi të thuhet se mjekët duhet të dinë mbi sëmundjen, por edhe efektin e medikamentit që japin.

Sa i takon metodave të trajtimit, ju përmendët që bëhet pasi përcaktohet edhe lloji i dhimbjes..

Po, trajtimi, sikundër e përmenda pak më herët, bëhet sipas llojit të dhimbjes. Grupi më i madh i dhimbjeve janë dhimbjet neuropatike, të cilin ne e endim pafund. Kur flasim për dhimbjen phantom, në fakt, ajo është në majën e dhimbjeve neuropatike.

Ajo që ju parashtroni, sa efektive është, cilat janë dobitë?

Trajtimi i dhimbjes është cilësi shërbimi. Kudo, jo vetëm në Shqipëri, njerëzit janë të pakënaqur nga sistemi shëndetësor. Nëse njerëzit orientohen më mirë ndaj dhimbjes, nëse sistemi shëndetësor funksionon më mirë, atëherë edhe sëmundja do trajtohet si duhet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al