Dëmtimi nervor nga diabeti quhet neuropati diabetike. Sipas mjekut endokrinolog Dashamir Gjergji, të gjithë diabetikët janë të predispozuar për të bërë dëmtime të nervave, por më të rrezikuarit janë ata që janë të pastabilizuar nga vlerat e sheqerit, ata që kanë edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, si edhe ata të sëmurë që nuk ushqehen siç duhet, kur vuajnë mungesën e vitaminave.
Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktori pohon se parandalimi i dëmtimit të nervave nuk nënkupton gjë tjetër veçse normalizim të vlerave të sheqerit në gjak dhe një kujdes higjenik të mirë për lëkurën dhe gjymtyrët në tërësi
.
Sëmundja e diabetit nuk konsiderohet e rrezikshme në vetvete, më shumë se sa prej komplikacioneve që jep. Cilat janë disa nga këto komplikacione?
Sëmundja e diabetit është sëmundje e rëndë dhe konsiderohet e rrezikshme për të gjitha pasojat që vijnë nga niveli i lartë i sheqerit në gjak. Nëse diabeti nuk trajtohet si duhet, herët a vonë organizmi pëson keqfunksionim të një organi, të një sistemi fiziologjik apo të gjithë organizmit. Komplikacionet e diabetit janë të shumta, por të para në aspektin kohor, kemi komplikime të menjëhershme, siç mund të jenë rritjet e mëdha të vlerave të sheqerit, dhe këto gjendje mund të shkojnë deri në shfaqjen e komës diabetike. Ndërsa ndërlikimet e shtrira në kohë janë më të ngadalta dhe në fillim prekin qeliza, pastaj inde, organe e më tej. Më të shpeshtat komplikime kronike të diabetit janë: dëmtimet në sy ose retinopatia diabetike, neuropatia diabetike ose prekja e nervave periferike, nefropatia diabetike apo dëmtimet e veshkave nga diabeti, dëmtimet në zemër, dëmtimet në lëkurë, dëmtimet në tru dhe në enët e gjakut, dëmtimet në mëlçi etj.
Të mbetemi te neuropatia diabetike, çfarë është dhe kur shkaktohet?
Neuropatia diabetike është një nga format më të rënda të ndërlikimeve të diabetit. Është komplikimi që haset më shpesh ndër diabetikët, madje që në momentin e diagnostikimit të kësaj sëmundjeje, mund të kemi prezent neuropatinë diabetike në afro 50% të këtyre pacientëve. Neuropatia diabetike ndahet në neuropati periferike apo prekje të nervave periferike dhe ne neuropatinë qendrore në prekje të fijeve nervore që inervojnë organe të brendshme. Prekja e nervave periferike mund të ndodhë në çdo hapë- sirë anatomike ku ka fije nervore. Mund të preken nerva të veçantë ose mund të preken disa nerva ose tufa nervore. Më të ekspozuar nga dëmtimi janë nervat që komandojnë ekstremitete, kryesisht atyre të këmbëve. Prekja e nervave zakonisht fillon ngadalë dhe nëse diabeti nuk mjekohet siç duhet, mund të progresojë deri në bllokim të rëndë funksional të tyre. Nervat në fiziologjinë e tyre janë përgjegjëse edhe për ndjesinë që ne marrim kur shkëmbejmë me mjedisin, p.sh. ndjesinë e temperaturës, të prekjes, të ngacmimit, gjithashtu, edhe për të stimuluar lëvizje të caktuara të muskujve lokale. Kur këto nerva fillojnë të vuajnë mungesën e energjisë (sheqernave)që është karburanti lokal, atëherë fillon të prishet mirëfunksionimi i tyre.
Cilat janë shenjat me të cilat manifestohet?
Shenjat e para që demonstrojnë prekjen e tyre nga diabeti janë: dhimbje të lehta, ndjesia e të pasurit këmbë të ftohta apo të ngrohta, ndjesia e shpimeve, të sëmbimit, të mpirjes etj. Ankesat e më- sipërme mund të mos jenë gjithmonë të lehta, ndaj nuk duhet pritur për rëndimin e tyre, por duhet ndërhyrë në kohë me diagnostikimin dhe trajtimin e shpejtë të tyre.
Kush rrezikohet nga neuropatia diabetike dhe a mund të parandalohet?
Të gjithë diabetikët janë të predispozuar për të bërë dëmtime të nervave, por më të rrezikuarit janë diabetikët, që janë të pastabilizuar nga vlerat e sheqerit, te diabetikët që kanë edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, tek ata të sëmurë që nuk ushqehen si duhet, kur vuajnë mungesën e vitaminave etj. Parandalimi i dëmtimit të nervave nuk është gjë tjetër, vetëm se normalizimi i vlerave të sheqerit në gjak dhe një kujdes higjenik i mirë për lëkurën dhe gjymtyrët në tërësi. Do të doja të shtoja që, çdo diabetik duhet të mendojë seriozisht për veten e tij, në mënyrë që të mbajë të kontrolluar këtë sëmundje sepse pasojat mund të jenë të rënda jo vetëm për nervat dhe enët e gjakut, por për gjithë organizmin në tërësi.
Si trajtohet?
Diagnoza e neuropatisë zakonisht bëhet me vlerë- simin klinik dhe atë elektroneurofiziologjik. Neuropatia trajtohet në forma të ndryshme, por të koordinuara mirë. Bazë e suksesit është kthimi dhe mbajtja në normë e vlerave të sheqerit në gjak, në jo pak raste kërkohet mjekimi me insulinë. Tjetër qasje trajtuese është edhe përdorimi barnave kundër dhimbjes, që mund të jenë qetësuese të lehta dhimbjeje e deri në përdorimin e antidepresantëve për këtë qëllim. Në të shumtën e rasteve duhet të përdoren edhe ushqyes të nervave periferike, si substanca vitaminike kryesisht të klasës B, ashtu edhe substanca që shtojnë qarkullimin lokal të gjakut, si edhe produkte që luftojnë stresin oksidativ qelizor.
Disa këshilla që mund të mbajmë në konsideratë?
Nuk duhet harruar kurrë që diabetikët, kur vuajnë neuropatinë, duhet të bëjnë kujdes të mos hapin plagë në gjymtyrë, të mos ecin zbathur, të mos i mbajnë këmbët me djersë apo lagështi, të eliminojnë në maksimum kallot, të mos veshin këpucë të ngushta dhe të mos bëjnë rrugë të gjata apo sforcime të mëdha fizike. Vetvetiu, dëmtimi i nervave periferike është faktori kryesor që sjell dëmtim të strukturës së anësive dhe predisponon për plagë dhe këmbën diabetike. Fatkeqësisht, kur dëmtimet e nervave precipitojnë në shkallë të rënduara, mund të predisponojnë për ndërhyrje kirurgjikale duke amputuar nivele të ndryshme të gjymtyrëve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al