Më shumë se gjysma e të prekurve nga kanceri i prostatës rrezikojnë të bëjnë metastaza. Metastazat ndodhin atëherë kur qelizat tumorale nëpërmjet sistemit limfatik apo qarkullimit të gjakut dalin jashtë prostatës dhe prekin pjesë të tjera të trupit.
Sipas mjekut urolog, Rezart Xhani, regjionet më të shpeshta ku përhapet tumori janë: nyjat limfatike, kockat, mushkëritë, mëlçia dhe truri. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktori ndalet në metodat e trajtimit që aplikohen aktualisht, si edhe mbi rëndësinë që duhet të ketë regjimi ushqimor.
“Për shkak se një dietë e pasur me yndyra është e lidhur me një incidencë më të lartë të kancerit të prostatës, dieta me pak yndyra mund të ketë efekt pozitiv te pacientët që kanë një risk të lartë për të shfaqur një kancer prostate (pacientët me histori familjare për kancer prostate) apo ata pacientë që do t’i nënshtrohen trajtimit për kancer të avancuar të prostatës”, pohon mjeku urolog për “Panorama”.
Çfarë është tumori metastatik i prostatës?
Tumori metastatik i prostatës është një tumor, i cili e ka fillesën nga prostata, por që përhapet në pjesë të tjera të trupit, zakonisht në kocka. Në teori qelizat e tumorit të prostatës përhapen kudo në trup, por në praktikë ato përhapen në nyjat limfatike dhe në kocka. Përhapja e tumorit ndodh kur qelizat tumorale dalin jashtë prostatës dhe udhëtojnë me anë të sistemit limfatik apo qarkullimit të gjakut në pjesë të tjera të trupit. Ky tumor quhet tumor metastatik i prostatës. Për shumicën e burrave, tumori i prostatës është një sëmundje, e cila mund të trajtohet me një sukses të lartë shërimi. Ka mundësi që ky tumor të mos shfaqet për shumë vjet pas trajtimit ose të mos shfaqet më kurrë. Por në disa raste, tumori i prostatës rishfaqet dhe rrezikon të përhapet në pjesë të tjera të trupit.
Cilat janë llojet e tumoreve metastatike të prostatës?
Në rast se jeni trajtuar për tumor të prostatës dhe niveli i PSA po rritet, por tumori nuk ndodhet jashtë prostatës suaj, kemi të bëjmë me një “recidive biologjike të tumorit të prostatës”. Në rast se tumori është përhapur në të gjithë prostatën (duke tejkaluar kapsulën prostatike dhe duke prekur disa gjëndra në afërsi, që ndihmojnë në prodhimin e spermës të quajtura vezikulat seminale), atëherë kemi të bëjmë me një tumor lokalisht të avancuar. Në rast të një tumori lokalisht të avancuar, mund të kemi infiltrim të vezikës urinare, e cila çon në anuri mekanike (pacienti nuk mund të urinojë fare). Në rast se tumori është përhapur, por vihet nën kontroll me anë të uljes së hormoneve mashkullore, atëherë kemi të bëjmë me tumor të prostatës metastatik hormono-sensibël. Ulja e hormonit seksual mashkullor, testosteronit, dhe përdorimi i medikamenteve të tjera (antalgjikë, AINS) lejojnë përmirësimin e urinimit dhe vënien nën kontroll të dhimbjes. Në rast se tumori vazhdon të “rritet”, pavarësisht nivelit të pakapshëm të testosteronit, atëherë kemi të bëjmë me një tumor të prostatës metastatik rezistent ndaj kastracionit (CRPCm). Ky është një tumor që vazhdon të zhvillohet edhe pasi “karburanti” i tumorit (hormonet mashkullore) është reduktuar në nivele shumë të ulëta.
Të mbetemi te sëmundja metastatike, çfarë është dhe ku ka predispozitë të përhapet tumori?
Tumori metastatik nënkupton që tumori është përhapur nga prostata drejt pjesëve të tjera të trupit. Simptomat që mund të shfaqin burrat e prekur nga një tumor metastatik janë dhimbjet kockore, humbja në peshë dhe edema të gjymtyrëve të poshtme dhe këmbëve. Regjionet më të shpeshta ku përhapet tumori janë: nyjat limfatike, kockat, mushkëritë, mëlçia, truri. Regjionet ku tumori përhapet më pak janë: gjëndrat e pështymës, sytë, gjinjtë, pankreasi, veshkat, shpretka, muskujt.
Cilat janë analizat laboratorike që duhen kërkuar në rast të tumoreve metastatike të kancerit të prostatës? Analizat më të shpeshta janë: Gjak komplet, testet hepatike, kreatinina, fosfataza alkaline, PSA total dhe raporti PSA e lirë/ PSA total. Gjithashtu duhet kërkuar një analizë urine e thjeshtë, e cila duhet pasuar nga një analizë urine me mbjellje në rast të një pacienti simptomatik.
Po ekzaminimet imazherike?
Në rast të një tumori prostatik me Gleason < 7 apo PSA < 20ng/ml, shintigrafia kockore nuk jep të dhëna të mjaftueshme. Pacientët me Gleason > 6 duhet të bëjnë një shintigrafi kockore pavarësisht nga niveli i PSA. Shintigrafia kockore duhet bërë çdo 2 vjet te pacientët nën terapi për tumor metastatik të prostatës ose te pacientët me rrezik të lartë për të shfaqur metastaza. Gjithmonë duhet realizuar një shintigrafi kockore te pacientët, të cilët paraqesin simptomat e metastazave kockore. Një shintigrafi kockore mund të mos tregojë asgjë edhe 5 vjet pasi mikrometastazat janë shfaqur. Në rastin e një dështimi biokimik, shintigrafia kockore duhet bërë në rast se PSA > 30ng/ ml. Radiografia e gjoksit mund të tregojë në raste të veçanta metastaza pulmonare. Skaneri dhe rezonanca magnetike mund të tregojë përhapje ekstra-kapsulare, prekje të vezikulave seminale, zmadhim të nyjave limfatike, metastaza hepatike, si edhe hidronefroze (si pasojë e obstruksionit të uretereve distale). Meqenëse nivelet e PSA nuk reflektojnë gjithmonë ecurinë e sëmundjes, skaneri apo rezonanca magnetike mund të ndihmojnë për të parë përgjigjen ndaj trajtimit. Imuno-shintigrafia përdoret për të parë përhapjen ekstra-prostatike (rekurencë e lokalizuar apo përhapje limfatike). Imuno-shintigrafia ka ndjeshmëri shumë më të lartë në rast se kombinohet me CT-SPECT. Pet–Skaneri. Fluviclovine F18 është aprovuar në maj të 2016-s për PET imazheri te burrat me dyshim për rekurencë të tumorit prostatik. Miratimi u bë pasi u realizua një studim krahasimor me 11C-choline dhe u pa avantazhi i PET-Skanerit me përdorim të fluviclovine F18.
Si bëhet trajtimi i të sëmurëve me tumore metastatike të prostatës?
Fillimisht duhet bërë ndarja e pacientëve me sëmundje lokalisht të avancuar (T3 klinikisht) dhe pacientët me sëmundje metastatike. Historikisht, terapia për pacientët metastatikë dhe lokalisht të avancuar ka qenë frenimi androgjenik. Në sëmundjet metastatike kjo terapi paliative jep një mbijetesë pa progresion të sëmundjes 18-20 muaj dhe një mbijetesë totale 24–36 muaj. Megjithatë, të gjithë pacientët shfaqin sëmundje hormonerezistente. Por ndonëse hormono-terapia jep rezultate të menjëhershme, potenciali i saj kurues është i kufizuar për shkak të heterogjeinicitetit të kancerit të prostatës, si edhe pamundësisë së hormoneve për të zhdukur të gjithë klonet e kancerit të prostatës. Përpos uljes së incidencës së diagnostikimit të tumoreve prostatike metastatike, nga 20% në vitin 1970 në 5% në 2013, rreziku i përhapjes metastatike në pacientët me tumor prostatik të lokalizuar, shkon nga 30-60%. Pacientët terminalë, te të cilët çdo linjë trajtimi ka dështuar, duhen trajtuar në shtëpi për dhimbjen. Pacientët e diagnostikuar me paralizë si pasojë e komprimimit të medulës spinale ose ato me fraktura patologjike duhen imobilizuar menjëherë, derisa të realizohet një konsultë me mjekun përkatës (mjekun radioterapeut për terapi paliative të metastazave kockore, mjekun neurokirurg për komprimi të medulës spinale, mjekun ortoped për frakturat patologjike dhe mjekun onkolog për kimioterapi).
Lidhur me trajtimin medikamentoz, çfarë rekomandohet?
Analogët e LHRH frenojnë steroidogjenezën ovariane dhe testikulare duke ulur nivelet e hormonit luteinizues (LH) dhe hormonit folikulo-stimulues (FSH) apo antagonistët e LHRH, të cilët ulin nivelet serike të testosteronit. Bifosfonatët janë analogë të pirofosfatit, të cilët veprojnë duke u lidhur me hidroksiapatitin në matriksin kockor, duke bërë kështu të mundur frenimin e shpërbërjes së kristaleve. Antiandrogjenet (bicalutamide, cyproterone acetate) përdoren si agjentë kombinimi për të trajtuar kancerin e prostatës. Agjentët antifungale (si p.sh. abiraterone) japin të njëjtin efekt me anti-androgjenikët. Abiraterone + prednisone është trajtim i aprovuar në pacientët, të cilët nuk kanë marrë kurrë kimioterapi apo te pacientët që janë trajtuar më parë me doxetacel. Kimioterapia frenon rritjen dhe proliferimin qelizor. Kortikosteroidët kanë veti anti-inflamatore dhe shkaktojnë efekte të ndryshme metabolike. Këta agjentë modifikojnë përgjigjen imunitare të trupit. Trajtimi me anë të radioterapisë (EBRT) përdoret në rastet e pacientëve me tumor prostatik lokalisht të avancuar, ky është një trajtim lokal. Brakiterapia mund t’i shtohet radioterapisë eksterne. Gjithashtu, shtimi i anti-androgjenikëve, përveç radioterapisë, jep rezultate më të mira te pacientët.
Cilat janë rekomandimet dietike?
Për shkak se një dietë e pasur me yndyrna është e lidhur me një incidencë më të lartë të kancerit të prostatës, dieta me pak yndyrna mund të ketë efekt pozitiv te pacientët që kanë një risk të lartë për të shfaqur një kancer prostate (pacientët me histori familjare për kancer prostate) apo ata pacientë, që do i nënshtrohen trajtimit për kancer të avancuar të prostatës.
Shenjat e kancerit të prostatës mund të përfshijnë:
-Urinim të shpeshtë
– Vështirësi në fillimin ose ndalimin e urinimit
– Urinim me dhimbje ose djegie
Çdokush që përjeton këto simptoma, duhet të konsultohet me mjekun e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Pasi një person është diagnostikuar me kancer të prostatës, shenjat e metastazës do të ndryshojnë varësisht nga vendi ku përhapet kanceri dhe sa shpejt po rritet. Për shembull, një person me kancer të prostatës dhe metastazë lokale në nyjet limfatike pranë mund të mos përjetojë asnjë ndryshim në simptoma. Megjithatë, një person me metastazë në eshtra mund të përjetojë dhimbje kockore.
Simptoma të tjera të metastazës mund të përfshijnë:
– Lodhje
– Reduktim i oreksit
-Humbje peshe
– Ënjtje në këmbë
Komplikacionet që mund të sjellë kanceri metastatik
Kanceri i avancuar i prostatës mund të shkaktojë shumë probleme të tjera shëndetësore, varësisht se ku është përhapur kanceri dhe sa shpejt po përhapet.
Problemet urinare
Rritjet kanceroze mund të shtypen në fshikëz, uretër ose organe të tjera të legenit. Kanceri i prostatës, gjithashtu, mund të përhapet në këto organe dhe të shkaktojë mbajtjen e urinës, gjakun në urinë, mosmbajtjen dhe vështirësitë për zbrazjen e fshikëzës.
Problemet e zorrëve
Kanceri i avancuar i prostatës mund të shkaktojë probleme të zorrëve, të tilla si, kapsllëku, diarre, urgjencë dhe mosmbajtje urine. Kjo është shpesh për shkak të përdorimit të ilaçeve të dhimbjes ose përhapjes së kancerit të prostatës në zorrë ose rektum. Ndryshimet e dietës, dehidratimi dhe pasiviteti mund të shkaktojnë probleme të zorrëve.
Dhimbja kockore ose frakturat
Kanceri i prostatës, që është përhapur në eshtra, mund të shkaktojë dhimbje të rëndë- sishme të eshtrave. Mund, gjithashtu, të dobë- sojë eshtrat duke e bërë një person të ndjeshëm ndaj thyerjeve.
Hiperkalcemia
Kalciumi ruhet në eshtra, por mund të rrjedhë në gjak nëse kanceri i prostatës përhapet në eshtra. Nivelet e larta të kalciumit në gjak mund të shkaktojnë lodhje, rritje të etjes ose nevojës për të urinuar, të përziera dhe të vjella, kapsllëk dhe humbjen e oreksit.
Anemia
Anemia nënkupton një rënie në numrin e qelizave të kuqe të gjaku,t që janë në dispozicion për të transportuar oksigjen në të gjithë trupin. Kjo mund të çojë në lodhje. Zakonisht shkaktohet nga kanceri që është përhapur në palcën e eshtrave, por gjithashtu mund të jetë një efekt anësor i trajtimeve të kancerit.
Lymfedema
Kanceri i prostatës, që është përhapur në nyjet limfatike, mund të shkaktojë bllokime brenda enëve që transportojnë limfat rreth trupit. Kjo shkakton ënjtje në këmbë ose skrotum.
Trajtimi i kancerit të prostatës mund të shkaktojë disa efekte serioze anësore, të cilat janë:
• Mosmbajtje urinare • Diarre • Dhimbje • Lodhje • Rënie e flokëve • Humbja e oreksit • Të përziera
Për fat të mirë, ka shumë ilaçe në dispozicion për të trajtuar efektet anësore të trajtimit të kancerit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al