27 Dhjetor, 2020

Flet Sokol Guga: Si e binda pas tri vitesh Ornela Mutin të vijë në Tiranë dhe biseda me Giani Morandin për 2021-shin


Ikona e kinematografisë italiane, Francesca Romana Rivelli, e njohur në art si Ornella Muti, shumë e famshme për filmin e viteve ‘80- të “Innamorato pazzo” i kaloi këto ditë festash në Tiranë.

Nëse e kujtoni si princeshën Kristina në lojën aktoriale me Adriano Celentano-n, edhe sot që i kaluar të 60-at ajo është e njëjta koketë me tekat e saj, pasi në fund të fundit është Ornella Muti.

Idhulli i shqiptarëve erdhi të festonte me shqiptarët edhe pse në kohë të vështira pandemie, duke u bërë pjesë e spektaklit “Krishtlindje në Tiranë”, që u transmetua më 25 dhjetor në “Klan Plus”, në prezantimin e Sokol Gugës dhe Manjola Nallbanit.

Producenti i këtij show, Guga, rrëfen për “Panorama Plus” detaje rreth qëndrimit në Tiranë të yllit të kinemasë italiane bashkë me popstarin italian, Alex Palmieri dhe balerinat e RAI-t…

“Krishtlindje në Tiranë”, si ia kaluat Brenda show-t këtë vit me Ornella Mutin, apo idhullin e shqiptarëve, siç e cilësove ti në foton ku pozonit krah njëri-tjetrit?

Sokol Guga: Spektakli “Krishtlindje në Tiranë” këtë vit ishte magji. Jam shumë i lumtur që ky spektakël çdo vit rritet dhe pëlqehet nga publiku. Ardhja e Ornella Mutit ishte një vlerë e shtuar për spektaklin, por nuk munguan edhe artistët BIG të skenës shqiptare, si Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Rosela Gjylbegu, Marsela Çibukaj.

Sa e vështirë ishte të bije në kontakt me ikonën e kinematografisë italiane, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë pandemie kur përgjigjja “jo”, mund të ishte shumë më e shpejtë sesa “po”?

Sokol Guga: Sa për vështirësinë, nëse unë dua diçka, ajo ka marrë fund! Në fakt kisha 3 vite që negocioja për ta sjellë Ornella Mutin në Shqipëri, dhe në fakt u duk se në një vit të vështirë pandemie ajo nuk do të vinte. Por unë arrita ta bind që ajo të ishte në Tiranë për spektaklin “Krishtlindje në Tiranë”. Isha i vendosur dhe pa marrë parasysh kostot unë vendosa ta kem këtu! Ornella është një artiste e madhe dhe sigurisht ka edhe kërkesa të veçanta apo të çuditshme deri diku. Ne kaluam shumë mirë ato ditë qëndrimi në Tiranë, e jam i lumtur që ajo u vlerësua dhe u kënaq!

Mund të ndash me ne disa mbresa që të la Ornella nga qëndrimi i saj këtu, apo disa teka prej dive?

Sokol Guga: Sigurisht, stafi ishte kujdesur që ajo të qëndronte në një prej hoteleve më të mira në Shqipëri. Sa herë që ajo dëshironte të kthehej në hotel, duhet të kishte masazhierin e saj. Makina që duhet të ishte gjatë gjithë kohës në dispozicion dhe fotografi i spektaklit që nuk duhet ta bezdiste duke i bërë herë pas here foto. Por në fund të fundit, ajo është Ornella Muti…

I ftuari tjetër nga Italia, ishte dhe popstari i njohur italian, Alex Palmieri. Impresionet e tij pasi festoi në një natë show Krishtlindjesh në Tiranë cilat ishin?

Sokol Guga: Alex Palmieri është një mik shumë i mirë imi. Ai ishte për herë të parë në Tiranë, dhe i la shumë mbresa ky qytet. Sa herë komunikojmë në telefon apo “WhatsApp” më thotë së dëshiron të vijë përsëri. Spektakli “Krishtlindje në Tiranë” ka cilësinë dhe standardin e show-ve që realizohen në “Rai”, më thotë gjithnja ai. Një përshtypje i bëri fakti që ne si organizatorë jemi të gjithë të rinj dhe është një projekt që bëhet nga profesionistë.

Në show pamë disa artiste të muzikës. Pse zgjodhe pikërisht ato dhe jo të tjera?

Sokol Guga: Kisha kohë në fakt që përzgjedhjen e kisha bërë. Unë dhe bashkëpunëtorja ime, Iris Canaj, kujdesemi që figurat që marrin pjesë në spektaklin “Krishtlindje në Tiranë”, të jenë figura të pastra dhe figura që publiku i do. Sigurisht kasti vitin tjetër do të jetë ndryshe, por publikisht po e them që Manjola Nallbani do të jetë edhe vitin e ardhshëm me mua në skenë.

Meqë për Ornelën ke negociuar për tri vjet, mund të na zbulosh disa emra të tjerë ndërkombëtarë që do t’i bindësh të shkelin Tiranën?

Sokol Guga: Kemi ende kohe të mendojmë se cilët do të jenë artistët ndërkombëtarë për vitin 2021. Sigurisht në mendje më vijnë dy apo tre artistë, por një emër që po e zbuloj për ju është i madhi Giani Morandi. Kam pasur një komunikim me të. Të shohim nëse do ta bind për të qenë ai pjesë e Krishtlindjeve në vitin 2021. E meqë ky ishte një vit ndryshe, unë dua të bëj një urim për të gjithë shqiptarët: “Gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri 2021!”. Uroj që ky vit që vjen të na gjejë më të dashur me njëri-tjetrin dhe më të gëzuar! Gëzuar për të gjithë shqiptarët!

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al