19 Prill, 2022

FOTO/ Mamaja e Rita Orës ‘kërkon’ publikisht një burrë për Elenën dhe e do shqiptar


Nëna e Rita Orës, Vera është kthyer në një personazh shumë simpatik në Instagram ku numëron dhjetëra mijëra ndjekës. Ajo ndan me ta përmbajtje të ndryshme nga jeta private që përfshijnë sidomos këngëtaren por edhe motrën e saj Elenën.

Familja e tyre ka realizuar së fundmi një udhëtim në ishujt Hawaii. Prej andej Vera ka publikuar një foto të Elenës duke shkruar me nota humor se kërkon burrë për të dhe duket se e do shqiptar pasi statusi ishte në gjuhën shqipe.

Ajo e ka postuar një fotografi të Elenës në Instastory me ‘tabak’ të çajit në dorë ku shprehet: “Qe një çikë hazër, din me qitë çaj, zbritje deri në vikend”. Duket se teksa Rita po shijon një marrëdhënie me Taika Waititi, motra e saj po shijon jetën si beqare.

Vera, edhe pse së bashku me familjen e saj ka shkuar që në vitet 90′ në Britaninë e Madhe, aty kur Rita nisi karrierën për t’u bërë një yll i muzikës ndërkombëtare, sërish preferon që në komentet dhe postimet e Instagram-it të shkruajë shqip, si për të ruajtur gjuhën dhe lidhjen me origjinën. Gjë që pasqyrohet më së miri edhe tek fëmijët e saj.

Ashtu si prindërit edhe Rita Ora i ka ruajtur lidhjet me vendin e origjinës. Shpesh ajo mbështet kauzat e shqiptarëve në rrjetet sociale, ishte pjesë e personazheve të famshëm që ndihmuan në rastin e tërmetit të para tre viteve në Shqipëri, është ambasadore e UNICEF për Kosovën dhe jo rrallë i drejtohet qytetarëve atje, sidomos vajzave, duke i përcjellë mesazhe të rëndësishme. Bashkë me Dua Lipën dhe Bebe Rexhën, është ambasadore në botë e vlerave më të mira shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al