20 Qershor, 2022

FOTO/ Nga kapiteni te bomberi, shikoni se ku i shijojnë pushimet kampionët e Milanit


Një sezon i ngarkuar si ai që kaloi Milani dhe i kurorëzuar me titull, meriton pushime të paharrueshme. Për ta bërë diçka të tillë, me siguri që lojtarëve kuqezinj nuk u mungojnë mundësitë, ndaj janë shpërndarë anembanë globit për t’i bërë këto ditë vere sa më relaksuese, por edhe të paharrueshme…

milan

Davide Kalabria

Pas një sezoni me më shumë se 50 ndeshje mes klubit dhe kombëtares, Davide Kalabria po shijon disa ditë relaksi. Ai ka zgjedhur t’i largohet vëmendjes dhe së bashku me të dashurën ndodhet në Maldive ku i është bashkuar edhe Patrik Kutrone. Konfirmimin e ka dhënë kapiteni i ri i Milanit i cili në profilin e tij personal në “Instagram” ka postuar një fotografi ku duket duke ecur në rërën e pastër.

kalabria

Sandro Tonali

Në Mollën e Madhe. Sandro Tonali ka zgjedhur Nju Jorkun për të karikuar bateritë, në shoqërinë e së dashurës së tij, Xhulia Pastore. Ka qenë kjo e fundit që ka dekonspiruar pushimet e tyre pasi postoi të gjitha fotot në “Instagram”: Manhatan, memoriali i 11 shtatorit, një hot dog në “Empire State Building” e kështu me radhë. Relaks amerikan përpara nisjes së sezonit të ri që do të jetë një sfidë më vete për Tonalin.

tonali

Aleksis Salmakers

Një udhëtim në Montekarlo. Jo aq larg. Aleksis Salmakers, një nga besnikët e Piolit që kur ai mori detyrën në “Milanello”, ka zgjedhur detin dhe brigjet transalpine për t’u shkëputur disi nga stresi i përditshmërisë dhe tensioni i një sezoni aq të ngjeshur. I ardhur si i panjohur në janar 2020, ai doli kampion i Italisë me 36 ndeshje dhe një gol duke qenë edhe një nga lojtarët më të përdorur të sezonit.

salamakers

Rade Kruniç

Rade Kruniç u martua më 27 maj me Ivanën e tij dhe më pas u nis në muajin e mjaltit. Para disa ditësh ata së bashku me disa miq kanë shkuar në një koncert në Beograd dhe, me sa duket, janë ende atje. Një nga dy fotot e fundit të mesfushorit është me një gazetar serb për një intervistë. Ai po shijon pak pushim dhe njëkohësisht po merr veten nga problemi muskulor që hasi me kombëtaren gjatë Ligës së Kombeve.

krunic

Rafael Leao

Bairro Alto, Lisbonë. Rafael Leao, pas një sezoni ëndrrash, ka zgjedhur të shkojë në shtëpi dhe të kalojë pushimet me miqtë e tij të vjetër. Një nga postimet e fundit e shihte si protagonistin e një sfide futbollistike me pesë lojtarë. Shumë shokë të skuadrës janë futbollistë amatorë në futsal, por anësori kuqezi ka njohje të shumta edhe në botën e muzikës pas këngës së publikuar disa muaj më parë.

leao

Olivie Zhiru

Një xhiro kalimthi në liqenin e Gardas dhe më pas drejt e në Francë, në shtëpinë e prindërve të tij. Olivie Zhiru kaloi disa ditë në Limone sul Garda, një qytet me pak më shumë se një mijë banorë në provincën e Breshas. Ajo krahinë, e famshme për pemët e limonit dhe vajin e ullirit, ishte si një “kuti” relaksi për njeriun e golave vendimtar të kuqezinjve në rrugëtimin për titullin e 19-të të historisë së tyre.

zhiru

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al