Iu desh të largohej nga Prishtina në moshë të hershme, ka punuar e jetuar kryq e tërthor Europës, madje, seriozisht ose jo, e kanë quajtur dhe “patrioti me tre pasaporta”.
Prej gushtit të vitit 2017, ai dhe familja e tij jetojnë në Tiranë. Por pse? Siç ka treguar vetë në një intervistë, Lorik Cana është tejet i përkushtuar me fondacionin e tij “Lorik Cana 5” dhe që ta vërë në binarë, duhet t’i qëndrojë vetë mbi kokë, duhet të kujdeset vetë.
Duke marrë parasysh se Cana është imazhi i sportistit shqiptar, influencues dhe frymëzues, presioni është edhe më i lartë që fondacioni të ketë sukses. Fondacioni operon në Shqipëri dhe prandaj Cana po banon në Tiranë.
Shpeshherë, prindër të konfuzuar e telefonojnë që t’u marrë nën kujdes fëmijët. Një keqkuptim i madh. Ai nuk është trajner dhe as nuk mund t’i kthejë në sportistë fëmijët e tyre.
Fondacioni “Lorik Cana 5” synon t’i edukojë fëmijët që në vegjëli mbi sportin. Fondacioni ka ndërtuar fusha multisportive në disa kopshte të Tiranës e ka punuar me edukatorët për t’u dhënë formimin e duhur, që rrjedhimisht do t’u mësohet fëmijëve.
“Unë kam dëshirë të filloj një karrierë drejtuesi, si Igli Tare në Itali. Dua të provoj diçka të re në botën e sportit,” pohonte Cana.
E ndërkohë që jeta e tij tashmë është më së shumti në Tiranë, nuk janë të pakta rastet kur ai shihet në rrugët e kryeqytetit në këmbë, teksa paparazzi ynë nuk e kursen duke i bërë foto, për ta parë ish-yllin e futbollin në përditshmërinë e tij. /Panoramaplus.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al