Vite më parë, ai ishte i preferuari i femrave. Padyshim që koncertet e tij mbushin sallat me vajza që adhuronin gjithçka. Megjithatë, vitet e fundit Shpat Kasapi ka preferuar që të qëndrojë më në hije, jo vetëm me famën, por edhe me produksionet e tij muzikore.
Pasi gjeti dashurinë në krahët e Selvies, çifti u bë shpejt prindër dhe tashmë aventurat e Shpatit kanë përfunduar. E si një baba i përkushtuar, ai madje ka vendosur prej disa muajsh që të jetojë në Tiranë, për t’i garantuar një të ardhme më të mirë djalit të tij, por edhe një karrierë të re muzikore. Familja e re duket se i adhuron xhirot në Bllok, bashkë me vogëlushin e tyre.
Paparaci ynë ka mundur që t’i shkrepë disa poza nga e përditshmja e tyre si qytetarë të Tiranës. Ashtu si duket edhe nga fotot, Selvia dhe Shpati janë shumë të përkushtuar për vogëlushin e tyre, duke bërë që në çdo moment ta kenë aty vëmendjen. Duhet thënë se çifti shfaqet në një formë fizike shumë të mirë, ku si gjithnjë shfaqen të kuruar dhe veshur plot stil. Qëkur janë zhvendosur në Tiranë, çifti duket se ka preferuar që të jetojë jetën larg vëmendjes publike, duke shijuar edhe të voglin e tyre.
Por natyrisht që është e pashmangshme që të mos bien në sy, kur zgjedhin që të kalojnë ditën e tyre në zemër të Tiranës. Gjatë një interviste artisti ka zbuluar arsyen pse “braktisi” Shkupin për Tiranën. Shpati tha se arsyeja e parë pse vendosi për të jetuar në kryeqytetin e Shqipërisë është djali i tij, Roeli, sepse sipas tij, kopshtet janë më të mira dhe gjuha është më e pastër. Nga ana tjetër vendimi erdhi edhe si pasojë e mundësive më të mira për karrierën e tij si këngëtar dhe punën si biznesmen.
“Tirana është qyteti që gjithmonë më ka tërhequr. Kam nostalgji për Tiranën, kam fituar mbi 20 çmime. Kam një periudhë të mirë këtu. Unë jam prodhim i Tiranës, Shqipërisë. Arsyeja e parë është djali im, Roeli por edhe mundësitë e mia për karrierë dhe punën. Këtu në Tiranë do të hap dhe një lokal, jam duke u përgatitur. Jam duke ardhur si biznesmen. Kohët e fundit, 5-10 njihem si një këngëtar te popfolku. 15 vite po bëj që kam lënë diskun. Para pandemisë kemi bërë jetë të shthurur, kemi kënduar deri në orën 3-4 të mëngjesit. Ajo është muzika në fakt, jo të këndosh në orën 9-10 të darkës. Vendosja të bëja një jetë më ndryshe se ajo në Shkup. T’i kem gjërat më afër. Mendova për djalin, kopshtet janë më të mirë, gjuha është e pastër. Megjithatë Shkupin e dua fort se atje jam rritur, por Tirana është tjetër gjë”, u shpreh Kasapi.
Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka folur së fundmi për periudhën tij të depresionit në emisionin “Se luan Topi”. Shpati u shpreh se gjitha kjo filloi kur ai sapo kishte nisur karrierën e tij dhe ishte në qendër të vëmendjes. Sipas këngëtarit, ishte e papërballueshme për të në atë moment të jetës fama.
“Fama është shumë e mirë për njerëz që dinë ta menaxhojnë, unë nuk kam pas ditur ta menaxhojë asaj kohe”, – u shpreh Shpati. Ndër të tjera, ai shtoi se kishte kryer analiza të shumta dhe mendonte se i kishin bërë magji.
“U shërova nga ankthet. I mbyllur në vetvete. Kjo quhet depresion i vetmisë. Vetmia ka depresion. S’do të dalësh, s’do të shoqërohesh me askënd. Kur të vjen, hapi derën thonë. Vërtet ka qenë shumë vështirë. Shkoja dhe bëja analiza kot. Të gjitha në rregull, trupi në rregull. Shkoja te ortopedi. Disa thoshin si tip magjie. Mund të kalojnë magji, mund të kalojnë mësysh të madh. S’ka mundësi që 300-200 vajza e djem të të përqafojnë përnjëherë brenda 20 minutave. Të gjithë në skenë. Nuk është ajo jetë normale”, – u shpreh artisti.
Këngëtari tha se shërimin e gjeti tek feja myslimane, duke ndenjur me njerëz të fesë dhe duke u falur. “Zoti ka fal ilaç për gjithçka, veç vdekjes”, – përfundon Shpati.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al