3 Qershor, 2023

Fotot nga paparazzi/ Linda Rama besnike e ngjyrës së zezë, fotot e gruas së kryeministrit në të përditshmen e saj


Jemi mësuar gjithnjë ta shikojmë brenda kornizave të zonjës së kryeministrit. Megjithatë, Linda Rama e ruajtur gjithnjë stilin e saj unik të veshjes. Gjithmonë e kuruar në daljet publike, ajo ka treguar se ka një stil të veçantë në veshje, por edhe përgjithësisht në stilin e saj. Këtë herë nuk po flasim për një dalje të saj publike, por për të përditshmen e saj.

Këtë herë, paparaci ynë ka mundur ta fotografojë në rrugët e Bllokut, ku si gjithmonë mban syze dielli, edhe si për t’u fshehur disi nga sytë e kureshtarëve. E veshur me të zeza, edhe këtë herë zonja Rama kishte preferuar të gjerat. Fundi me një çarje të thellë përpara, ishte asimetrik. Nga ana tjetër edhe xhupi, që ajo mbante veshur ishte i gjerë, si për të plotësuar pamjen e plotë. Më tej ajo kishte thyer të zezën me çantën e kuqe, por edhe me një kapele, që duket se është pjesë e stilit të saj jo vetëm në të përditshmet, por edhe në daljet e saj publike.

Për të gjithë frekuentuesit e Bllokut, jemi të sigurt që shpesh e kemi ndeshur në rrugicat e mbushura me gjallëri, ku ajo kalon pjesën më të madhe të kohës. Zonja Rama ka tërhequr vëmendjen e mediave shpeshherë për kombinimet apo aksesorët që zgjedh të mbajë, si në të përditshmen ashtu edhe në eventet e rëndësishme ku merr pjesë së bashku me kryeministrin. Në një vizitë zyrtare në Spanjë, ajo ka tërhequr vëmendjen edhe të revistave prestigjioze atje.

Bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Linda Rama, ka arritur të rrëmbejë vëmendjen e mediave spanjolle pasi u ndodhën për një vizitë zyrtare në Spanjë ku morën pjesë në punimet e Samitit të NATO-s. Revista spanjolle ka komentuar disa prej veshjeve të zonjave të para dhe duket se Linda Rama, një ndër të cilat ka spikatur me stilin unik të veshjes së saj.

Ata e kanë cilësuar bashkëshorten e Kryeministrit si “një zonjë chic”, teksa në një prej takimeve Linda Rama kishte zgjedhur një “look” plot elegancë dhe klas me një këmishë të bardhë goxha të veçantë dhe një fund të zi me disa detaje të bardha anash saj. Gjithashtu ajo ka rënë në sy dhe përgjatë vizitës me mbretëreshën e Spanjës Letizia, ku znj.

Rama kishte zgjedhur të vishej e thjeshtë dhe komode me një fustan të bardhë, i cili qëndronte i derdhur deri në fund të këmbëve, me një çantë ngjyrë të kuqe dhe e kishte kombinuar dhe me një kapele ngjyrë gri stil “parisien”. Ajo është fotografuar dhe në një vizitë tjetër ku gjithashtu stili i veshjes i kombinuar me kapele nuk mungonte. Zonja e Parë e Shqipërisë u shfaq e veshur komplet në të zeza, me një xhaketë kadifeje, fund plise dhe kapelën e vogël të zezë të kombinuar me aksesorë të mëdhenj ngjyrë “gold”.

Mediat spanjolle e cilësuan Lindën si një ndër zonjat me stilin më origjinal ndër të gjitha zonjat e Samitit. Në daljet e saj të rralla për mediat, ajo ka folur edhe për bashkëjetesën me Edi Ramën, duke e cilësuar si një bashkëshort romantik.

Kohë më parë ajo ishte e ftuar tek “Piter Pan”, ku zbuloi edhe detaje të panjohura nga Rama. Një nga pyetjet e fëmijëve të emisionit ka qenë: Është hall apo qejf të jesh gruaja e kryeministrit? Linda Rama ka thënë se absolutisht nuk është hall dhe nuk e ka konsideruar kurrë si të tillë përkundrazi. Gjithashtu zonja Rama ka folur për emocionet e saj kur solli në jetë Zahon dhe çfarë do të bënte ndryshe nga Kryeministri në qoftë se ajo do ishte në vendin e tij.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al