Covid ngjan si një kujtim i largët tashmë. Ndonëse shifrat shpesh ulen dhe ngrihen, situata në vendin tonë me koronavirus ka qenë e qëndrueshme. Prej kohësh edhe masat janë larguar, duke iu rikthyer jetës normale. Por ka ende nga ata, që e kanë fituar si një zakon tashmë mbajtjen e maskës. Dhe këtu flasim për personazhe publikë, që ndonëse situata është përmirësuar ndjeshëm, vijojnë të dalin me maskë vënë.
Një masë kjo personale për t’u kujdesur për shëndetin e tyre. Konkretisht, ish-Kryeparlamentari Namik Dokle është fotografuar këto ditë në një bankë pranë zonës së ish-Bllokut, ku ka mbajtur për gjatë gjithë kohës maskën mbrojtëse. Në pikun e pandemisë, vetë ish-politikani zbuloi se ai dhe bashkëshortja e tij e kishin kaluar rëndë Covid. Dhe me gjasa maska është masa e tij mbrojtëse që i njëjti skenar të mos përsëritet.
Lajmi për sëmundjen që nuk e kaluan shumë lehtë u bë me dije nga vetë Dokle, në një postim në “Facebook”, i cili poston një foto me familjen e tij, që i cilëson “engjëjt” që e ndihmuan atë ta kalonte këtë sëmundje. Po pavarësisht se arritën ta “përzinin” COVID, Dokle thotë se virusi i ka lënë edhe ndonjë plagë, që njihen si pasojat post-COVID.
“Më në fund… pa COVID! E mundëm, e vumë përfundi, e përzumë COVID nga shtëpia. Ai iku çalë-çalë, por na la edhe ndonjë plagë. Po shkojmë drejt normales. Ia dolëm se patëm Anikën, engjëllin tonë shpëtimtar, patëm Blerin, Onin dhe Inën, engjëjt mbrojtës dhe Manjolën, engjëllin këshillues nga Italia! Ia dolëm se patëm të afërm dhe miq pa fund që na ofruan dashuri, kurajo dhe lutje të përzemërta për shërim! Sa do të dëshiroja që, sot, fjala falënderim të kishte fuqi një mijë herë më të madhe, për të gjithë”, shkruante Dokle.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al