Ndonëse “Big Brother” ka përfunduar, personazhet e dala nga ky reality janë ende ndër më të klikuarit. E nëse flasim për famë, duhet thënë se jeta e Beatrix ndryshoi totalisht pas këtij formati. Pasi historia e dashurisë së saj me Donaldin zgjati po aq sa zgjati spektakli, jashtë këngëtarja po rindërton jetën e saj dhe karrierën.
Paparaci ynë e ka fotografuar këtë javë artisten në Tiranë, ku shfaqet së bashku me nënën e saj dhe qenushin. Ajo që shihni në foto është një ditë normale e Beatrix, teksa shëtit qenin e shoqëruar nga e ëma, Antigona. Ashtu edhe si shfaqet në rrjetet sociale, ajo duket e kuruar dhe gjithnjë e veshur me mjaft stil.
E kombinuar me ngjyrat e tokës, Trixa duket mjaft në formë dhe e pashqetësuar për sytë e kureshtarëve që po e ndjekin në këtë ditë të qetë. Trekëndëshi i dashurisë Bora-Donald-Beatrix ka qenë në fokus të mediave muajt e fundit, duke sjellë edhe reagimin e artistes, pas lajmeve për ribashkimin e Borës dhe Donaldit.
“Nuk ka asgjë për të qenë pishman. Nëse do ta ktheja kohën pas, e vetmja gjë që do t’i thosha vetes sime, do të ishte që të mos kisha aq shumë frikë”, kështu u shpreh Beatrix Ramosaj kur u pyet nëse është penduar për eksperiencën dhe romancën që nisi në “Big Brother Vip”.
Në një intervistë të shkurtër, këngëtarja tregoi se periudhën post BBV, nuk e ka pasur të lehtë ta kalojë. Megjithatë ajo e quan veten “me fat” pasi është e rrethuar vetëm me njerëz të mirë.
“Momentalisht ndihem me të vërtetë shumë në formë, e frymëzuar, shumë e qetë, shumë pozitive. Më është dashur patjetër kohë që të rigjeja veten, sepse eksperienca që kam kaluar nuk ka qenë aq e lehtë, jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë konkurrentët e tjerë. Është një lloj presioni që nuk mund të kalohet lehtë, njerëz me mish e gjak jemi. Kur vjen puna te gjërat që të përfshijnë emocionalisht, je i mbyllur patjetër. Kam qenë shumë me fat që kam shumë njerëz të mirë që më rrethojnë, jam e rrethuar me dashuri. Jam munduar ta mbaj veten të angazhuar me projektet e reja”, tha ajo për “Mirage”.
Pyetjes nëse është penduar për ndonjë gjë në BBV, Beatrix Ramosaj iu përgjigj kështu:
“Nuk jam pishman. Fare nuk jam, çdo gjë që e bëj nëse e kam ndier në moment…. Nuk ka asgjë për të qenë pishman. Nëse do ta ktheja kohën pas, e vetmja gjë që do t’i thosha vetes sime, do të ishte që të mos kisha aq shumë frikë, ndoshta ta shijoja më shumë atë eksperiencë”. Ndërsa sa i përket ribashkimit të Bora Zemanit me ish-të dashurin e saj, Donald Veshaj, ish-banorja e BBV iu bën urime. “Është një pyetje që po ma bëjnë të gjithë. Nëse ata kanë gjetur lumturinë, atëherë edhe unë ua uroj”, tha Beatrix.
Pas ndarjes, takimit romantik në “Big Brother” dhe tradhtisë së Donald Veshajt, Bora Zemani u fotografua përsëri nën shoqërinë e tij. Të dy ishin të “fshehur” pas maskave dhe kapuçave, megjithatë “Revista Who” ka siguruar një foto të dyshes nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Jo të gjithë e pritën mirë ribashkimin e Bora Zemanit dhe Donald Veshajt. Ata kanë zgjedhur të shijojnë në fshehtësi rikthimin në krahët e njëri-tjetrit, por nuk u kanë shpëtuar syve të njerëzve dhe jashtë Shqipërisë ku janë fotografuar bashkë. Pas kritikave të pafundme, moderatorja ka postuar sot një video në “TikTok”, ku ka përdorur një “sound” që thotë se: “Nëse ti nuk mund të thuash diçka të bukur, atëherë mos thuaj gjë fare”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al