28 Shtator, 2017

Frutat e vjeshtës, ja përse duhet t’i konsumoni


Vjeshta ka trokitur zyrtarisht ndaj përfitoni nga të mirat e shumta që sjell kjo stinë.

Veçanërisht sa u takon frutave dhe perimeve të cilat gjenden lehtësisht që nga muaji shtator e deri në fund të nëntorit.

Janë të shumta frutat që serviren në këtë stinë, por shega, dardha dhe hurma cilësohen si më të shëndetshmet, me vlera të larta ushqyese, si dhe ndihmojnë organizmin në eliminimin e shumë toksinave.

 

Shegë

Kokrrat e shegëve përmbajnë dy deri në tre herë më shumë antioksidantë sesa vera dhe çaji jeshil.

Ky frutë gjithashtu është një burim i mirë i potasiumit, si dhe furnizuesi kryesor i cili kontribuon për mbajtjen nën kontroll tensionin e gjakut, kolesterolin dhe përmirëson shëndetin e zemrës.

Dardhë

Ky frut i ëmbël përbën një burim të madh vitaminash dhe kripërash minerale. Dardha nuk përmban substanca që shkaktojnë alergji, prandaj rekomandohet si ushqim për foshnjat dhe për personat alergjikë.

Në çështjen e shëndetit edhe dardha do të vendosej krahas mollës dhe portokallit. Dardha para ngrënies ashtu si molla, nuk duhet qëruar, pasi shumë vitamina ndodhen në lëkurën e saj.

Hurma

Ka veti laksative dhe rekomandohet veçanërisht për ata që vuajnë nga mëlçia, në të kundërtën për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit ajo është e ndaluar për ata që vuajnë nga diabeti apo që vuajnë nga obeziteti.

Përfitimet më të rëndësishme shëndetësore të hurmës janë vetitë e saj antikanceroze falë përmbajtjes të lartë të betakarotenit dhe vitaminës A. Ky frut mund të ulë rrezikun e kancerit të mushkërive dhe është e rekomandueshme që të konsumohet nga duhanpirësit kronike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al